Nga Poli Hoxha
Që historia e një çifti jetëgjatë t`ia vlejë të shkruhet, duhet të ketë brenda shumë dashuri e urrejtje, të jenë krejtësisht të ndryshëm nga njëri tjetri, me interesa të përbashkëta e të kundërta, ndarje, ribashkime, plane e kurthe prapa shpine, lojë, shpërthime subkoshience, aleatë e tradhtarë, shigjeta plot helm dhe mbi të gjitha, një “detyrim përcaktim” që i detyron që pavarësisht të gjithave, të vazhdojnë e të vazhdojnë, të jenë bashkë.
Në Shqipërinë tonë të vogël, pak a shumë parametrat për të shkruar një histori të tillë i plotësojnë vetëm dy individë, mjaft të njohur për të gjithë. Janë ata që për dy dekada urrehen, por edhe “dashurohen” sa herë që duhet “për hir të botës”, ti buzëqeshin plot dashuri njëri tjetrit, por që njëkohësisht i kanë gjithmonë gati thikat prapa kurrizit të njëri tjetrit; Janë vetë Edi Rama dhe Ilir Meta…
Sot të gjithë shqiptarët e gjejnë veten të ngrirë përpara telenovelës së tyre, që kapërcen edhe imagjinatën e skenaristëve turq apo indianë; si do të zhvillohet seria e radhës? Do të ndahen apo ribashkohen edhe më fortë, pasi kanë thyer gjithë orenditë e shtëpisë dhe kanë përfunduar në tavolinën e një taverne, nën dritën pranverore të hënës, me verë e ushqim të mirë?!
Nëse ky “çift” do të ishte i krijuar mes një burri dhe gruaje normalë, sot ai do ti kishte fëmijët 20-vjeçar, do të ishte i sistemuar me shtëpi të bollshme në Tiranë, një tjetër buzë detit, e një a më shumë në katund. Edhe me llogari bankare, natyrisht, sepse i thonë 20 vite “punë” intensive.
Në fakt, ata i kanë të gjitha këto. Fëmijët janë veprat e përbashkëta që kanë bërë gjatë këtyre 20 viteve, ca të bukur e të zgjuar, ca mediokër, e të tjerë të shëmtuar e me zhvillim të vonuar.
Historia politike e këtij çifti është tipike, e dy njerëzve që nuk rreshtin së urryeri njëri tjetrin dhe nga ana tjetër, bëjnë gjithçka që për hir të fëmijëve të qëndrojnë bashkë.
Ajo nis që në fillim të viteve 90-të…
Pavarësisht se kanë treguar shumë histori për njëri tjetrin, madje njëri ka mbushur një kapitull të tërë, të të vetmit libër që ka botuar, Edi Rama dhe Ilir Meta kurrë nuk kanë rrëfyer momentet, çastin e njohjes së parë të tyre. Gjasat janë, që ashtu si ndodhte rëndom në Shqipërinë e atyre viteve, ata të jenë takuar në ndonjë lokal të preferuar të politikanëve dhe gazetarëve, ndoshta te kioskat e parkut, të cilat do të ishin edhe paja dhe kurbani i tyre i parë në martesën e gjatë plot humnera, kur njëri ishte kryetar i bashkisë së Tiranës dhe tjetri, kryeministër i vendit.
Takimi parë
Sido që të ketë qenë takimi i tyre i parë, atyre, kulturat, prejardhjet, mënyra e të veshurit, koncepti për botën dhe jetën u janë përplasur fortë. Një Ilir Metë që kishte gjetur veten në rehatinë e kostumit zyrtar, përball një Edi Rame, i veshur lara-lara sikur donte të tregonte se jeta dhe veçanërisht Tirana dhe Shqipëria, nuk është veçse një cirk gjigant. Biri i një oficeri parimor, me djalin e një artisti të përkëdhelur nga e gjithë piramida e diktaturës; një ekonomist me një grafist, një shtangist me një hobist. Gjithçka e kundërt dhe në përplasje të sigurt…përveç ambicies vullkanike për pushtet pakufi, të cilën njëri tashmë e kishte shfaqur dhe po e realizonte me shpejtësi në moshë fare të re, kurse tjetri edhe pse sapo e kishte treguar pak, e mbante ende të fshehur në thellësitë e veta.
Armiq, por bashkë
Por nëse momentet e prezantimit të këtij çifti janë ende mister, takimi i tyre i parë politik-zyrtar gjendet i regjistruar në një kronikë televizive të kohës. Nëse është e vështirë që të nxirren nga arkivat ato pamje, për foton e parë të çiftit është kujdesur vetë Edi Rama, që të jetë e gjallë, për këdo që hyn në ndërtesën e kryeministrisë së sotme. Ajo është varur në një vend të dukshëm, që të shihet nga çdo vizitor i selisë së qeverisë, pikërisht te shkallët që të çojnë te zyra e tij.
Kjo fotografi i tregon ata së bashku të lumtur, në tavolinën e parë të qeverisë Nano, në Prill të vitit 1998; Edi Rama si Ministër Kulture dhe Ilir Meta si Sekretar Shteti për punët e Jashtme. Të dy tashmë rishtarë si anëtarë qeverie atë ditë, ata nisën edhe historinë e tyre, si një çift që herë do të bashkëpunonte fortë, e më shumë duke u përleshur me ”thika” të helmëta për vendin e Nanos kryeministër, e sidomos për të marrë kontrollin e të majtës shqiptare.
Kjo përplasje ambiciesh, do të dominojë edhe rrugëtimin e çiftit për dy dekada, por do të lërë më së shumti shenja, në jetën jo vetëm politike të Shqipërisë. Jeta në çift nis pikërisht aty, e bekuar nga Fatos Nano; Betimi në aktin e “martesës” ishte; Bashkë deri në vdekje për interesat të përbashkëta, armiq deri në ferr për gjithçka tjetër!
Mjaltë dhe helm
Kjo ka qenë një periudhë e vështirë politike për vendin, veçanërisht për Partinë Socialiste (ngjarjet e vrasjes së Azem Hajdarit e arratisjes së Nanos, pas pushtimit të institucioneve). Por që shërbeu për të përcaktuar steriotipet e të dyve, që do ti ndiqnin deri sot. Rama, të cilit i vlonte përbrenda vullkani i ambicies për të ecur me shpejtësi drejt kreut të pushtetit, për ata që kanë informacion të dorës së parë për kulisat e asaj kohe, shfaqet herë servil i më të fuqishmëve në PS-së, e herë me thikën e helmit në dorë prapa skene, për ata që i shihte si pengesë.
Kurse Ilir Meta me ambicie tashmë ( që nga koha që Nano ishte në burgun e Bënçës) të shpallur, se luftonte për gjithçka, gjithsesi gjendej nën inercinë e prejardhjes pedante e korrekte të familjes e krahinës.
Shumë kohë më pas, ky i fundit, pasi kishte shëruar disa plagë të rënda të marra prapa shpine, do të kthjellohej për Edi Ramën e vërtetë. Vetëm atëherë dhe (natyrisht edhe sot), nis të luajë sipas rregullave makiaveliste të partnerit-armik.
Ngjarjet po zhvilloheshin me shpejtësi dhe Ilir Meta kap shumë shpejt, postin e zëvendës kryeministrit dhe pak kohë më vonë, atë të kryeministrit duke zëvendësuar Pandeli Majkon. Ky ka qenë ky momenti, kur Rama nis sërish jetën e përkëdhelive në çift, duke e shfaqur tani nënvlerësimin dhe përçmimin që kishte të ngulitur fort për Metën, vetëm për një rreth të ngushtë privat të tijin. Edhe këtë Ilir Meta do ta mësonte shumë kohë më pas, derisa edhe do ta lexonte “e zeza mbi të bardhë”, te manifesti i Ramës, “Kurbani”.
Kjo ka qenë edhe periudha e parë e mjaltit, mes çiftit të famshëm të Tiranës. Por kjo nuk do të vazhdonte gjatë. Kumbari i çiftit, nisi të xhelozojë dhe të besojë se gjithë kjo dashuri e madhe Rama-Meta kishte pasur dhe vazhdonte të kishte vetëm një qëllim; rrëzimin e tij nga qeveria më herët dhe më pas, edhe nga partia. Dhe nuk është se ishte pa gjë, kjo “paranojë” e Fatos Nanos. Duke ruajtur në xhep për një kohë më të vonë shpagimin ndaj Metës, ai e nisi hakmarrjen fillimisht kundrejt “thonj-paprerit”, që e kishte katapultuar nga katakombet e Parisit, direkt e në zyrën e ministrit të Kulturës.
Të gjithëve ju kujtohet greva e bujshme e artistëve të TOB, që nisi fillimisht kundër “shtrigës”, që ju kish vendosur në krye ministri ekscentrik i Kulturës dhe që u përshkallëzua me kërkesën që i bënë direkt Fatos Nanos si kryetar i PS-së, për “shporrjen” e Edi Ramës. Fatos Nano ja kërkoi me këmbëngulje Ilir Metës shkarkimin e Ramës. Ashtu siç e ka zakon edhe sot, kryeministri 31 vjeçar kërkoi kohë, të mendohej. Gjithsesi në fund, ai nuk e lëshoi Ramën. Me këtë lëvizje, jo vetëm ndryshoi thelbësisht të ardhmen që shohim sot të Ramës, por morri edhe për veten një risk të madh, duke bërë armik të hapur themeluesin dhe kryetarin e partisë.
‘Nëse synon majën, mos shih kokat mbi të cilat shkel’
Ky ishte kulmi i dashurisë, mes çiftit. Prova deri në rrezik vetësakrifikimi që dha Ilir Meta, e bëri Ramën që të lëshohej i gjithi në kraharorin e gjerë të skrapaliut, ish-shtangist. Por nuk ishte çdo gjë, ashtu si dukej. Përbrenda Rama vazhdonte të mbante dhe ushqente urrejtjen dhe përbuzjen ndaj shpëtimtarit, duke llogaritur kohën se kur do ta nxirrte thikën me helm.
Në këtë situatë mjalti, duke ledhatuar pa pushim Metën e plotfuqishëm dhe duke i gjetur anën edhe Nanos që i zgjaste inati deri te tryeza e radhës, u arrit konsensusi, që ta kandidonin dhe ta bënin kryetar të bashkisë së Tiranës, duke shumëzuar kështu me zero personalitete që prisnin në radhë, si Pandeli Majko dhe Ermelinda Meksi.
Kjo është varka e dytë që i ofroi Meta; këtë herë jo për ta shpëtuar nga mbytja, por për ti hapur rrugën për të mbërritur këtu ku është sot. Pas kësaj të gjithë e dimë që çifti, njëri i pari i vendit dhe tjetri i kryeqytetit, fluturonte në harmoni të plotë mes pushtetit absolut. Me ndihmën e Ilir Metës që ja vuri në dispozicion gjithë qeverinë, Rama u shndërrua shumë shpejt me transformimin e Tiranës, në një hero dhe idhull mbarëpopullor. Por pikërisht në kulm të shkëlqimit të yllit Rama, marrëdhëniet e çiftit nisin të krisen fortë. Dhe kjo vetëm për një arsye; shkëlqimi i fuqisë së pakufishme të Metës, po niste të zbehej.
Nano rishfaqet si Edmond Dantes dhe menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2001, kërkon “papritur” largimin e Ilir Metës nga posti i kryeministrit. Të gjithëve ju kujtohet KPD-ja e famshme. Edhe pse Meta e fitoi atë betejë të ashpër brenda llojit (Rama vazhdonte të ishte në krah të tij, sepse nuk kishte asnjë shenjë për atë që do pasonte), Nano nuk u tërhoq. Meta i lodhur, por edhe sepse si i ri në moshë që ishte, i dukej vetja i nginjur me çdo gjë që të jep pushteti, u dorëhoq, më 29 Janar të vitit 2002. Por ama, nuk u dorëzua.
Fatos Nano do ta merrte shumë shpejt kundërpërgjigjen, kur Meta me një grup tashmë të tijin të konsoliduar brenda PS-së bashkoi votat me Sali Berishën, duke shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi dhe emëruar Theodhori Sollakun.
Në këtë situatë kërleshjesh, nga e cila po përfitonte vetëm Sali Berisha në opozitë, (por siç u mësua më vonë, edhe Rama fërkonte duart), Meta dhe Nano vendosin të ulen dhe të hapin kartat. Kjo ndodhi në ishullin e Korfuzit, në Maj të vitit 2002. Pikërisht në këtë tavolinë të gjatë plot pije të mira, Fatos Nano nuk hapi vetëm kartat, por edhe barkun.
Ai i tregoi Ilir Metës, se vetëm pak ditë më parë miku dhe i dashuri i tij “besnik” Edi Rama, i kishte shkuar në spital në Athinë (pas aksidentit) me një tufë të madhe me lule në shenjë aleance dhe kokë-ulje, pa kushte. E kishte shitur. Se si është ndjerë Meta në këtë çast, imagjinojeni vetë, pasi kishte qenë pikërisht Rama një nga nxitësit kryesorë, për të thelluar konfliktin me Nanon që i kushtoi vendin e kryeministrit, pavarësisht se sot mburret, se e dorëzoi pa pishmanllëk.
Inati i skrapaliut që tradhtohet, shpërtheu fort. Bie dakord me Nanon që ti bashkohet qeverisë së tij si ministër i Jashtëm dhe zëvendës kryeministër dhe ngrin marrëdhëniet me “Ramën e pabesë”. Por ky i fundit, nuk u shqetësua për këtë; ai ishte brenda karakterit dhe axhendës së vet.
Drejt qëllimit final, pa mëshirë
Rikonfiguroi marrëdhëniet me të fuqishmin e radhës Fatos Nanon dhe madje, as nuk u përpoq ta fshehë në publik se tashmë ishte aleat me atë. Por vetëm përkohësisht. Ngjarjet, sërish shkanë me shpejtësi. Meta nuk duroi dot gjatë nën ombrellën e Nanos dhe u largua duke paralajmëruar çarjen e madhe, që do të zyrtarizohej me themelimin e LSI-së, në Shtator të vitit 2004. Me rastin e zgjedhjeve lokale të vitit 2003, “çifti i Tiranës” përsëri për meritë të Edi Ramës, riafrohet. Ishte koha që të rizgjidhej kryetar bashkie dhe për këtë kërkohej, që partia të ishte në unison për emrin e tij.
Ky është edhe një moment tjetër mjaft i rëndësishëm në historinë e këtij çifti, kur Rama kalon në “planin B”, i ndihmuar me naivitet, edhe nga Ilir Meta. Ai merr përpara shumë kamerave televizive, kartën e anëtarit të Partisë Socialiste dhe sfidon një figurë të rëndësishme të PS-së, Rexhep Mejdanin në kongresin e Dhjetorit të viti 2003. Meta që e kishte ende të freskët plagën e Kretës, mbështet Mejdanin. Përfiton Fatos Nano dhe konfirmohet fuqishëm në krye të PS-së, duke injoruar krejtësisht Metën dhe të tijtë.
Pasi ky krijoi LSI-në në Shtator të vitit 2004, i nxitur jo pak edhe nga Edi Rama, ky i fundit nisi një fushatë pa kuptim në dukje të parë, sipas të cilës synonte të bashkonte të majtën. Në fakt kjo ishte gjëja e fundit që kërkonte Rama në atë kohë, por dhe gjithmonë. Një largim i Nanos (konfidentët e palëve e dinin që ai do të largohej vetë, pas mbylljes së ankandit) dhe njëkohësisht një rikthim i Metës në PS, do të thoshte fund i ambicies së tij më të madhe, ajo e kapjes së postit të kryetarit dhe uzurpimin e gjithë partisë, me grupin e gatshëm që priste zyrave të bashkisë dhe korridoreve të Sorosit.
Për rolin e Ramës në nxitjen e një sulmi të egër frontal kundër LSI-së tradhtare në atë kohë është dëshmitar dhe protagonist i rëndësishëm, Ben Blushi. Pasi i kopsitën gjërat (gjithmonë Blushi) edhe me Gramoz Ruçin dhe grupin e fuqishëm tradicional brenda PS-së, në Tetor të vitit 2005 Rama realizon një nga pikat kulmore të planit ë tij; zgjidhet kryetar i PS-së.
Tashmë çifti ishte shndërruar, në dy kryefamiljar të shtëpive të ndryshme. Kjo rehati për ambiciet e tyre, bëri që përkohësisht marrëdhëniet e mira të riktheheshin, të paktën sa për sy e faqe. Madje herë pas here, nuk mungonin edhe sinjale dashurie, si në kohët e bukura kur ishin në krye të Tiranës dhe Shqipërisë. Kjo pranverë mes tyre çoi në bashkimin e tyre në Pranverën e vitit 2006, kur edhe dolën së bashku në zgjedhjet lokale. Por edhe ky ribashkim i çiftit nuk do të zgjaste shumë. Në fillim të vitit, pranverë 2008, më i gjati, iku natën nga shtëpia dhe u gdhi në shtratin e Sali Berishës duke ndryshuar Kushtetutën e vendit, pasojat e të cilës po i përjetojmë veçanërisht në krizën e sotme.
Kur u zgjua Ilir Meta, e pa veten jo vetëm të vetmuar dhe të tradhtuar, por edhe përpara një rreziku eliminimi përfundimtar, me gjithë partinë e tij, ku kishte investuar fuqishëm “kursimet” e periudhës së artë, si kryeministër. Kjo nuk do të ishte krisje, por çarje që shumëkush e quajti atëherë; përfundimtare. Rama shkoi edhe më tej përveç kësaj; edhe pse këtë herë e rimori karrigen e kreut të bashkisë së Tiranës vetëm falë votave të partisë së Ilir Metës, ai e zeroi marrëveshjen duke mos i afruar asnjë vend pune për të qenë, njerëzve të drobitur në opozitë të LSI-ë, në bashki.
‘Thika do thikë, helmi njeh vetëm helmin’
Ilir Meta këtë herë i tërbuar keq, sepse kuptoi që kishte të bënte jo me një politikan që lufton thjesht për qëllimet e tija, por edhe me një individë që thellë-thellë e urrente dhe kërkonte zhdukjen e tij nga politika, u largua nga koalicioni duke lënë pas në historinë politike të tranzicionit, shprehjen lapidare, dedikuar Edi Ramën; `Një pallat një votë`.
Rama nuk reagoi në fakt. Mbajti qetësinë, duke hapur fjalë se kishte një pakt të fshehtë me Berishën për ardhjen i vetëm në pushtet në vitin 2013 dhe se LSI-ja tashmë i takonte arkeologjisë. Turfullimet dhe greva e urisë që organizoi Meta, nuk ja prekën fare telat e keqardhjes dhe mirënjohjes Edi Ramës. Përkundrazi Ilir Meta gjatë viteve në vijim, u pikturua si kanceri dhe e keqja më e madhe e të majtës dhe Shqipërisë. Në këtë situatë ai bashkoi votat me Berishën dhe qeverisi 4 vite, jo vetëm duke rikuperuar partinë, por edhe duke u shndërruar në një faktor përcaktues. Ndërkohë Rama ,me një ftohtësi metalike, eci përpara në planin e tij, duke e denigrua edhe më shumë se Berishën (trafikant i 80 mijë zemrave të majta, videoja e Dritan Priftit etj), deri sa kuptoj se vetëm darka e famshme e ngjalave, mund t`ia shteronte vullkanin e ambicieve.
Bashkë?
Çifti na u rishfaq në 1 Prill të vitit 2013, i përqafuar dhe i lumtur. Me thikat gati në brez natyrisht, pasi e dinin që të gjitha ato që treguam më lart dhe janë vetëm maja e ajsbergut, do të përsëriteshin edhe më egër.
Thikat me helm jo vetëm që u përdorën, por rrezikuan seriozisht rënien “dëshmor i tranzicionit”, të Ilir Metës. Tringëllima e prangave në veshët e tij, nuk reshti asnjëherë. Kujtojmë historinë e Tom Doshit, Kastriot Ismailajt, përgjimet e Tahirit etj, etj.
`Çifti i Tiranës` është në ditët e fundit, të kontratës provizore 4-vjeçare. Të gjithë qëndrojnë të ngrirë, për të parë serinë e radhës; Do të ndahen, çahen, puthen, sulen përpara?
Kjo është historia e retushuar, censuruar dhe e zbukuruar në maksimum, për çiftin më famoz, të politikës shqiptare, që ka në dorë edhe diellin, edhe shiun e shqiptarëve…Syri.net
Diskutime rreth kësaj post