Miqësia e Shpëtim Idrizit me Ilir Metën duket sa herë në Tiranë ka zhvillime politike. Para shpalljes së koalicionit në prill 2013, ata u shfaqën bashkë kur krijimi i një koalicioni të tretë ishte një opsion.
Po bashkë u shfaqën edhe para miratimit të reformës në drejtësi, kur u duk se koalicioni ishte në krizë. Dhe një ditë pas darkës me peshk të Ramës me Metën, Idrizi dhe kreu i LSI-së kanë drekuar edhe ata në një restorant peshku të njohur në Tiranë, pranë selisë së PDIU-së.
Burime pranë dy politikanëve pohojnë se fokusi ka qënë e ardhmja e koalicionit, me PDIU gjithmonë e më e vëmendshme në raportet mes dy partive kryesore, kostot e të cilave mund të bien në kurriz të saj.
Ilir Meta thuhet se ka konfirmuar atë që raportoi Top Channel, se tashmë koalicioni nuk vihet në diskutim. Ashtu siç nuk vihet në diskutim se tashmë ky koalicion ka tre partnerë kryesorë.
Tashmë shqetësimi kryesor që vjen nga Meta është tërheqja e opozitës në zgjedhje, kur, me regjistrimin e komisionerëve edhe në Kavajë, mospjesëmarrja në zgjedhje e LSI nuk është më një opsion.
Dhe ofertën më interesante deri tani në tregun politik e ka hedhur PDIU, e cila ka kërkuar zgjerim të grupeve të numërimit me të gjitha partitë parlamentare dhe jo vetëm katër, PS, PD, LSI dhe Partia Republikane.
Kjo do të rriste aksesin e të gjitha partive në grupet e numërimit dhe pamundësinë që procesverbalet të kalojnë vetëm me firmat e partive kryesore. Një hapje e tillë do të rriste transparencën dhe ulte mundësinë e vjedhjes apo tjetërsimit të votave.
Oferta publike e PDIU përputhet edhe me shqetësimin e Ilir Metës për të krijuar mundësitë maksimale që opozita të futet në zgjedhje, për të rritur besueshmërinë e procesit, duke përputhur shqetësimet e Partisë Demokratike, por edhe vendosmërinë e koalicionit për të mos konsideruar opsionin e qeverisë teknike, me të cilin pas takimit të se dielës është bashkuar zyrtarisht edhe LSI.
Sigurisht, kjo do të kërkonte ndoshta edhe shtyrjen e zgjedhjeve, me qëllim bërjen e një reforme më të besueshme elektorale, diçka që është diskutuar edhe në takimin mes Metës dhe Idrizit.
Ky i fundit takon të marrtën kryeministrin Rama, në një kontakt final para se PDIU të mandatojë kryetarin e saj për një negociatë zyrtare me socialistët. Një gjë është e qartë: koalicioni Rama-Meta-Idrizi po lëviz më shpejt sesa rivalët e mbetur tek çadra e lirisë. TCH
Diskutime rreth kësaj post