Ish-ministri i Jashtëm i PD-së, Besnik Mustafaj ka analizuar sot mundësitë që ekzistojnë për realizimin e një takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulizim Basha, që do mundësonte zgjidhjen e ngërçit politik.
E duke mos parë një rrugëdalje të qartë nga kriza, ish-ministri demokrat thotë se ka shumë gjasa që Shqipëria të shkojë drejt një skenari maqedonas. “Basha ka thënë se qeverisë teknike i duhen 100 ditë për të realizuar qëllimet që ka, më kryesorja është shkëputja e lidhjeve me narkotrafikun, që të mos financojnë zgjedhjet. Por kjo duket disi e largët”,- shtoi ish-ministri i PD.
Mustafaj u ndal mandej gjerësisht tek thirrjet e Ramës drejtuar Bashës për dialog, duke theksuar se kryeministri po tallet me ftesat e tij për liderin e opozitës, shkruan ‘BalkanWeb’.
“Ne kemi parë situata të ngjashme kur opozita bojkotoi zgjedhjet. Nuk ishte në parlament, qeveria ishte jofunksionale. Nëse Rama e ushqen veten me iluzionin se mund të bëjë pa opozitën, duhet parë gjendja e tij psikike, siç thotë Lubonja. Kam përvojë të gjatë si negociator, qoftë kush isha diplomat, por dhe kur isha në opozitë, kur punoja si këshilltar i Berishës. Në këtë rast vetëm ftesa nuk janë ato që dërgon Rama. Për mua ato janë në mënyrë të drejtpërdrejtë tentativa të Ramës për të sabotuar dialogun. S’duhet të thotë ‘Hë mo Lul ku do shihemi?’. Këto janë fyerje të drejtpërdrejta, të fodullëkut të tij. Basha kësaj here po sillet si një njeri që do negociata. Nuk besoj se nga ana formale Basha po bëhet pengesë”, – deklaroi Mustafaj.
Ndër të tjera ai tha se nuk duhet të vendosen kushte për t’u ulur në një tryezë për dialog.
“Kjo është pengesë. Nëse i kërkohet palës që të vij pa kushte dhe ti nuk duhet të vësh kushte. Kushti është pengesë për arritjen e marrëveshjes. Edhe unë nuk do ulesha në tryezë me ato talljet e Ramës”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post