Ndërhyrja e fortë e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë gjatë muajve të fundit për marrjen në kontroll të shtetit të vendburimeve të cilat janë keqpërdorur dhe abuzuar prej kompanive konçesionare ka vënë në lëvizje këto të fundit. Pavarësisht se Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) nuk është palë në këto marrëveshje hidrokarbure, struktura të caktuara me lobing nga bizneset koncesionare të naftës e gazit po tentojnë të pengojnë vendimmarrjen e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë e Albpetrol për rimarrjen në kontroll të shtetit të vendburimeve.
Burimet sqarojnë se marrja në kontroll të shtetit të këtyre vendburimeve ka vënë në alarm koncesionarët të cilët gjatë ditëve të fundit po ushtrojnë presion ndaj Albpetrol duke shfrytëzuar edhe struktura të caktuara në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore me synim pengimin e marrjes së blloqeve nga shteti. Situatë e cila ka çuar në konfrontime në terren mes përfaqësuesve të Albpetrol dhe atyre të koncesionarëve.
Në Janar të këtij viti, Albpetrol i hoqi kompanisë TransAtlantic dy blloqet e naftës në Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollaj duke ia kthyer shtetit. I njëjti vendim u mor edhe në muajin Mars kur Albpetrol i hoqi shoqërisë Phoenix Petroleum bllokun e naftës në Amonicë. Vetëm pak javë më vonë u firmos edhe marrja në dorëzim nga shteti i tre blloqeve të tjera në det të kompanisë Emanuelle Adriatic.
Shkaku i prishjes së këtyre marrëveshjeve hidrokarbure, deri më tani 6 në total në vetëm tre muaj është shkelja prej koncesionarëve e detyrimeve kontraktuale, mosshlyerja e pagesave ndaj shtetit dhe mos kryerja e investimeve në përputhje me kontratën. Këta koncesionarë të regjistruar në ishujt virxhin kanë krijuar miliona dollar borxhe ndaj shtetit ndërsa nuk kanë likujduar as pagat e punëtorëvë duke krijuar një plagë sociale për banorët e këtyre zonave naftëmbajtëse.
Situata politike e krijuar sëfundi dhe amullia po ndikon kështu në uljen e forces së shtetit për të administruar pasuritë e veta nëntokësore./Lajme.al
Diskutime rreth kësaj post