Të paktën 21 persona janë vrarë pas një shpërthimi brenda një kishe koptike në qytetin e Tantas, në grykëderdhjen e Nilit.
Ende nuk dihet shkaku i shpërthimit, ndërsa është ende herët për të mësuar se kush është përgjegjës për këtë sulm.
Televizioni shtetëror egjiptian raportoi edhe për të paktën 42 të plagosur nga shpërthimi.
Kjo nuk është hera e parë që kryhen sulme ndaj kishave të krishtera koptike, teksa në dhjetor të vitit të kaluar një bombë në katedralen më të madhe të Kairos la të paktën 25 viktima dhe 49 të plagosur, shumica e të cilëve gra e fëmijë, në atë që rezultoi si sulmi më vdekjeprurës ndaj minoritetit të krishterë në Egjipt ndër vite.
Egjipti ka përjetuar një valë sulmesh nga militantët islamikë që prej vitit 2013, kur ushtria rrëzoi nga pushteti presidentin Mohammed Morsi, i pari udhëheqës i zgjedhur nga populli i cili vinte nga radhët e “Vëllazërisë Myslimane”, e më pas ndërmori një nismë spastrimi ndaj militantëve islamikë.
Disa prej mbështetësve të Morsit fajësojnë të krishterët se mbështetën puçin ushtarak. Shpërthimi i së dielës ka ndodhur teksa të krishterët koptikë festonin “Të dielën e Palmave”, një prej ditëve të shenjta në kalendarin e krishterë, që shënon hyrjen triumfatore të Jezus Krishtit në Jeruzalem.
Ngjarja shënohet vetëm pak javë përpara se Papa Françesku të vizitojë egjiptin, si dhe të takohet me përfaqësues të minoritetit të krishterë egjiptian, që përbën rreth 10 për qind të popullsisë së Egjiptit.
Diskutime rreth kësaj post