“Ka mjaft vende në Tiranë të cilat nuk i vizitoj më, sepse dua t’i ruaj në kujtesë ashtu si ishin në fëmijërinë time, kur shëtisja për dore me babain”.
Me këto fjalë e nisi rrëfimin për Tiranën si qytetin e tij të shkatërruar shkrimtari dhe gazetari Fatos Lubonja, gjatë forumit për “Të drejtën mbi qytetin” të mbajtur sot në Shkodër nga organizata GO2.
Duke thirrur në ndihmë përvojat e vendeve të tjera të botës për ruajtjen e qendrave të qyteteve, të shkruara me dhembshuri nga emra të njohur, si: Marc Chagall, Pier Paolo Pasolini, Rem Koolhas, Imre Kertész etj., Lubonja solli kujtimet e tij për dimensionin e humbur human të Tiranës, humbje për të cilën ai akuzoi pushtetet. Pushteti e përdor qytetin në shërbim të ideologjisë së vet, – tha ai, – ndërsa qytetarin e kthen në një krijesë të papërgjegjshme dhe të pambrojtur si fëmija. Diktatura e bën njeriun fëmijë.
Tiranën e vjetër të stilit otoman, pushteti i Zogut e shndërroi në funksion të pretendimeve properëndimore, duke projektuar jo vetëm kompleksin e ministrive, por duke ndërhyrë deri edhe në çatinë e Kullës së Sahatit, forma harkore e së cilës e ndikuar nga arkitektura lindore, u zevëndësua me formë konike për t’i ngjasuar kullave të qyteteve italiane, – tha Lubonja. Për gazetarin Fatos Lubonja, arkitektura fashiste e kompleksit të sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë ishte megjithatë, një ansambël që u ruajt nga diktatura komuniste që sundoi për 50 vjet në Shqipëri.
Duke vazhduar rrëfimin për diktaturën, Lubonja tha se bashkë me shembjen e Pazarit të Vjetër të Tiranës për ndërtimin e Pallatit të Kulturës, u shua përgjithmonë pjesa më vitale e kryeqytetit dhe e memories njerëzore të shumë brezave. Kjo memorie ka vdekur përgjithmonë, e ajo nuk mund të trashëgohet, – tha Fatos Lubonja i ftuar në forumin e dytë të ciklit prej tetë forumesh për “Të drejtën mbi qytetin”, të organizuar nga GO2.
Megjithatë, qëndrimin më kritik gazetari Fatos Lubonja e kishte ndaj qeverive të tranzicionit në Shqipëri, të cilat sipas tij, e rrënuan çdo gjurmë të shtresëzimit historik të qyteteve shqiptare, e sidomos të Tiranës. Për të argumentuar këtë qëndrim, Lubonja solli shumë shembuj, ndër më të fundit edhe shembjen e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, për çka bëri përgjegjës kryeministrin.
Ne nuk kemi ministre kulture, sepse Edi Rama është mbi gjithçka, – tha ai.
Mirëpo sipas Fatos Lubonjës, profesionistët janë përgjegjësit kryesorë të masakrës urbane që vazhdon prej 25 vitesh në Shqipëri. Arkitektët i shkatërruan qytetet tona, – tha ai. Profesionistët dhe ekspertët u shitën te pushteti. Asnjëri prej tyre nuk ka asnjë vepër arkitekture për të cilën krenohet gjatë këtyre 27 viteve të tranzicionit, – theksoi Lubonja. Ata kanë frikë të vënë emrin e tyre.
Cikli prej 8 forumesh për “Të drejtën mbi qytetin” organizohet nga GO2 dhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, ku çdo të Shtunë, arkitektë, planifikues urbanë, politikbërës, shkrimtarë, sociologë, gazetarë e filozofë ligjërojnë për 8 qytetet ballkanike të përzgjedhura në këtë nismë. Java e parë u hap me arkitekten malazeze Aleksanda Kapitenovic nga Kotori, e përveç Fatos Lubonjës që sot foli për Tiranën, javët e ardhshme pritet ardhja në Shkodër e disa emrave të njohur nga rajoni i Ballkanit. Kështu, nga Prishtina do të ligjërojë planifikuesja urbane dhe njëherësh artistja e njohur Eliza Hoxha, nga Prizreni do jetë përfaqësuesi i organizatës “Ec ma ndryshe” Hajrullah Çeku, nga Beogradi profesori i arkitekturës Ivan Kucina, ndërsa filozofi Artan Sadiku do të flasë për Shkupin. Për Shkodrën do të flasë arkitekti i mirënjohur, njëherësh zv/ministër i Kulturës Zef Çuni, ndërsa nga Mostari është arkitektja Senada Demirovic. Po ashtu, organizatorët po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes në këtë cikël forumesh të veçantisë së qytetit të ndarë të Mitrovicës përmes kontributit të gazetarit të njohur Nexhmedin Spahiu.
Diskutime rreth kësaj post