Përpjekjet për ta lidhur bllokimin e vetingut me influencën ruse në vendin tonë, me “armiqtë e Shqipërisë”, me një qasje të opozitës kundër Bashkimit Europian nisën bashkë me protestën e PD dhe braktisjen e parlamentit.
Por në një intervistë në France24, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati mohoi ndikimin rus në aksionin e opozitës dhe tha se bllokimi i vetingut është pjesë e një procesi politik.
Bushati u pyet direkt nga gazetarja, qw ngulmoi ta lidhë ndikimin rus në Ballkan me bllokimin e reformës në drejtësi, por ndryshe nga sa flet kryeministri Rama, Ditmir Bushati e hodhi poshtë këtë variant, duke thënë se nuk ekziston një ndarje e tillë në politikën shqiptare.
France24: Vërtet Bashkimi Europian e ka kërkuar reformën në drejtësi. Por në Shqipëri duket se ka kontradikta. Opozita ka frikë se reforma ia jep gjyqësorin qeverisë. A ka ndarje? Duket sikur ju keni krijuar një grupim pro Bashkimit Evropian dhe një grupim kundër Bashkimit Evropian brenda opozitës?
Ditmir Bushati: Me të vërtetë kjo është një reformë e paprecedentë, sepse është e thellë, është mjaft gjithëpërfshirëse, po krijon një arkitekture të re për të gjithë sistemin e drejtësisë…
France24: Të gjithë gjykatësit dhe prokurorët do të vlerësohen për korrupsion..
Bushati: Të gjithë gjykatësit dhe prokuroret do të vlerësohen. Do të ketë…
France24: Kush e bënë këtë, qeveria?
Bushati: Jo! Do të ketë një proces skanimi në lidhje me integritetin e tyre profesional dhe moral, gjithashtu edhe pasuria e tyre do të vlerësohet. Nga fillimi i kësaj reforme, shumica jonë parlamentare ka insistuar përfshirjen e sa më shumë të ekspertizës ndërkombëtare në të gjithë këtë proces, dhe do të këtë një Komitet Vettingu të zgjedhur nga Parlamenti shqiptar, bazuar në parimin e barazië. Këto do të jenë anëtarë shqiptarë të mbështetur fuqimisht nga ekspertët ndërkombëtarë.
Francë: BE beson se influence ruse po rritet në rajon dhe në Shqipëri. Duket sikur opozita po mbështet anën ruse. A ka një problem të tillë? Një influencë të tillë në reformat e mëdha. Ku qëndron Shqipëria? Duket qartë se ka një ndarje mes një Shqipërie proeuropiane dhe një Shqipërie që do ndikimin rus në vend.
Bushati: Nuk besoj se jemi përballë një ndarje përsa i përket orientimit të vendit. Ka një rezistencë politike nga segmente politike në Shqipëri, rezistencë që vjen edhe nga segmente të gjyqësorit që preferojnë status quo-në.
Kështu që nuk do t’i lidhja këto me influencën e të ashtuquajturve aktorë të tretë, por qeveria jonë është e vendosur të ecë drejt BE me reformën në drejtësi, sepse në rastin tone, procesi i integrimit është i lidhur me cilësinë e reformës. Ndaj zbatimi i reformës do të na vendoste në një pozicion më të mirë, kur të ulemi në tryezën e negociatave.
Ndryshe ka folur deri tani kryeministri Rama. Që nga momenti që opozita doli nga kuvendi dhe nisi protestën përballë kryeministrisë, nuk kanë reshtur akuzat se ajo ka një qasje kundër Bashkimit Europian. Në një nga mbledhjet e kryesisë, një muaj pasi nisi protesta, Rama tha se “çadrën e opozitës e duan ngrehur edhe disa të huaj jashtë vendit që nuk radhiten ndër miqtë më të mirë të Shqipërisë”.
Në mesazhin e të dielës, në datën 9 prill, në rubrikën Komunikimi Javor në Facebook, Rama foli për një qasje të re kundër Bashkimit Europian nga opozita.
“Janë gati ta hedhin në erë urën e brishtë që mezi e kemi ndërtuar për 27 vjet, për t’u lidhur më në fund, përgjithmonë me Europën si qytetarë të barabartë të saj, si një shtet i denjë i saj.
Ata që nuk e duan 18 qershorin dhe që duan të dalin mbi popullin sovran janë gati të dalin sërish mbi interesat komnbëtare të Shqipërisë.
Janë gati të na ndajnë edhe njëherë për së gjalli dhe për kushedi sa vite të tjera nga Europa e lirisë, demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.
Janë gati të bashkohen me kundërshtarët e Bashkimit Europian në rajon dhe në Europë, në Perëndim dhe në LIndje sepse e duan Shqipërinë si një çiflig pandëshkueshmërie, e duan Kushtetutën si një libër pa kuptim. duan ligjet si letra pa vlerë dhe gjykatat pa din dhe politikën pa iman” u shpreh kryeministri.
Diskutime rreth kësaj post