I pranishëm në inaugurimin e shkollës “Luigj Gurakuqi”, kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë punën “për të bërë shtet, për të pasur një Shqipëri në punë dhe për të siguruar mirëqenie”.
“Shumë njerëz thonë “fasada, fasada”, që është shprehje e një mendësie që i takon të shkuarës. Nëse nuk të bën përshtypje e shëmtuara, por të shqetëson e bukura, je një fatkeq. Meriton të gjithë keqardhjen, por jo investimin e energjisë për të të mbushur mendjen. Rregull, pastërti, ngjyra dhe punë është Shqipëria që duam”, tha Rama.
“Ndërkohë që ne jemi në këtë shkollë të rilindur, Shqipëria që kemi ka shumë nevojë për shkolla që duan rindërtim, për shkolla të reja që t’i japim fund historisë së dy turneve. Me 20 shkollat e reja që po ndërtojmë, nuk do të ketë më dy turne dhe shkollat do të garantojnë mësimin normal dhe me ngrohje”, shtoi kryeministri.
Në fund, Edi Rama tha se, “përtej asaj që është politika dhe që zhvillohet në një katund politik e mediatik, Shqipëria tjetër nuk ka nevojë për këto, por për punë”.
“Do të vazhdojmë të punojmë për të bërë shtet, për të pasur një Shqipëri në punë dhe për të siguruar mirëqenie. Mirëqënia vjen nga puna e të gjithëve”, deklaroi kreu i qeverisë.
Diskutime rreth kësaj post