Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, e konsideron si të pabazë teorinë konspirative, sipas të cilës, shërbime të huaja janë investuar për vrasjen e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, me qëllim destabilizimin e Shqipërisë.
Gjatë një prononcimi për Shqiptarja.com, Haxhia mendon se njeriu më i interesuar për eliminimin fizik të Lulzim Bashës është ish-kryeministri Sali Berisha.
Haxhia thotë se Sali Berisha ëndërron një skenar si ai i 14 Shtatorit 1998, por sipas tij ngjarje të tillë nuk mund të përsëriten më.
“Për sa i përket lajmit në lidhje me një atentat të mundshëm ndaj Bashës, unë mendoj se është kryekëput një skenar i ndërtuar keq nga brenda çadrës.
Nuk e di se kujt nga “fuqitë e huaja” i intereson një eliminim i Bashës, por mund të them me garanci se, njeriu më i interesuar për eliminimin e tij, është Berisha.
Por, për fatin e keq të Berishës dhe fatin e mirë të Bashës, skenari i 12 e 14 shtatorit 1998 nuk mund të përsëritet më, sado që ëndërrohet nga Berisha.
Shqiptarët nuk mund të përtypin më skenarë vrasjesh e pritash të skicuara e zbatuara nga e njëjta dorë kriminale, ajo e Berishës”, tha Haxhia.
Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, konstatoi se, për ndërtimin e këtij skenari, Berisha ka angazhuar disa institucione, duke iu referuar këtu Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Presidencës.
“Sado që këto skenarë të për vrasje të na i servirin gazetarë mercenarë të tipit Fevziu apo institucione që janë pjesë e këtyre skenarëve, duke u bërë propaganduese të tyre, unë jam i bindur dhe besoj se asnjë shqiptar nuk do të ngrejë armën kundër një shqiptari tjetër për shkak të bindjeve politike apo për hir të interesave kriminale të asnjë politikani.
Ato kohë sado që të mundohet t’i ringjallë Berisha me klanin e tij kriminal, kanë marrë fund”, pohon Haxhia.
Izet Haxhia ka komentuar edhe paralajmërimet e Partisë Demokratike për bllokimin e zgjedhjeve në Kavajë. Ish-truproja e Berishës thotë se nisur nga spiralja e dhunës që ka karakterizuar këtë tranzicion, në Kavajë mund të ketë përplasje.
“Duke pasur parasysh gjithë këtë kohë tranzicioni të pambarim që kemi kaluar që nga vitet ‘90 dhe spiralja e dhunës që ka karakterizuar këtë tranzicion, që kulmet i ka patur gjatë fushatave elektorale, edhe dhuna dhe përplasja e paralajmëruar në Kavajë nga PD është diçka e besueshme dhe mund të ndodhë.
Është për të ardhur keq se, partia e parë opozitare në vendin tonë, që si moto në fillimet e saj kishte demokracinë dhe votën lirë, luftën me mjete demokratike për mbrojtjen e votës dhe përdorimin e votës së lirë si e vetmja armë në demokraci, sot është kthyer pas një përvoje të gjatë në dhunimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve, në kërcënimin më të madh për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, e angazhuar totalisht në prishjen e tyre dhe marrjen e pushtetit me anë të dhunës e bllokimit të institucioneve demokratike”, tha Haxhia.
Izet Haxhia tha se Partia Demokratike është kthyer në një bandë, ku qëllimi i vetëm i saj është mbrojtja nga ndëshkimi i kupolës së saj kriminale me në krye familjen Berisha.
“PD sot duke tradhtuar aspiratat e mijëra demokratëve, është kthyer në një bandë ku qëllimi i vetëm i saj është mbrojtja nga ndëshkimi i kupolës së saj kriminale me në krye familjen Berisha.
Unë do t’u thosha të gjithë demokratëve të ndershëm e idealistë që mos u bëni pre e një loje të pandershme e antishqiptare që ka për qëllim që krizën dhe frikën nga drejtësia të kupolës kriminale të PD ta kthejë në përplasje me vëllezërit e tyre shqiptarë, që nuk i përkasin bindjeve të tyre politike”, pohoi Haxhia.
Diskutime rreth kësaj post