Shërbimi Informativ i Ushtrisë, Forca Ajrore dhe ajo Detare janë tre strukturat e Forcave të Armatosura që do të angazhohen në planin e luftës kundër hashashit.
Qeveria vendosi të angazhojë forcat ushtarake në operacionet që do zhvillohen në gjithë vendin.
Komandanti i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Tonin Marku shpjegon për Top Channel se angazhimi i ushtrisë nuk do të thotë që do të kryejnë operacione në terren dhe as nuk do të kryejnë veprime shtesë.
Por në kuadër të zbatimit të detyrave dhe programeve stërvitore të përditshme, FA do të raportojnë edhe për kanabisin nëse e konstatojnë apo marrin informacione.
Gjeneral Marku shpjegon se si do të angazhohen konkertisht helikopterët, por edhe anijet, ndërsa shërbimi informativ e ka kryer këtë detyrë edhe më parë.
“Ne nuk do të cënojmë operacionalitetin e Forcës Ajrore. Por gjatë fluturimeve që do të kryejmë për arsye nga më të ndryshmet, në bazë edhe të informacioneve që mund të kemi, ne do të bëjmë monitorimin, fotografimin e zonave të caktuara ku mendohet që mund të ketë kanbis, pasi na e krijojnë këtë mundësi helikopterët që kemi dhe këto filmime do iua dorëzojmë autoriteteve përkatëse për të proceduar më tej. E njëjta gjë do të jetë edhe për Forcën Detare, e cila do të lajmërojë nëse konstaton trafik të lëndëve narkotike nga zonat që ne patrullojmë përgjatë hapësirës detare”, deklaron Marku.
Për këtë qëllim janë orientuar pilotët, që të sinjalizojnë për çdo zonë ku dyshojnë apo kanë të dhëna nga strukturat e tjera që mund të jetë mbjellë lëndë narkotike.
Diskutime rreth kësaj post