Zbardhet kallëzimi penal i anëtarëve të Grupit Parlamentar të PD në komisionin hetimor për marrëveshjen midis Shqipërisë dhe CEZ A. S.
Anëtarët e komisionit e kanë dorëzuar kallëzimin penal më datë 18 prill 2017. Janë kallëzuar penalisht për dëm financiar 650-800 milion euro, kryeministri Edi Rama, ministrat Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj dhe Shkëlqim Cani. Janë kallëzuar edhe Avokatja e Shtetit, Alma Hicka; Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaçi, dhe grupi negociator.
Anëtarët e komisionit i janë drejtuar kryeprokurorit Adriatik Llalla, me shkresë zyrtare për të filluar procedimin penal. Anëtarët e komisionit hetimor kanë kërkuar realizimin e hetimeve me një grup prokurorësh të specializuar, në bashkëpunim me organe ligjzbatuese apo ekspertë ndërkombëtar.
Kryeministri Rama, ministrat Gjiknuri, Ahmetaj, Cani, Avokatja e Shtetit, Alma Hicka, Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaçi dhe grupi negociator akuzohen për shpërdorim detyre.
Nga analiza e plotë e dokumentacionit të siguruar nga komisioni hetimor rezulton se jemi përpara veprimeve dhe mosveprimeve, në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.
Grupi i punës ka marrë përsipër detyrime që nuk provohen se ekzistojnë për shtetin shqiptar, apo të heq dorë nga detyrime të dokumentuara që CEZ A.S. i kanë shtetit shqiptar.
Autoritetet publike nuk mund të veprojnë në tejkalim të kufijve që i vendos legjislacioni shqiptar, dhe as nuk mund të falin/heqin dorë, në emër të shtetit shqiptar, nga detyrime financiare që të tretet i kanë organeve publike apo të marrin përsipër të paguajnë në emër të shtetit detyrime që nuk ekzistojnë.
Nga analiza e plotë e dokumentacionit të administruar nga komisioni hetimor, rezulton se procesi i “negociatave”, defacto është shndërruar nga pala shqiptare në proces të dëmtimit me dashje të interesit publik.
Komisioni hetimor ka konstatuar se nuk është realizuar një procesi ligjor negocimi, por një “pazari” i qëllimshëm dhe i paligjshëm, që ka dëmtuar rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme interesat e ligjshme të shtetit shqiptar.
Nga hetimi i komisionit rezulton se janë evidentuar fakte dhe prova të reja, të pa verifikuara dhe të pa hetuara nga organi i prokurorisë, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë qartësisht se jemi përpara rastit klasik të shpërdorimit të detyrës.
Falja e të paktën 650-800 milionë euro dhe dhënia e rreth 95 milionë euro të tjera shoqërisë CEZ A.S., është një akt antikushtetues dhe antiligjor.
Kallëzimi shoqërohet me 53 prova që dëshmojnë abuzimin me detyrën.
Qeveria ka shpërfillur analizën tekniko-financiare të ekspertëve ndërkombëtar dhe këshillimin e avokatit ndërkombëtar të Shqipërisë. Prokuroria ka regjistruar kallëzimin dhe ka kërkuar nga kuvendi dokumentacionin e komisionit dhe procesverbalet e pyetjes së dëshmitarëve./
Diskutime rreth kësaj post