Kryeministri Edi Rama i la një afat prej 48 orësh kryetarit të opozitës, “që të mos e çojë PD-në në humnerë”.
“Dua ta lë Lulëzim Bashën të qetë në këto 48 orë të fundit, të cilat vendosin nëse Partia Demokratike do të marrë kthesën e shpëtimit apo do të tretet në humnerën e vetëshkatërrimit” , shkruante Rama në Facebook në një status që zëvendësoi komunikimin javor.
Por kreu i demokratëve iu përgjigj duke ia lënë këto 48 ditë si afat skandence të një ultimatumi.
“Dje na tha ultimatum se kemi 48 orë për t’u bërë edhe ne pjesë e fasadës, e alibisë, e teatrit të kukullave, 48 orë që opozita të bëhet alibia e teatrit të kukullave që do vazhdojë vjedhjen e shqiptarëve, që kriminelët të jenë në kuvend, në bashki, që ligji të shkelet më të dyja këmbët dhe opozita të jetë fasada. Përgjigjja ime është kjo: ke 48 ditë para se të shpallim luftën totale për asgjësimin e republikës së vjetër”- deklaroi Basha duke folur në çadrën e protestës.
Basha ka paralajmëruar mosbindje civile dhe u kërkoi dje qytetarëve të mos njohin kushtetutën dhe ligjet e të mos paguajnë taksat pas 18 qershorit.
Mosbindja do të njohë përshkallëzim ditën e zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë.
“Mosbindja civile, bashkimi i shqiptarëve në çdo formë e mjet demokratik që do të përshkallëzohet me 7 maj në çlirimin e kryeqytetit të lirisë, Kavajës, mosbindja civile do shtrohet në cdo qytet, lagje, e fshat, për të kulmuar me 18 qershor, ky shqiptarët e bashkuar do të rimarrin kontrollin fizik të Shqipërisë që i takon dhe u takon vetëm atyre. Nuk di si i ke bërë ti planet për 18 qershorin, ku po të con mushka, por nuk do të qeverisësh dot asnjë orë të vetme pas 18 qershorit, ndaj ke vetëm një rrugë bëhu pjesë e zgjidhjes ose shporru bashkë me republikën e vjetër, qytetarët nuk do të kthehet pas”, tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post