4 persona, janë pronarët e rreth 12 tonëve drogë, të sekuestruar në ish-depon e rezervave të shtetit në fshatin Pagri të Përmetit. ABC News ka mësuar se Prokuroria për Krime të Rënda, ka ngritur dyshime se kanabisi i sekuestruar në fshatin Pagri është i 4 personave të ndryshëm. Këto dyshime, kanë ardhur pasi në qeset dhe thasët e mbushur me hashash janë vendosur shenja me 4 ngjyra të ndryshme.
“Çdo qese dhe thes i mbushur me hashash, që peshonte nga 5 deri 35 kg, kishte nga një vijë në formën e shenjës të vendosur në ambalazhin e saj. Kjo shenjë, e vendosur në çdo qese e thasë ka ngjyrë të kuqe, blu, jeshile dhe të bardhë në formën e shkronjës dhe vijëzimit”– thanë hetuesit. Për këtë fakt, dyshohet se droga ishte e 4 personave të ndryshëm, dy prej të cilëve mendohet se janë identifikuar. Sipas prokurorisë, po punohet për të gjetur prova të mjaftueshme, që i lidh këta dy personat e identifikuar tashmë me drogën e bllokuar në Pagri të Përmetit. Burimet thonë se dy personat e identifikuar, janë me origjinë nga zona e Përmetit dhe Tepelenës por me banim në Tiranë ku kanë edhe aktivitetet të ndryshme tregtare.
Sipas akuzës, për hetimin e kësaj dosje janë angazhuar dy prokurorë të krimeve të rënda të cilët veç kultivuesve të drogës, po hetojnë edhe disa zyrtarë të policisë së Gjirokastrës dhe Përmetit. Të cilët, dyshohet se nuk kanë ushtruar kontrollin e duhur në këto zona, pavarësisht se nga fillimi i vitit ishte miratuar plani kombëtar për kontrollin e territorit, që të parandalohet kultivimi i kanabisit. Burimet thonë, se ekzistojnë dyshime se disa efektivë të policisë edhe pranë Ministrisë së Brendshme, ishin vënë në dijeni për drogën e mbledhur nga e zona e Tepelenës dhe Përmetit në depon e ish-rezervave të shtetit në fshatin Pagri të Përmetit. Por, pavarësisht informacionit që dispononin, reagimi i policisë është bërë vetëm në fillim të muajt prill. Këto dyshime janë ngritur edhe pas marrjes së dëshmisë së 4 të arrestuarve, banorë të fshatit Pagri të cilët kanë konfirmuar se që nga fillimi i muajt janar 2017 pranë depos nuk janë lejuar banorët të afrohen. Aty, kanë thënë të arrestuarit, vinin makina të ndryshme me personat që ishin të armatosur dhe që nuk ishin të zonës apo banorë të fshatit. Pas sekuestrimin e kësaj sasie të madhe droge, Policia e Shtetit ka përjashtuar disa efektivë nga radhët e saj dhe disa zyrtarë të lartë janë proceduar me masa disiplinore.
Diskutime rreth kësaj post