Kryetari i Partisë Demokratike ka refuzuar dhe ka rikonfirmuar qëndrimin në Çadër, por këtu mbaron me sa duket edhe durimi i aleatëve të PD-së. Nesër priten lëvizje të tyre për të shkuar drejt vendimit për pjesëmarrje në zgjedhje.
Vendimi i Lulzim Bashës për të braktisur zgjedhjet është kthyer në shqetësim për të gjitha partitë Popullore Europiane. Burime nga PD, thanë për 27.al që krerët e këtyre partive, ndër ta edhe zyrtarët e lartë të Brukselit pjesë e PPE-së, Joseph Daul e Donald Tusk, e kanë telefonuar njëri pas tjetrit kryetarin e demokratëve, Lulzim Basha për ta nxitur të hyjë në zgjedhjet e 18 qershorit.
Ata kanë argumentuar se kjo është rruga e vetme, megjithëse ka dyshime për manipulim të zgjedhjeve. Krerët e PPE-së i kanë premtuar garanci maksimale dhe angazhim të fortë të BE-së për të mbrojtur votën e lirë më 18 qershor ndaj dhe i kanë kërkuar Bashës të hyjë në zgjedhje, por kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka refuzuar.
Ai duket i vendosur të mos hyjë në këto zgjedhje dhe kjo nuk ka gjasë të jetë e lidhur vetëm me kauzën e votës së lirë. Për sa kohë një organizëm kaq i rëndësishëm sa Brukseli dhe të gjitha Partitë Popullore Europiane japin garaci për ruajtjen e votës më 18 qershor, kanë mbetur pak arsye që Basha të vazhdojë të qëndrojë në Çadër.
Me sinjalet më të fundit që vijnë nga partitë simotra të PD-së në Europë, janë njohur edhe aleatët e PD-së në koalicionin opozitar. Ata e kanë ndjekur deri tani PD-në në qëndrimet ekstreme për bojkotin e zgjedhjeve, por pas sinjaleve dhe garancive që vijnë së fundmi nga PPE, ata duket se do ta braktisin duke e lënë të vetëm Lulzim Bashën në çadrën e tij dhe do të hyjnë në zgjedhje. Pritet që i pari të marrë hapin e madh të jetë Dashamir Shehi, për t’u pasuar menjëherë me Agron Dukën e PAA-së dhe i fundit Fatmir Mediu i PR-së.
Diskutime rreth kësaj post