Nga Mero Baze
Vangjel Dulja ka ndezur një flak kashte, për atë që sipas tij ka sugjeruar një diplomat I Lartë I Bashkimit Evropian në cilësinë e Drejtorit për Ballkanin . Sipas atij, ai u ka sugjeruar aleatëve të PD të hyjnë në zgjedhje, edhe nëse PD nuk hynë, pasi mund të përfitojnë të rriten politikisht nga kjo situate. Zhurma ka filluar si kurjozitet dhe po përfundon si banalitet. Biles po shkohet deri në thirrje për linçim të diplomatit perëndimor.
Qëndrimi I zyrtarit perëndimor dhe ai I aleatëve të PD ndaj tij, duken shumë larg njëri tjetrit, për shkak të axhendave të ndryshme që ata kanë, në raport me zgjedhjet në Shqipëri. Por unë jo që nuk shikoj asgjë skandaloze, por më duket se është rekomandimi më I mire, që u ka dhënë një diplomat perndimor, pasi I ka konsideruar parti politike të pavarura dhe nuk ka pas dijeni, që janë thjeshët kryetar partish që hyjnë në parlament, gjithmonë ose nga PD, ose nga PS. Biles unë isha në një darkë me disa kolegë gazetarë me këtë diplomatë dhe më vjen inat, që nuk na e tha dhe në këtë gjë, por vetëm dëgjoi.
Qartësia e Perëndimit për arsyet përse Partia Demokratike nuk hynë në zgjedhje, është e plot dhe ata nuk pranojnë asnjë nga arsyet që Lulzim Basha reciton nën një çadër mercenarësh me pagesë çdo ditë, në bulevardin e Tiranës. Lulzim Basha e di këtë. Ja kanë thënë në Uashington dhe në Maltë, ku nuk guxon të thotë kë ka takuar e çfarë I kanë thënë, dhe po ja thonë çdo ditë publikisht. Për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partia Demokratike është duke u përpjekur të dështoj zgjedhjet dhe të mos votoj reformën në drejtësi për një axhendë të saj politike që bie ndesh me perëndimin. Në këtë pikë, çdo diplomat perëndimor, të vetmin sugjerim që ka është distancimi nga Partia Demokratike dhe politika e saj e bojkotit. Këta që hidhen përpjetë, sikur ai diplomati ka sugjeruar fundin e botës, e kanë thjeshtë nga autosugjestioni se çadra është qendra e botës. Në fakt çadra është gazi I botës. Është vendi ku Lulzim Basha ka artikuluar sot akuza të përbindëshme ndaj SHBA dhe BE, sa I përket mbështetjes për Reformën në Drejtësi duke I quajtur vende mafioze. Asgjë më antishqiptare se ajo deklaratë nuk është në historinë e politikës shqiptare, pas deklaratave të Berishës e Gazidedes në vitin 1997.
Thirrjet edhe më qesharake që ky diplomat të shpallet “non grata”, siç janë lëshuar thirrje të ngjashme për ambasadorne Vlahutin apo ambasadorin Lu, thjeshtë sa thellojnë krizën e Partisë Demokratike me Perëndimin. Të hënën në Shqipëri do të vij Ministri I Jashtëm I Gjermanisë, I qeverisë së Kancelares Merkel, dhe mos prisni të thotë ndonjë gjë tjetër nga këto që Perëndimi ka thënë publikisht. Thjeshtë qeveria e Edi Ramës ka mbështetje të plotë perëndimore për të zhvilluar zgjedhjet më 18 Qershor, sa më të lira dhe të ndershme, dhe kushdo që të fajësoj Perëndimin për këtë, duhet të gjej problemin tek vetja.
Deklarata që ka “irrituar” Dulen, Mediun, Ndokën, apo dikë tjetër , është jo vetëm shumë konstruktive, por dhe e vetmja mënyrë që këto parti nga bishta të PD, të mos zhduken fare nga skena politike. Shqipëria nuk humbet asgjë pa Dulen, Mediun, Dukën apo Nard Ndokën, për më tepër që ka alternative të tjera progreke, proagrare apo prodemokristiane. Këta humbasin personalisht, duke ndjekur një axhendë që është axhendë personale e Sali Berishës. Nëse kanë detyrime ndaj tij, le të shkojnë bashkë me të, por nëse I gënjen mendja se Shqipëria do shkoj pas Sali Berishës, janë më të zinj seç pretendojnë për diplomatin perëndimor, I cili vlen të dekorohet për atë që ka sugjeruar. Natyrisht jo nga Nishani.
Kjo sa i përket anës politike.
Sa I pëkret anës kombëtare, deklarata e këtij diplomati është këshilla më pro shqiptare që ka dhënë në këtë krizë një diplomat perëndimor. Në përgjithësi ata janë indiferent ndaj kësaj krize, dhe e shikojnë këtë krizë si problem personal të Bashës e Berishës. Ky qenka treguar më I përgjegjshëm dhe e ka parë krizën edhe si hall të Shqipërisë dhe u ka sugjeruar të hyjnë në zgjedhje.
Nëse ka ndonjë problem për Shqipërinë, janë problemet që krijojnë parti si e Dules në Himarë, që shpikin probleme atje ku nuk ka, që nxit njerëz me të meta psiqike, që e dinë se atdheu shitet si fruta të thata, për të bërë evazion fiskal dhe kërkojnë autonomi të territoreve shqiptare. Për fat jemi aq të çliruar nga nacionalizmi, sa as ata tipa nuk I marrim seriozisht, se e dimë që e kanë për të marrë ndonjë vote më shumë, për të shpëtuar bizneset e tyre. Por ato janë të vetmet deklarata antishqiptare ku ka dëshmitarë diplomat të huaj dhe politikanë dy flamujsh.
I gjithë ky perceptim banal, për një sugjerim tërësisht konstuktiv nga një diplomat perndimor, vjen nga fakti se Perëndimi po flet kundër PD dhe Berishës dhe një grusht njerëzish kërkojnë ta barazojnë PD me Shqipërinë. Po të ishte kështu, atëhere ne qënkemi në rrezik kombëtar, pasi kundër Sali Berishës dhe PD, është Kancelarja Merkel, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çdo diplomat që merret me Shqipërinë. Të vetmit pro tij, janë disa tipa qesharakë të paguar në një llogari me Gruevskin.
Prandaj qetësohuni! Të gjitha çfarë shikoni që thuhen e rekomandohen kundër PD, konsiderohini si gjëra pro Shqipërisë. Sali Berisha është skeduar si një e keqe që duhet të çmontohet dhe kjo do të ndodh. Kushdo që sugjeron ikjen e dhe izolimin e tij, është një mik I madh I Shqipërisë. Kushdo që e mbron dhe bën sikur “acarohet”, është maksimumi mik I Vangjelit. TemA
Diskutime rreth kësaj post