Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ishte në bashkinë e Konsipolit ku ka inspektuar punimet për ndërtimin e “Unazës Ekonomike”.
Ai deklaroi se një qeveri e zgjedhur nga populli largohet vetëm me votat e popullit.
“Është një shembull i qartë se qeveria punon, vendi ka nevojë për stabilitet, vendi ka nevojë për rotacion normal politik dhe jo rotacion të dhunshëm apo presione që vijnë nga dhuna. Një qeveri e zgjedhur nga populli, vetëm me votat e popullit mund të largohet nga pushteti. Çdo formë tjetër është në kundërshtim me atë çka dëshiron masa e njerëzve, çka dëshiron biznesi dhe çka dëshiron i gjithë populli shqiptar për rrugën evropiane të Shqipërisë. Duhet stabilitet, ndërtim i shtetit dhe vazhdimi i reformave, që në fund të fundit po japin rezultat. Edhe këto investime janë pikërisht rezultat i reformave shtetformuese që ka bërë qeveria Rama”, nënvizoi Gjiknuri.
Investimi pritet të ndihmojë konsiderueshëm në fushën e bujqësisë për shkak se përmes tij bëhet kalimi i automjeteve që transportojnë rreth 15 mijë ton mandarina çdo vit.
Deri më tani, rruga ishte e shkatërruar dhe mungonin tërësisht investimet duke përbërë një problem për banorët e zonës.
Sipas kreut të bashkisë së Konsipolit Shuaip Beqiri, investimi mbart dhe rëndësi për turizmin pasi rruga shërben si pikë lidhjeje ndërmjet doganës së Qafë Botës dhe Parkut të Butrintit çka do të shtojë numrin e vizitorëve.
Diskutime rreth kësaj post