I pari i Prishtinës Shpend Ahmeti, u tha qytetarëve se ka përmbushur premtimin e tij që të furnizojë Prishtinën me ujë gjatë 24 orëve. Ata u zotuan se kanë kontribuar me 5 milion euro për ndërtimin e kësaj fabrike. Mirëpo të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur se deri me tani kanë paguar vetëm këstin e parë.
“5 milionë euro është investimi i Komunës. Kësti i fundit prej 2.5 milionë eurosh është zotuar vitin e kaluar, pra në buxhetin e vitit 2016. Përmes bartjes nga viti paraprak, do të bëhet pagesa e këstit të fundit. Procesi i bartjes pritet të bëhet së shpejti, brenda këtij muaji”, ka thënë Adonis Tahiri nga Komuna e Prishtinës.
Mirëpo bartja e pagesës nga e Komuna e Prishtinës nuk është planifikuar as në planin buxhetor të kësaj komune për vitin 2017. Kështu të paktën duket nga dokumentet që “Zëri”, ka siguruar.
Ndërkaq nga Ministria e Financave kanë bërë të ditur se Qeveria ka kontribuar me 5 milion euro. Edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik të kontaktuar nga “Zëri” thanë se kanë përmbushur obligimin e tyre për këtë fabrike me 5 milion euro.
“Fabrika e Ujit Shkabaj – Prishtina 3, në vitin 2016, nga MZHE, është financuar me 5 milionë Euro, ashtu siç ka qenë e planifikuar. Ky financim është bërë sipas marrëveshjes në mes të KRU – Prishtina – MZHE dhe Komuna e Prishtinës. Pagesa është bërë në përputhje të plotë me vlerat e ndara për financim me marrëveshje dhe me këtë rast, të gjitha obligimet e parapara me marrëveshje janë përfunduar dhe me asnjë dokument nuk është planifikuar të ketë shpenzime shtesë. Financimi për projektin ka përfunduar dhe pritet raporti për mjetet financiare të shpenzuara, gjë të cilën duhet ta bëjë KRU Prishtina”, kane bërë të ditur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Fabrika e ujit në Shkabaj është financuar edhe nga KRU-Prishtina me 20 milion euro që ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim.
Diskutime rreth kësaj post