Zyrat e shtetit shqiptar shpesh herë kthehen në një han pa porta nga ku mund të vjedhësh mbi një milionë dollarë përmes faturave të falsifikuara. Kjo është historia e kompanisë koncesionare të naftës Phoenix Petroleum, e cila po hetohet nga prokuroria. Personazhet e kësaj skeme mashtrimi me vlerë 1.300.000 dollarë janë drejtuesit e kompanisë Phoenix Petroleum dhe Agjencisë Kombëtare te Burimeve Natyrore (një institucion shtetëror), ndërsa viktimat janë financat e shtetit shqiptar dhe një kompani shqiptare që operon në Amerikë.
Historia
Kompania Phoenix Petroleum u bë e njohur për publikun shqiptar në fund të verës të vitit 2013. Pothuajse dy muaj pasi kishte humbur zgjedhjet, më 16 Gusht 2013, qeveria Berisha vendosi që të japë me koncesion edhe llokmën e fundit në naftës shqiptare. Nëntë vendburime nafte iu dhanë në shfrytëzim kompanisë Phoenix për 25 vitet e ardhshme. Pasi mori koncesionin, kjo kompani filloi prodhimin e naftës dhe në bazë të kontratës paraqiti edhe planin e investimeve. Kontrata parashikonte që kjo kompani të depozitonte në AKBN (Institucioni që monitoron kontratën për llogari të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë) një garanci për kryerjen e investimeve dhe në rast se këto investime nuk plotësoheshin, AKBN do t’i sekuestronte garancinë bankare dhe do të kërkonte prishjen e marrëveshjes. Investimet të cilat kompania ishte angazhuar të kryente kapnin vlerën prej 2.700.000 dollarë amerikanë dhe për këtë shumë ishte lëshuar edhe garancia bankare nga Banka Union Bank.
Studimi fals
Në verë të vitit 2015 kjo kompani raporton në AKBN se ka kryer planin e studimit strategjik 25-vjeçar për tetë zona: Frakull; Povelçë; Divjakë; Ballaj-Kryevidh; Drashovicë; Panaja; Pekisht-Murriz dhe Finiq-Krane. Për këtë “Studim Strategjik” shoqëria dorëzon disa letra “copy paste” nga studime të kaluara të bëra nga disa Inxhinierë të vjetër nafte dhe i deklaron AKBN-së se kostoja e këtyre studimeve strategjike është 1,3 milionë Usd. Kompania dorëzon gjithashtu edhe tetë faturat përkatëse për këto “studime strategjike” me një vlerë totale 1.299.000 dollarë amerikanë. Sipas raportit dhe faturave të paraqitura shërbimi ishte kryer nga kompania amerikane “BLACK SWAN ENERGY SERVICES” me qendër në Oklahoma City SHBA, një kompani e specializuar në kryerjen e studimeve afatgjatë strategjikë. Me dorëzimin e këtyre faturave në AKBN kompanisë i njihen shpenzimet në vlerën 1.299.000 dollarë amerikanë si dhe i zhbllokohet garancia bankare në vlerën 2.700.000 dollarë amerikanë. Se si mundet që AKBN, në vend të investimeve konkrete për rritjen e prodhimit, përmirësimin e infrastuktures, kushteve të punonjësve, përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe mjedisit etj, të pranoje disa letra bakalli, por me vlerë 1.3 milionë euro është shume e çuditshme por me këtë çështje do të merremi një herë tjetër.
Mashtrimi
Drejtoresha e Menaxhimit të kompanisë amerikane “BLACK SWAN ENERGY SERVICES” me qendër në Oklahoma City SHBA i dërgon një email disa zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar ku i informon se faturat e paraqitura nga kompania Phoenix Petroleum nuk janë lëshuar dhe nuk janë firmosur prej saj. Kompania nuk ka kryer asnjë pagesë dhe gjithçka është një mashtrim i madh. Bazuar në këtë informacion, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fillon verifikimin e çështjes. Pas hetimit paraprak rezulton se tetë faturat më vlerë 1.299.000 dollarë amerikanë nuk janë reale (Tabelë faturat e falsifikuara).
“Nga ana e grupit të kontrollit u verifikua i gjithë dokumentacioni fiskal (pasqyra financiare, libra shit-blerje, ekstrakte bankare, ditarët e shoqërisë etj) nga ku u konstatua se: Shoqëria Phoenix Petroleum nuk ka të regjistruar në kontabilitetin e saj asnjërën nga faturat e mësipërme dhe as ndonjë faturë tjetër të lëshuar nga shoqëria “BLACK SWAN ENERGY SERVICES”. Shoqëria Phoenix Petroleum nuk ka kryer asnjë transaksion bankar në lidhje me shoqërinë “BLACK SWAN ENERGY SERVICES”. Për sa më sipër, do t’i kalojë çështjen Drejtorisë së Hetimit Tatimor për ndjekje të mëtejshme”,- thuhet në shkresën e datës 25.10.2016 të Tatimeve. Drejtoria e Hetimit Tatimor verifikoi situatën e krijuar dhe në përfundim të hetimit arriti në konkluzionin që kemi të bëjmë me elementë të disa veprave penale si mashtrimi, falsifikimi i dokumenteve zyrtare, paraqitja e dokumenteve të rreme etj dhe për këtë arsye depozitoi kallëzimin penal në prokurori.
Institucionet shtetërore
Materiali i dorëzuar në prokurori përmban faturat e paraqitura nga kompania Phoenix Petroleum, pasqyra financiare, libra shit-blerje, ekstrakte bankare, ditaret e shoqërisë Phoenix, dëshminë e Drejtoreshës të Menaxhimit të kompanisë amerikane “BLACK SWAN ENERGY SERVICES” me qendër në Oklahoma City SHBA si dhe një sërë dokumentesh të tjera. Bazuar në këto të dhëna prokuroria ka nisur hetimin e çështjes. Por edhe pse këto dy institucione shtetërore kanë nisur hetimet, AKBN ende nuk ka marrë asnjë masë ndaj kompanisë me pretendimin se nuk mund të vërtetojë nëse faturat janë apo jo të falsifikuara.
Dy nga studimet e naftës të paraqitura nga Phoenix Petroleum në AKBN si të bëra nga kompania Amerikane “BLACK SWAN ENERGY SERVICES” me qendër në Oklahoma City dyshohet se i janë vjedhur dy inxhinierëve të naftës Vllasi Janopulli dhe Vlash Laçka. Të dy këta persona janë kontaktuar nga Phoenix për të bërë studime në vendburimet e Divjakës dhe Ballaj-Kryevidhit.
Gjithashtu ata janë kontraktuar për të bërë edhe Planin e Zhvillimit të vendburimit të naftës Amonicë së bashku me Prof. Sotir Tego. Por për të tre këto studime (dy prej të cilëve figurojnë në listën e faturave të kompanisë amerikane “BLACK SWAN ENERGY SERVICES”0 kompania Phoenix Petroleum nuk ka paguar asnjë lek.
Zyrtarisht këto dy studime janë faturuara nga Phoenix Petroleum respektivisht me 296.000 dollarë amerikanë për Divjakën dhe 214.000 dollarë amerikanë për Ballaj-Kryevidh me një total 510.000 dollarë amerikanë.
Përmes një letre drejtuar pikërisht AKBN-së dy inxhinierët e sipërpërmendur pretendojnë se u janë vjedhur materialet. “Të angazhuar nga Kompania Phoenix Petroleum sh.a. punuam gjatë periudhës qershor-shtator 2014 për hartimin e dy studimeve: 1) studimin për “Perspektivën e zhvillimit të rezervave ekzistuese dhe të reja të gazit natyror në vendburimet e Divjakës dhe Ballaj-Kryevidhit dhe, 2) Planin e Zhvillimit të vendburimit të naftës Amonicë (së bashku me Prof. Sotir Tego).
Planin e zhvillimit të Amonicës, me sa jemi në dijeni e kini miratuar pa pjesëmarrjen tonë, ndonëse materiali i paraqitur ka edhe autorësinë tonë (!). Nuk kemi dijeni se çfarë materiali është paraqitur tek ju. Materiali nuk është firmosur nga ana jonë. Si kompania Albpetrol sh.a. ashtu edhe AKBN nuk mund të pranojnë një material pa autorësinë e specialistëve gjeologë të naftës, të cilëve iu përket studimi i modelit gjeologjik të rezervuarit dhe vlerësimi i kategorizuar i rezervave.
Për më tepër që puna e bërë në këtë studim nuk na u shpërblye fare. Kjo është e drejta jonë në cilësinë e autorëve:,- thuhet në letrën e dy inxhinierëve Vllasi Janopulli dhe Vlash Laçka. Madje ata as që janë paguar për punën e kryer.
Vetë inxhinierët shpjegojnë me detaje skemën mashtruese të përdorur nga kompania Phoenix Petroleum. “Për studimin mbi vendburimet e gazit natyror Divjakë-Ballaj-Kryevidh, jo vetëm që nuk u shpërblyem por, kur prisnim për ta printuar, materiali studimor na u vodh në zyrat e kompanisë, në kompjuterin ku punonim (instaluan programin Team Viewer) nga një specialist IT i dërguar nga drejtuesit e kompanisë për printerin. Për këtë veprim e akuzuam këtë specialist në moment”,- shpjegojnë dy inxhinierët në letrën e tyre.
“Prandaj, bazuar edhe në të drejtën e autorit dhe në ligjin për Pronësinë Intelektuale, kërkojmë që, nëse do të paraqitet materiali përfundimtar i Fazës së Vlerësimit të vendburimit Divjakë e Ballaj-Kryevidh, sipas marrëveshjeve, lutemi të na vini në dijeni që të ballafaqohemi me të.
Me respekt Vllasi Janopulli, Vlash Laçka”,- mbyllet letra e dy inxhinierëve të naftës të cilët kërkojnë me dëshpërim t’u njihet puna e bërë dhe të paguhen për mundin e tyre. Por kjo punë vështirë se do t’u njihet sepse kompania Phoenix Petroleum i ka faturuar këto dy studime si punë të kryer nga kompania amerikane “BLACK SWAN ENERGY SERVICES”.
Emaili që zbuloi skandalin
Skandali katër milionë dollarësh i kompanisë Phoenix Petroleum u zbulua nga Drejtoresha e Menaxhimit të kompanisë amerikane “BLACK SWAN ENERGY SERVICES” me qendër në Oklahoma City SHBA, zonja Eva Peza. Zonja në fjalë hyri në negociata me Phoenix Petroleum për kryerjen e shërbimeve, por pas nënshkrimit të kontratës pala shqiptare ndërpreu komunikimet. Studimet për të cilat u kontraktua kompania amerikane nuk u kryen dhe kompania nuk u pagua, por ndërkohë në Shqipëri, me fatura false, rezulton një shërbim prej rreth 1.3 milionë dollarësh.
“Unë jam Eva Peza, Drejtoresha e Menaxhimit/CEO e “BLACK SWAN ENERGY SERVICES”, një kompani me qendër në Oklahoma dhe që merret me shërbime në fushën e energjisë. Ne ofrojmë interpretim të dhënash dhe studime të integruara të rezervuarëve për të optimizuar kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe të gazit; trajnime të ndryshme etj. Javën e kaluar unë mora një email nga institucionet shtetërore shqiptare ku më kërkohet që të konfirmoj nëse kanë marrë pagesën e tetë faturave të paraqitura nga kompania Phoenix Petroleum në vitin 2015. Unë dua të konfirmoj se “BLACK SWAN ENERGY SERVICES” nuk ka marrë asnjë nga këto pagesa dhe se firma ime në fatura është e falsifikuar. Unë nuk kam dorëzuar asnjë punë që të justifikojë këto fatura.
“BLACK SWAN ENERGY SERVICES” është kontaktuar nga Phoenix Petroleum që të nënshkruajmë një kontratë për studimin e 8 rezervuarëve. Gjithsesi, pas nënshkrimit të kontratës, përfaqësuesit e Phoenix Petroleum vendosën që të shtynin nisjen e projektit për në Janar 2016. Deri më këtë datë, 17 Maj 2016, projekti nuk ka filluar dhe unë nuk kanë kontaktuar më me Phoenix Petroleum”,- thuhet në emailin e zonjës Eva Peza. Por ndërkohë Phoenix ka dorëzuar në zyrtar e shtetit shqiptar kontratën dhe tetë faturat e falsifikuara duke përfituar plote 1 milionë e treqind mije dollarë amerikanë. Faturat janë dorëzuar në AKBN, institucion i cili përveçse i ka njohur Phoenix Petroleum shpenzimet, i ka liruara edhe garancinë bankare, të cilën duhet ta kishte përfituar shteti shqiptar për shkak se kompania nuk ka kryer asnjë investim.
“Ju lutem më thoni nëse ju nevojitet ndonjë material tjetër mbështetës që të konfirmojë pozicionin e “BLACK SWAN ENERGY SERVICES”. Nëse është nevojshme unë mund t’ju vendos në kontakt me avokatin dhe me financierin e kompanisë. Mbetem në pritje që ju të pranoni konfirmimin tim dhe të pastroni emrin e kompanisë tonë nga këto akuza”, përfundon emailin zonja Eva Peza.
Dyshimi, edhe garancia bankare e Phoenix është e falsifikuar
Skandali i falsifikimit të faturave me vlerë rreth 1.3 milionë dollarë nga kompania Phoenix Petroleum si dhe zhbllokimi i garancisë bankare nga AKBN thellohet edhe më shumë pas zbulimit të disa dokumenteve komprometuese. Jo vetëm që faturat 1.3 milionë dollarë rezultojnë të falsifikuara, por edhe Garancia Bankare e lëshuar nga “Union Bank” dyshohet se është falsifikuar nga Phoenix Petroleum.
Alarmi është vënë nga vetë Union Bank, e cila ka njoftuar Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko; Ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe Kreun e AKBN të asaj kohe Dael Dervishi. Skandali ka marrë përmasa kolosale dhe Union Bank ka bërë edhe kallëzim penal në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë për këtë ngjarje.
Sipas dokumenteve që disponon Dita (faximile bashkëngjitur) më datë 2 Nëntor 2015 Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore, Dael Dervishi, i drejtohet me një shkresë zyrtare Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton ngjarjen. “Në vijim të korrespondencës sonë me Union Bank mbi problematikën e krijuar me Garancitë Bankare të shoqërisë Phoenix Petrolem sh.a, AKBN me shkresën 9381 Prot, datë 16.10.2015, bën me dije mbi këto fakte Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë; Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhe Administratorin e shoqërisë Phoenix Petroleum sh.a, z. Naim Kasa.
Në vazhdimësi, Union Bank njofton se ka ndërmarrë hapin e mëtejshëm ligjor të paraqitjes së kallëzimit penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të Falsifikimit të nënshkrimeve, vulave dhe dokumenteve”,- thuhet në shkresën e firmosur nga Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore, Dael Dervishi, e cila i drejtohet kreut të Prokurorisë të Tiranës, Petrit Fusha.
Në letrën e saj AKBN shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me prokurorinë për sqarimin e mëtejshëm të situatës dhe duke i dërguar prokurorisë dokumentet e kërkuara prej saj. Prokuroria e Tiranës ka hetuar rastin në fjalë, por kjo nuk ka penguar Phoenix Petroleum të vijojë skemën e saj mashtruese pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë.
Dyshimet e prokurorisë janë se Phoenix ka falsifikuar dokumentet e garancisë bankare. Madje në këtë procedurë nuk janë përdorur as llogaritë bankare të kompanisë, por llogaria personale e shtetasit Isuf Berberi, një nga drejtuesit e Phoenix Petroleum. Llogaria e tij bankare është përdorur si “garanci” për Garancinë Bankare që duhet të kishte kompania, një fakt ky që tregon se vetë Phoenix Petroleum nuk disponon as burimet minimale financiare për të kryer zhvillimin e nëntë vendburimeve të naftës.
Dita
Diskutime rreth kësaj post