Standardet e kreditimit të biznesit të madh në vend u shtrënguan në tremujorin e parë të vitit, por sipas Bankës së Shqipërisë, lehtësira ka pasur në segmentin e biznesit të vogël dhe për individët.
Në raportin mbi rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues Banka Qendrore shpjegon se faktorët kryesore që ndikuan në shtrëngimin e standardeve për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten ato që lidhen me problemet specifike të sektorit, kreditë me probleme, perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike dhe mjaftueshmëria e kapitalit.
Politika shtrënguese e bankave ndaj kredive për biznese u zbatua kryesisht, nëpërmjet rritjes se kërkesave për kolateral dhe disi më pak nga kufizimi i madhësisë së kredisë. Tendeca e shtrëngimit të standardeve pritet të vazhdojë edhe për tremujorin e dytë të vitit.
Për individët, standardet e kreditimit janë lehtësuar si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për kredinë për blerje banese, por lehtësimi ka qenë më i theksuar në segmentin e parë.
Konkurrenca në tregun bankar dhe niveli i likuiditetit të bankave janë faktorë që kanë ndikuar në kahun lehtësues të standardeve të kredisë dhënë individëve.
Kërkesa për kredi në tremujorin e parë të vitit 2017 u raportua në rritje si për bizneset, ashtu edhe për individët. Individët kanë rritur kërkesën për kredi konsumatore, ndërsa ajo për blerje banese ka shfaqur tkurrje. Për sa i takon kërkesës së bizneseve, ajo ka shfaqur një zgjerim të lehtë, kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Diskutime rreth kësaj post