Nga Mero Baze
Qëndrimi i prerë i qeverisë së kancelares Merkel ndaj krizës politike në Shqipëri, identifikoi partitë dhe individët që kanë investuar në këtë krizë artificiale me gënjeshtrat e tyre. Duke shkuar drejt së vërtetës, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, natyrisht ka çmontuar disa prej miteve fallco të instaluara për krizën në Shqipëri.
Ai identifikoi shkakun real të kësaj krize, që është frika nga reforma në drejtësi. Për këtë arsye, ai i bëri thirrje opozitës të shkojë në Kuvend dhe të miratojë strukturën e Veting-ut, për të dëshmuar të kundërtën.
Reagimi i opozitës dhe i aleatëve të saj në këtë pikë, është ai që pritej. Opozita refuzon ta votojë strukturën e Veting-ut dhe është hedhur në sulm ndaj qeverisë gjermane, sikur të kishin shpallur pushtimin e Shqipërisë, edhe pse shumica e këtyre nuk janë as bijë partizanësh. Të gjithë flasin për vendime që duhet t’i marrin shqiptarët, të tjerë hajvanë për deklarata të gabuara që do t’i kushtojnë karrierën Gabriel, dhe më të dëshpëruarit flasin për deklarata të njëanshme.
Në këtë betejë gënjeshtrash kundër reformës në drejtësi dhe përpjekjeve për të justifikuar me gënjeshtra, bojkotin e zgjedhjeve, e vërteta natyrisht që është palë më vete dhe nuk ka të bëjë me arbitrimin e gënjeshtrave. Qeveria gjermane duke folur për të vërtetën, natyrisht që është e njëanshme, pasi nuk mund të jetë palë me disa mashtrues që po tentojnë të fusin Shqipërinë në luftë civile për hallet e tyre.
Duke i dhënë mbështetje zgjedhjeve të lira më 18 qershor dhe me këtë qeveri, qeveria e kancelares Merkel, ka respektuar sistemin demokratik që kemi zgjedhur dhe rregullat e përbashkëta të lojës. Të gjithë ata që kanë menduar se do t’i bëjnë shantazh qeverisë me aleanca fluide dhe do ta detyrojnë atë ta tërheqin zvarrë, duke përdorur zgjedhjet, tashmë kanë një betejë të humbur me faktorin perëndimor rreth dëmit që mund t’i sjellin procesit zgjedhor.
Ti kërkosh qeverisë gjermane të jetë e paanshme ndaj gënjeshtrave, është sikur t’i kërkosh asaj të jetë mashtruese dhe të justifikojë destabilizimin e vendit. Guximi për t’i kërkuar qeverive perëndimore të jenë të paanshme në këtë krizë, është kërkesë për ta lënë Shqipërinë në dorë të një grupi njerëzish ordinerë, që bëjnë plane në darkë, se si do fitojnë zgjedhjet në tavolinë dhe mërziten në mëngjes, kur shikojnë se llogaritë nuk dalin.
E vërteta nuk mund të jetë kurrë e të dy palëve, kur njëra gënjen hapur. E vërteta merr pozicion, aty ku gënjeshtra tenton të bëjë ligjin.
Dhe ministri i Jashtëm gjerman ka bërë thjesht detyrën për të thënë të vërtetën.
Sulmi i aleatëve të Bashës dhe vetë drejtuesve të Partisë Demokratike ndaj tij, është çështje standarti, se ku është katandisur Partia Demokratike. Por nga ana tjetër, duket se ai ka prekur gjithë palët e përfshira në këto gënjeshtra.
Duke demontuar disa prej miteve fallco të instaluara për krizën në Shqipëri, ministri i Jashtëm gjerman, ka demontuar dhe koalicionet e pamoralshme të këtyre zgjedhjeve. Koalicionet reale të këtyre zgjedhjeve, janë ato që reagojnë njësoj ndaj deklaratave të tij. Të mërziturit prej tij, janë bashkë dhe duhet të jenë bashkë edhe në zgjedhje, dhe të kënaqurit prej tij duhet të jenë bashkë. Këto janë zgjedhje që vendosin për orientimin perëndimor të Shqipërisë, dhe qëndrimet ndaj tij, duhet të ndajnë dhe bashkojnë partitë në koalicionet e nesërme.
Në këto zgjedhje realisht ka tre palë. Janë blloku i partive aleate të qeverisë Rama, blloku opozitar, i cili është në aleancë të qartë politike me LSI, sa i përket qëndrimit ndaj zgjedhjeve, dhe blloku i partive të pavarura prej tyre, siç janë Blushi, Topi, Bojaxhiu etj.
Nëse këto zgjedhje duhet të jenë mes të tjerash të ndershme, dhe rreshtimet politike duhet të jenë të tilla. Partitë e reja nuk kanë pse marrin mëkatet e partive të vjetra. LSI po ashtu nuk ka asnjë arsye të diskutojë a duhet të dalë me PS apo jo, pasi siç ka thënë dhe vetë, rëndësi ka të bëhen zgjedhje.
Duke krijuar sa më shumë shanse për të votuar kundërshtarët e Edi Ramës, ne do të kemi mundësi t’u japim shansin demokratëve të dalin në zgjedhje dhe të mund të votojnë për parti që nuk janë me Edi Ramën. Për këtë Edi Rama është mirë të dalë i vetëm në zgjedhje, nëse PD nuk regjistrohet për 18 qershorin. Kjo do t’u japë shans demokratëve të bojkotojnë hallet e Lulzim Bashës e Sali Berishës dhe të votojnë për parti të tjera që mund të jenë opozita apo pushteti i nesërm. Duke i dhënë sa më shumë ngjyra fushatës zgjedhore, me bllokun e qeverisë, të pavarurit dhe LSI, pa PD, Shqipëria mund të kapërcejë boshllëkun artificial që po tenton të krijojë opozita dhe të prodhojë një parlament përfaqësues. Ky është rasti kur Edi Rama duhet të zhvillojë zgjedhje laboratorike, larg çdo shenje dobësie për të fortë me muskuj, apo kapobanda malësorësh, që tentojnë të diktojnë të ardhmen e listave. Vetëm standarti i lartë i zgjedhjeve, cilësia e lartë e kandidatëve dhe garancia se ato do jenë të lira, është beteja e vërtetë kundër gënjeshtrave të Lulzim Bashës. E kundërta, është çertifikimim i gënjeshtrave të tij. TemA
Diskutime rreth kësaj post