Top Channel raporton se “nga marrëveshja e 1 prillit 4 vjet më parë tek darka e 2 prillit të së dielës në qeverisjen Rama-Meta nuk kanë shkuar mirë shumë gjëra dhe përplasjet janë shtuar veçanërisht gjatë vitit të fundit të qeverisjes. Por darka e gjatë e së dielës duket se ia ka dalë të sheshojë të gjitha pakënaqësitë mes dy udhëheqësve të koalicionit, që mund të vinin në dyshim të ardhmen mes tyre. Takimi prej 4 orësh nuk ka qenë kokë më kokë dhe burime të mirinformuara bëjnë të ditur për Top Channel se gjatë darkës palët janë dakordësuar për rifreskimin e marrëveshjes për një mandat të dytë qeverisës.
4 orët e bisedës nuk kanë qenë të lehta, sepse darka duket se ka reflektuar mosmarrëveshjet dhe konfliktet e 4 viteve të qeverisjes, për të cilat Rama dhe Meta mësohet se kanë patur shumë për t’i thënë njëri-tjetrit. Kjo pjesë ka zënë pothuajse gjysmën e bisedës së tensionuar mes Metës dhe Ramës, që shoqëroheshin i pari si gjithmonë nga Petrit Vasili, ndërsa i dyti nga Erion Veliaj, që për herë të parë shfaqet publikisht si njeriu që ka ndihmuar ruajtjen e marrëdhënies edhe në kohë të vështira mes palëve, që ka lehtësuar komunikimin mes Ramës e Metës dhe, mesa duket për shkak të marrëdhënies shumë të mirë edhe me kreun e Kuvendit do të jetë një garanci e re e funksionimit të marrëveshjes së re mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndoshta jo pa qëllim, edhe takimi mbrëmjen e së dielës u zhvillua pranë Pazarit të Ri, simbolit më të freskët të punës së Erion Veliajt si kryetar bashkie. Një detyrë që nuk do ta kryente dot pa votat dhe bashkëpunimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Marrëveshja e re mes Ramës dhe Metës për të cilën flasin burimet e Top Channel erdhi pak orë pasi në Asamblenë e Partisë Socialiste ishte duartrokitur fort opsioni i fitores së PS pa LSI. Paradoksalisht, dy personat që ushqyen konfliktin mes palëve dy javët e fundit, Saimir Tahiri dhe Luan Rama, nuk janë përshtatur ende me klimën e re. “Bashkë me shqiptarët do të fitojmë pa diskutim, edhe vetëm do fitojmë. Me të gjithë përballë PS do të fitojë”, deklaroi pak ditë më parë Tahiri. “Cila marrëveshje? Kush ju tha që ka një marrëveshje? Keni qenë prezent në darkën e djeshme?”, tha këtë të hënë Rama. Megjithatë, Top Channel mësoi se në darkën e marrëveshjes Edi Rama dhe Ilir Meta kanë rënë dakord të përjashtojnë qeverine teknike si mundësi konsensusi me opozitën, por është lënë hapur mundësia e një reforme të plotë zgjedhore, e cila mund të kërkojë kohë përtej afatit të zgjedhjeve”. / Top Channel
Diskutime rreth kësaj post