Gjendet një breshkë e ngordhur në Lagunën e Vilunit, në lindje të të plazhit të Velipojës. Breshka e llojit Chelonia mydas është gjetur nga inxhinieri i akuakulturës Besart Halilaj në bregun e detit, në fshatin Rrjoll.
Fshati Rrjoll bën pjesë në Njësinë Administrative Velipojë, Bashkia Shkodër, e njëkohësisht në Zonën e Mbrojtur të kategorisë V të IUCN Peisazh Ujor Tokësor i Mbrojtur Lumi Buna-Velipojë, me sipërfaqe 23.027 hektarë.
Duke folur për gazetën VIJA, Halilaj tha se breshka me peshë rreth 40 kg, është 90 cm e gjatë dhe 55 cm e gjerë, ndrësa gjatësia e zhguallit është 67 cm. Mendoj se është e moshës mesatare, duke gjykuar nga përmasat dhe pesha, – tha ai. Sipas Halilajt, breshka ka rreth 10 ditë në breg dhe ka nisur të dekompozohet, ndërsa shkaqet e mundshme të ngordhjes janë: ngatërrimi në rrjetat e peshkatarëve ose përplasja me mjetet lundruese. Mirëpo peshkatarët e zonës nuk kanë dijeni për ekzistencën e breshkës së ngordhur në këta brigje.
Breshka e gjelbërt e detit (Chelonia mydas), njohur ndryshe edhe me emrat breshka e zezë e detit ose breshka e gjelbër e Paqësorit, është një zvarranik i madh uji i familjes Cheloniidae. Ajo jeton në thuejse të gjithë hapësirën detare të globit, sidomos në Atlantik dhe në Paqësor, por edhe në Oqeanin Indian. Karakteristikë e saj është zhgualli në formën e pikës së lotit, ndërsa trupin e kanë të shtypur. Pesha e një individi të rritur me gjatësi deri në 1.5 m shkon deri në 190 kg, ndërsa vetëm zhgualli mund të shkojë deri në 112 cm.
Dy janë kërcënimet kryesore të jetës së kësaj specieje: të qëllimshmet – gjuetia e paligjshme dhe marrja e vezëve; të paqëllimshme – përplasja nga mjetet e lundrimit dhe ngecja në rrjetat e peshkimit. Kërcënime jo më të vogla janë edhe ndotja kimike e cila u shkakton tumore vdekjeprurëse, si dhe shkatërrimi i habitateve.
Për këto arsye, sikurse shumica e llojeve detare, edhe breshka e gjelbërt e detit është regjistruar në listën e specieve të rrezikuara të IUCN.
Diskutime rreth kësaj post