Një ditë më parë, në disa media u raportua se Jozefina Topalli ishte takuar me ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Sipas disa mediave, Topalli i kishte siguruar ambasadorët, se PD do të marrë pjesë në zgjedhje.
Por, për këtë takim nuk pati asnjë deklaratë zyrtare, ndërkohë që vetë Topalli nuk e mohoi atë, por vendosi të heshte. Dhe duket se ky takim nuk e ka lënë indifferent Lulzim Bashën.
Madje, duket se ai është tërbuar dhe këtë gjë nuk ka mundur ta fshehë dot as në fjalimin e përditshëm në çadrën e PD-së. Ai tha se “nuk do të ketë pazar përmes disa politikanëve të mazhorancës dhe të opozitës që të vazhdojë vjedhja…”. “Nëse do të ketë dialog, nuk do të ketë pazar përmes disa politikanëve të mazhorancës dhe të opozitës që të vazhdojë vjedhja, por do të ketë dialog me standard europiane që t’i japë fund Republikës së Vjetër.
Për herë të parë, interesat e Republikës së Vjetër kërcënohen, sepse bashkimi popullor ka marrë vendim se as nuk do të hyjë, as nuk do pranojë, as nuk do lejojë zgjedhje fasadë, teatër kukullash, zgjedhje për Republikën e Vjetër apo zgjedhje për politikanët e korruptuar. Se ne jemi këtu për zgjedhje për qytetarët dhe zgjedhje për Republikën e Re”, vijoi Basha. “Sot e gjithë këtë javë, ndodhemi në një javë vendimtare të zhvillimeve.
Komploti kundër jush shpreson që përmes dialogut fasadë të arrijmë zgjidhje fasadë, ku PD dhe opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave, në shkëmbim të pazareve në emër të interesave të kupolës, që PD të marrë karriget e saj dhe llokmën e saj në kupolën kriminale të Republikës së Vjetër. Kjo është shpresa. Ky është projekti. Orët në vijim do ta shpalosin këtë” tha më tej Basha.
Ai nuk ka përmendur emra, por duket që e ka pasur për disa drejtues të rëndësishëm të PD-së, që kanë marrëdhënie korrekte me perëndimorët në Tiranë dhe mund të ndikojnë që PD të hyjë në zgjedhje. Dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për Jozefina Topallin, por edhe për Majlinda Bregun, Eduard Selamin e disa emra të tjerë, të cilët janë luajalë me perëndimin. TemA
Diskutime rreth kësaj post