Prej tetorit të vitit 2016 në kryqëzimet e zonës qendrore të kryeqytetit nisën të vendosen kioska të reja, për të cilat ende nuk është dhënë asnjë informacion publik.
Klaudja Karabolli dhe Fatjon Baze
“Bashkia na dërgoi shkresë për heqjen e kioskës. Pritëm dy ditë me ankth, ndërsa të tretën ndodhi e keqja. Në mëngjes pamë dy kioska të reja ngjitur me ne.”
Irgen Gashi, 45-vjeçari, i cili prej 26 vitesh arrin të sigurojë të ardhura për familjen e tij përmes shitjes së produkteve që konsumohen nga kalimtarët, është tepër i shqetësuar nga fakti se Bashkia e Tiranës po shton kioskat në kryeqytet.
Luçie Elezi, punonjësja 50-vjeçare e një kafeneje të vogël në hyrje të rrugës së Kavajës, është në alarm të plotë.
“Tani me kioskat e reja puna ka rënë shumë, lokalet dhe kioskat janë ngjitur me njëra-tjetrën. Ujin që mund ta blejnë në lokal, qytetarët e marrin në kioskën e vendosur para derës sonë”, – tha ajo për PSE.
Nisma e bashkisë për vendosjen e kioskave të reja përveç tregtarëve ka shqetësuar edhe qytetarët, të cilët në pjesën më të madhe i shohin ato të padobishme dhe zaptuese të atyre pak hapësirave publike në Tiranë.
“Kam 20 vite që e blej gazetën në këtë kioskën këtu te Libri Universitar, para një muaji janë vendosur dy kioska të reja, shesin edhe gazeta. Unë nuk e kuptoj, pse na e zënë trotuarin me kioska që ofrojnë të njëjtat gjëra”, – tha një pensionist 60-vjeçar për PSE që nuk do të identifikohet.
Gjithçka nisi në muajin tetor të vitit të kaluar, kur në kryqëzimet kryesore të Tiranës u panë të vendosura kioska të reja, ndërkohë asnjë njoftim publik nuk ishte bërë nga bashkia për të argumentuar nevojën e tyre dhe përfitimin e qytetarëve nga kjo iniciativë.
Sot, kur kanë kaluar shtatë muaj dhe rreth 100 kioska të reja janë vendosur në zonën qendrore të Tiranës, bashkia nuk jep asnjë informacion, përsa i përket pasjes ose jo të një studimi për nevojën e tyre në kryeqytet.
Po kështu, Bashkia e Tiranës nuk bën publik asnjë plan, përsa i përket numrit të kioskave që do të vendosen në kryeqytet dhe kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në hapësirat publike.
PSE iu drejtua në fillimin e muajit shkurt përmes një kërkese bazuar mbi ligjin e të Drejtës së Informimit Bashkisë së Tiranës për t`i kërkuar një kopje të studimit, planit dhe kontratës për këtë vendimmarrje.
Bashkisë së Tiranës iu kërkua informacion edhe si është gjykuar ekspertiza e kompanive, të cilat kanë marrë të drejtën e vendosjes së kioskave në kryeqytet.
Bashkia nuk iu përgjigj kërkesës brenda 10 ditëve – afat i përcaktuar në ligj – dhe po kështu nuk iu përgjigj as kërkesës së komisionerit të së Drejtës së Informimit në muajin prill për ta bërë publik këtë informacion.
Të gjithë të pakënaqur
Vendosja e kioskave të reja në Tiranë ka krijuar jo pak shqetësim te qytetarët, të cilët i shohin si zaptim të hapësirave publike, të cilat gjatë 26 viteve të fundit kanë ardhur duke u ngushtuar.
Shtimi i kioskave në Tiranë dhe vendosja e rreth katër prej tyre në çdo kryqëzim të rëndësishëm sjell në kujtesë kohën kur kryeqyteti ishte kthyer në strehën e qindra kioskave të paligjshme, situatë e cila kulmoi në vitin 1998.
Të gjendur përpara një kioskizimi të pandalshëm të Tiranës në vitin 1999 nisi shkatërrimi i tyre, proces i cili mori hov gjatë vitit 2000, kur kryeqyteti drejtohej nga kryeministri Edi Rama.
Ekspertët e urbanistikës e shohin gjithashtu me shqetësim rikthimin e kioskave. Urbanisti Flamur Kuçi tha për PSE se nuk ka asnjë argument pozitiv për vendosjen e tyre, në një kohë kur problematika që ato shkaktojnë në qytet është e madhe.
“Unë nuk e di çfarë interesi publik kanë kioskat dhe mbi çfarë bazash ligjore e ofron bashkia këtë shërbim. Kioskat janë vendosur jashtë çdo standardi urbanistik, pasi nuk krijojnë siguri, bllokojnë hapësirat publike, trotuaret dhe qytetarët shpesh ecin në rrugë dhe ato bëhen burim aksidenti”, – shpjegoi ai.
Shumë pyetje pa përgjigje për nevojën e kioskave në Tiranë kanë edhe tregtarët, të cilët prej vitesh kanë shitur në kioska, dyqane apo supermarkete produkte që iu vijnë në ndihmë kalimtarëve – si ujë, paketa, shami letre, gazeta e patatina – dhe sot kanë përpara tyre një kioskë të re që ofron të njëjtat produkte.
A. Shutina, pronare e një dyqani të vogël në rrugën “Perlat Rexhepi”, i tha PSE se kioska e vendosur 10 metra përpara dyqanit të saj po i falimenton.
“Kioska e re ka dy muaj që është vendosur para dyqanit tim. Unë punoj këtu me tim shoq dhe me këtë biznes mbajmë familjen. Fitimi ka rënë ndjeshëm. Qytetarët tani blejnë te kioska te kryqëzimi”, – tregoi ajo.
Irgen Gashi thotë se nuk asnjë logjikë që ngjitur me kioskën e tij me leje prej më shumë se dy dekadash të vendoset një e re, e cila shet ekzaktësisht të njëjtat produkte.
“Ne jemi dy bashkëpronarë në këtë kioskë që shesim gazeta, ujë, pije freskuese, cigare dhe të tjera produkte të konsumit të shpejtë. Kioskat e reja ofrojnë të njëjtat produkte me ne. Po falimentojmë dhe nuk kemi ku të ankohemi”, – tha ai.
Vendimi për kioskat, jotransparent
PSE e pati të pamundur të marrë një argument, studim apo plan përsa i përket vendosjes së kioskave në Tiranë, pasi ia kërkoi këtë zyrës së Shtypit në Bashkinë e Tiranës, kryetarit të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, sipas kërkesës së hartuar mbi bazën e ligjit për të Drejtën e Informimit.
Informacion për kioskat nuk gjendet as në faqen zyrtare të bashkisë. Po kështu, në Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës parashikohen 13 projekte strategjike, por në asnjë pikë nuk përmendet asnjë plan për kioskat.
Por, ky informacion nuk i është përcjellë as përfaqësuesve të opozitës në këtë këshill. Kryetari i këshilltarëve bashkiakë të opozitës, Nard Olli, i tha PSE se ata tashmë i ishin drejtuar gjykatës për të ditur planin e bashkisë në lidhje me këtë vendimmarrje. Olli shtoi se nuk kanë asnjë informacion për projektin e kioskave të reja, numrin apo qëllimin e vendosjes së tyre.
“Kryetari i bashkisë është i detyruar me ligj për të informuar anëtarët e opozitës, por nuk e ka bërë një gjë të tillë, për këtë arsye i kemi hedhur në gjyq dhe çështja është në shqyrtim”, – tha ai.
Ai tregon se vendimi nuk ka kaluar kurrë në Këshillin Bashkiak, por është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
Në xhamat e kioskave të reja në Tiranë vërehet se licencat e tyre janë nën emrat e dy kompanive, MPM Multi Parking Managment dhe K/E Shop.
Në regjistrin kombëtar të kompanive, MPM Multi Parking Managment rezulton e themeluar në vitin 2015 me aktivitet menaxhim parkimi, gomisteri, lavazh, aktivitet i shitjes me pakicë, dhënie me qira dhe shitje e pasurive të paluajtshme.
Për të marrë informacion në lidhje me planin për vendosjen e kioskave, PSE provoi të kontaktojë administratorin e kompanisë, Dariel Duka, në numrin e publikuar në ekstraktin e veprimtarisë së kompanisë, por nuk mori asnjë përgjigje.
Ndërkaq, në regjistrin kombëtar, K/E Shop është një kompani, e cila është themeluar në shkurt të vitit 2017 me administrator Ervin Zenelin.
Kjo kompani deklaron si aktivitet të saj tregtinë me pakicë të artikujve të ndryshëm dhe jep si adresë vendndodhjet e kioskave që disponon në Tiranë.
Zeneli gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesës së PSE për të detajuar sipërmarrjen e tij me kioskat në Tiranë.
Në disa vende të Europës kioskat në mënyrë të limituar janë përdorur nga qeveritë lokale si një ndihmë sociale për familjet e varfra dhe janë lënë në administrimin e tyre, ndërkaq duket se kjo nuk ka ndodhur me kioskat e reja në Tiranë.
Disa nga shitësit në këto kioska i thanë PSE në kushtet e anonimatit se ishin të punësuar në to nga kompanitë të cilat i administronin.
Situata bëhet edhe më e pakuptimitë, kur shumë nga kioskat e vendosura qëndrojnë të mbyllura prej muajsh dhe shtojnë akoma më shumë pyetjet se pse vendosja e tyre u konsiderua e nevojshme.
Diskutime rreth kësaj post