Në të gjitha kishat e vendit ku u zhvilluan ceremonitë e shenjta të Pashkëve, policia vendosi siguri shtesë. Policia e rendit ruajti të shtunën në mesnatë dhe këtë të dielë objektet e kultit.
Ndërsa në qendrat më të rëndësishme, në Kishën Katedrale të Shën Palit në Tiranë dhe Kishën “Ringjallja e Krishtit” apo edhe kishat evangjeliste e protestante, sigurinë e morën në dorë repartet e RENEA-s dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.
Këto masa u morën pas paralajmërimit të Ambasadës Amerikane në Tirane dhe asaj në Kosovë, të cilat njoftonin qytetarët amerikanë që të kinin kujdes gjatë grumbullimeve me rastin e Pashkëve, pasi ka dyshime që mund të kryhen akte terroriste. Në Kosovë u mblodh edhe Këshilli i Sigurisë e policia dhe vendosën masa të shtuara sigurie në kishat katolike shqiptare dhe kishat ortodokse serbe, ndërsa një i ri i dyshuar për lidhje terroriste, u arrestua.
Në asnjë kishë në vend nuk pati probleme dhe, sipas drejtuesve të policisë, nuk ka patur informacione konkrete për akte terroriste dhe nuk ka vend për panik, por masat janë marrë maksimalisht për të garantuar plotësisht rendin dhe qetësinë gjatë festimeve të Pashkës.
Diskutime rreth kësaj post