Së paku pesë mijë afera amuroze, neps i pashuar, dredhi të papara: mbreti Faruk I i Egjiptit ishte pasqyrim i despotit oriental. Portret i një trashaluqi të trentë, të cilit kur u bë mbret Hitleri ia dhuroi një Mercedes, ndërsa monarku britanik Georg VI disa pushkë gjuetie.
Nga Enver ROBELLI
Në romanin «Pan Aroma» të Tom Robbins përshkruhet një mbret, i cili përpiqet me çdo kusht t’i shmanget plakjes si lepuri dhelprës dinake. Alobari, kështu quhet mbreti, ka arsye të ndalë procesin e plakjes, sepse në fisin e tij është traditë që mbreti të vritet me një vezë të helmuar në atë çast që te ai shihen shenjat e para të plakjes. Mbreti Artus, ndërkaq, sipas sagës, u bë i njohur për tryezën e tij të famshme, rreth së cilës i mblodhi kalorësit. Asnjëri nga kalorësit nuk favorizohej me ndonjë vend nderi, të gjithë qenë të barabartë pranë tryezës. Ky motiv, i përmendur për herë të parë më 1155, konsiderohet si një ndër aktet e hershme demokratike në shoqëritë feudale europiane të asaj kohe.
Mbreti Faruk i Egjiptit, pinjoll i dinastisë me origjinë shqiptare, e cila sundoi Egjiptin që nga viti 1805, as nuk bëhej merak për plakjen e tij, as nuk e shikonte tryezën si sipërfaqe për debate demokratike. Aty ai vetëm dëshironte të shuante nepsin e tij, lakminë e paparë për të shijuar specialitete të llojllojshme kulinarike, para se të hidhej në krahët e ndonjë gruaje për të shënuar në regjistrin e tij të gjatë aferën e ardhshme amuroze.
Në historinë gjashtëmijë vjeçare të Egjiptit Faruku nuk hyn në mesin e mbretërve me karrierë të shkëlqyer politike. Dallimi me stërgjyshin e tij s’ka si të jetë më i madh: Mehmet Ali Pasha, i njohur si themelues i Egjiptit modern, drejtoi fatet e vendit për mbi katër dekada. Ai u lind më 1769 në Kavallë të Greqisë së sotme, por familja e tij ishte me origjinë nga Zëmblaku i Korçës. Si sundimtar i Egjiptit ai ka merita të mëdha në formimin e një shtrese udhëheqëse, e cila duke marrë si model Europën filloi ndërtimin e administratës moderne dhe themelimin e industrisë së orientuar nga eksporti.
Ndryshimet që i nisi Mehmet Ali Pasha në historinë arabe quhen «Nahda», që domethënë «Rilindje». I njohur u bë, Mehmet Ali Pasha, jo vetëm me ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të Egjiptit, por edhe për shkak të luftës së tij shfarosëse ndaj vahabinjve (ekstremistëve islamikë). Udhëheqës i trupave kryesisht shqiptare kundër vahabinjve ishte Ibrahim Pasha, i biri i adoptuar i Mehmet Ali Pashës, i cili kishte katër djem. Në shtator të vitit 1816 Ibrahim Pasha zbarkoi në Janbu, në portin e qytetit të Medinës.
Dy vite më vonë, pas luftimeve të ashpra, ai pushtoi dhe e shkatërroi qytetin Dirija, që ishte bërthama e kryengritjes së vahabinjve. Sot Dirija është një paralagje e Riadit, kryeqytetit të Arabisë Saudite. Trupat e Ibrahim Pashës atëbotë zunë rob shumë prijës fetarë, mes tyre edhe Abdallah ibn Saudin, imamin e vahabinjve. Ai u ekzekutua më 17 dhjetor 1918 në Stamboll pasi ishte dënuar nga një gjykatë për shkak të «korrupsionit mbi tokë», «përçarjes së myslimanëve» dhe «kryengritjes kundër kalifit».
Mbreti Faruk I, i parafundit mbret i Egjiptit, u ngjit në fron në vitin 1936, kur ishte vetëm 16-vjeçar. Në fillim ai ishte mjaft i popullarizuar. Egjiptianët e pëlqenin mbretin e ri, ai dukej bukur, ishte arsimuar në Britaninë e Madhe dhe premtonte reforma sociale. Politikanë nga bota arabe thoshin: «Ai nuk është vetëm mbret i Egjiptit, por Mbret i të gjithë arabëve». Por nami i familjes dhe i shtëpisë mbretërore nisi të zvetënohej për shkak se Faruku u tregua i paaftë të reformojë vendin, të demokratizojë sistemin politik dhe të frenojë prirjen e tij për plaçkitje. Për shkak të korrupsionit Faruku u hoq nga froni më 1952 pas grushtit të shtetit të udhëhequr nga oficerët Ali Muhamad Nagib dhe Xhamal Abdel Naser.
Pas shfronësimit mbreti Faruk iku në Romë. Në vitin 1963 publicisti amerikan Michael Stern botoi biografinë e Farukut, në të cilën e përshkruan monarkun si një person tejet dekadent, të pangopshëm, të tmerrshëm dhe të dhunshëm. Sipas Michael Stern ai vuante nga një neurozë, e cila e çorientoi si në jetën private ashtu dhe politikë. Atje ku burri, sipas Sheikut Nefzavi, babait të Kamasutrës arabe, duhej të ishte së paku «një pëllëmbë e gjysmë» i gjatë, Faruku kishte mbetur në nivel fëmijëror, gjysmë pëllëmbe. Kjo e metë iu shndërrua në kompleks dhe gjithnjë përpiqej që cilësinë ta kompensojë me shumësi. Kur i afrohej ndonjë qyteti a fshati, vetura e tij kuiste si një qen i shkelur; në mëngjes i hante nga 12 vezë përnjëherë; kur luante bixhoz, së pari i hidhte në tavolinë 25 mijë dollarë.
Por, mbi të gjitha, ai ishte i pangopshëm me ushqim dhe në afera me gra. Sipas vlerësimit të biografit Michael Stern gjatë jetës së tij të shkurtër (Faruku jetoi vetëm 45 vjet) ai pati rreth pesë mijë gra. Pasi me vite ishte frikësuar se do të trajtohej si dështak në shtrat, Faruku njoftoi këngëtaren franceze të klubeve të natës Annie Berner. Ajo ishte vetëm 20-vjeçare kur mbreti e takoi në klubin e natës «Scarabée» në Kajro dhe e mori me vete në veturën e tij «Cadillac». Të dy bashkë, të dehur nga epshi, shkuan në një vendparkim veturash, që ishte i njohur si zonë e të dashuruarve.
Rastësi apo jo: po atë natë policia egjiptiane bëri një kontroll në atë rajon me qëllim të përzënies së çifteve. Bashkë me patrullën policore ishte edhe një fotoreporter i revistës «Al-Musavar». Mbreti i zënë ngushtë ia prishi aparatin fotografit, nxori një pushkë automatike, shtiu disa herë në ajër dhe i përndoqi policët që po e pengonin. Michael Stern shkruan se Faruku kurrë s’e kishte harruar leksionin e parë që atë natë ia kishte dhënë Annie Berner në karrigen e pasme të «Cadillac-ut»: «S’është gjatësia me rëndësi, por mënyra se çfarë bën me të».
Sidoqoftë, këtu e tutje, pas takimit me francezen Annie Berner, mbretit me origjinë shqiptare nuk i interesoi më politika, por vetëm aventurat dhe ushqimi i begatshëm. Formalisht Faruku ishte sovran i popullit, por në realitet ai ishte vetëm sovran i ushkurit. Ai i detyronte shërbëtorët e tij të shkojnë në hotel, t’i zgjojnë nga gjumi stjuardesat e kompanive ajrore perëndimore dhe t’u thonë atyre se mbreti po i priste në pallat.
Kur aktorja Nadja Gray hyri në një lokal me të dashurin e saj, mbreti e ftoi në tavolinën e tij me këtë kusht: «Madamë, kjo ftesë vlen vetëm për ju». Kur mbretëresha greke, Frederike, vizitoi Egjiptin, Faruku hyri në dhomë të saj, fiku dritat dhe iu afrua. Sundimtarja greke e frikësoi mbreti egjiptian me këto fjalë: «A nuk e patë atë burrin e madh para derës? I veshur me uniformë admirali? Ai është burri im dhe unë e dua shumë». Faruku u zbeh pak dhe u largua. Njëherë, ndërsa gjendej në shtrat me një angleze, burri i së cilës kishte shkuar në udhëtim zyrtar, Faruku dëgjoi disa rrapëllima në bodrum.
«O Zot, ky është burri im», tha anglezja e trishtuar. Mbreti doli i zhveshur në ballkon dhe priti me orë të tëra në shi derisa u gjet një shtegdalje për të ikur. Faruku i trajtonte gratë si lodra. Njëherë shkoi në Qipro, ku e takoi aktoren hebraike Lillian Cohen. Të nesërmen ajo gjeti mbi komodinë 50 funte, por mbreti tashmë kishte ikur. Njëherë tjetër Faruku e përzuri një franceze nga dhoma e fjetjes me këto fjalë: «E dashur, je tepër e hollë». Thuhet se monarku kishte një dobësi për gratë e mbajtura mirë.
Lakmia e Farukut ishte e pafundme. Bleu një jaht për 86 mijë dollarë dhe ia shiti qeverisë së tij për 360 mijë; hapi disa xhirollogari në Zvicër dhe bashkë me tregtarë të armëve furnizonte ushtrinë e tij me armë të vjetra, të papërdorshme (fitimet, kuptohet, i fuste në xhep); kur motra e tij Favzia, e cila një kohë ishte e martuar me Shahun e Persisë Muhamed Reza Pahlavin, erdhi për vizitë në Kajro, Faruku ia vodhi nga valixhet gurët e çmuar të kurorës; në vitin 1944, kur në Johanesburg vdiq babai i Shahut të Persisë, trupi i tij u soll njëherë në Egjipt, ku iu bënë nderime. Ndërsa po përulej para kufomës Faruku iu lut shërbëtorëve të tij ta lënë vetëm për pak çaste. Kur arkivoli arriti në Teheran, u zbulua se shpata e artë e Pahlavit mungonte. I zemëruar Shahu Muhamed Reza Pahlavi i tha ambasadorit egjiptian në Teheran: «Thoni Mbretit tuaj se është vjedhës». Pas heqjes së Farukut nga froni shpata u gjet në bodrumet e tij, ndërsa në pallatin mbretëror në Aleksandri oficerët puçistë hasën në koleksionin më të madh pornografik në botë (fotografi, libra, filma). Me arritjen e mbretit Faruk në Romë çmimet e prostitutave u shtrenjtuan nga 16 në 32 dollarë.
Më 17 mars 1965 rreth orës 22:00 mbreti, pasi kishte ngrënë gjashtë senduiçë dhe katër qese me çipsa, ndali televizorin, vendosi alltinë në brez (Beretta, 6,35 milimetra) dhe doli në qytet – për darkë! Në xhep kishte dy kartëmonedha nga një mijë dollarë dhe dy kuti të arta me tableta kundër shtypjes së gjakut dhe dhembjeve në veshkë. Me 130 kilogramë peshë mbreti mezi u fut në veturën e tij Fiat 2300.
Pasi kaloi disa çaste te vajza e një taksisti, Faruku shkoi te e përzgjedhura e tij, Annamaria Gatti, 25-vjeçare, trupmbushur, deri-diku e hijshme. Pasi zunë vend në restorantin «Isle de France» në Romë Faruku iu vërsul 12 midhjeve me salcë Tabasco, një kofshe dashi me patate, një sallate dhe fasules. Meqë si mysliman s’pinte alkool, Faruku zbrazi disa shishe me Coca-Cola, pija e tij e pëlqyer. Pas desertit ndezi një puro dhe befas u dridh, sytë i mbetën hapur, trupi i tij ra përtokë si lis. Vdiq nga sulmi në zemër. Nëna e tij tha: «Ai ishte një përbindësh».
Kur vdiq Faruku ishte si një thes me dhjamë. Gjatë drekës në tryezën e tij zakonisht shtroheshin gaforre, pula, jahni, kotëletë qengji me patate, bizele, oriz dhe angjinare. Për çdo javë mbreti Faruk porosiste nga 300 midhje të freskëta nga Kopenhaga në Kajro. Kështu, mes grumbujve të ushqimit, mori fund jeta e mbretit Faruk, i cili ishte i martuar dy herë; me njërën grua pati tri vajza, me tjetrën një djalë.
Në gazetat perëndimore mbreti Faruk për herë të fundit u përmend në vitin 2006, kur në Kajro ngordhi breshka e tij vigane. Sipas të dhënave nga kopshti zoologjik breshka kishte 270 vjet dhe ngordhi për shkak të moshës. Kur shkoi në ekzil në Romë mbreti Faruk e la breshkën në kopshtin zoologjik. Lakmia dhe nepsi i mbretit egjiptian me decenie u kanë shërbyer si model autokratëve të botës arabe për plaçkitjen e popullit dhe për luks të neveritshëm.
Më datën 18 mars 1965 gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» jepte këtë lajm për vdekjen e Farukut: «Ish-mbreti i Egjiptit Faruku vdiq papritmas të mërkurën në mbrëmje në Romë në moshën 45-vjeçare. Faruku po hante darkë në një restorant në Via Aurelia Antien para portave të Romës. Pasi ngrëni ai u ndie keq. Pas pak ai vdiq me gjasë si pasojë e një krize të zemrës ose embolisë. Ai u soll në spitalin San Camillo, ku të gjitha përpjekjet për ta rikthyer në jetë, qenë të pasuksesshme».
Faruku ishte djali i vetëm i mbretit Fuad I. U lind si princi Faruk më 11 shkurt 1920 në Kajro. Në vitin 1917 babai i tij me lejen e britanikëve u ngjit në fron si sulltani i parë i egjiptianëve dhe pasi mori fund protektorati britanik më 1922 ai u kurorëzua si mbreti i parë i Egjiptit. Faruku u shkollua si ushtarak në Akademinë Mbretërore të Woolwich në Angli dhe pas vdekjes së Fuadit mori këtë titull: «Mbret i Egjiptit, Sovran i Nubias, Sudanit, Kordofanit dhe Darfurit». Kur u bë mbret Faruku ishte 16-vjeçar dhe me gjasë nuk dinte të drejtonte veturën, por kjo s’e pengoi diktatorin gjerman Adolf Hitler që t’i dhuronte sundimtarit egjiptian një Mercedes. Mbreti britanik George VI i bëri një dhuratë më të rrezikshme: disa pushkë gjuetie.
Pasi e dëbuan nga froni më 1952 oficerët egjiptianë të ndikuar nga Bashkimi Sovjetik shpallën Egjiptin republikë (më 18 qershor 1953), e akuzuan mbretin për tradhti kombëtare dhe më 1958 ia morën edhe shtetësinë. Më 1959 Faruku mori shtetësinë e Monacos. Qeveria e re konfiskoi menjëherë gjithë pasurinë e mbretit në Egjipt, por ai ishte kujdesur që të transferonte në botën e jashtme mjaft mjete materiale, të cilat ia mundësuan një jetë prej merakliu të grave të bukura dhe gostive opulente. Dialogplus.ch
Diskutime rreth kësaj post