Javën e ardhshme presim lirimin e Haradinajt nga Franca. Jemi plotësisht të pakënaqur me institucionet e Kosovës lidhur me këtë proces. Zgjatja e këtij procesi lë shumë pikëpyetje se për ndalimin e tij, përveç Serbisë, kanë gisht edhe në Kosovë. Ky dyshim do të vërtetohet edhe më shumë nëse rikthehen në Parlament demarkacioni e asociacioni. Qysh tash jemi të gatshëm për zgjedhje dhe do t’i fitojmë. Edhe para zgjedhjeve tjera na kanë thënë se AAK hyn në koalicion me PDK’në dhe ka ndodh e kundërta. Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Blerim Kuçi flet për Express.
Express: Cilat janë pritjet e AAK’së lidhur me seancën e 6 prillit lidhur me gjykimin e Haradinajt që ndodhet ende në ndalim në Francë.
B. Kuçi: Pritjet i kemi pasur edhe më herët se do të lirohet. Do të lirohet edhe më herët. Do të ishte shumë normale po të lirohej. E para, më së miri do të ishte të mos ndalohej fare. E dyta, të lirohej në seancat paraprake. Normalisht, edhe më 6 prill presim që z. Haradinaj të lirohet. Aleanca vlerëson se ndalimi i Haradinajt është proces politik që po zhvillohet në Francë, nuk e di pse, tash edhe më 6 prill nuk e dijmë saktë se a do të lirohet, apo me të 15’in.. Nuk e di.
Express: Cili është vlerësimi i juaj lidhur me punën e institucioneve të Kosovës lidhur me lirimin e Haradinajt nga ndalimi në Francë?
B. Kuçi: Në fillim u dukë se disa procedura që i kanë zhvilluar se ka pasur një lloj normaliteti. Jo ndonjë aktivitet shtesë, por, një normalitet. Mund të them se jemi plotësisht të pakënaqur sepse po që se procesi është politik, nuk është assesi ndërhyrje në procesin gjyqësor të Francës, sepse, baza dhe burimi i kësaj çështjeje, është politike pasi vjen nga Serbia. Atëherë, institucionet tona është dashur të bëjnë më shumë. Edhe pse kaloi një lloj Rezolute në Parlament, Qeveria jonë ka pasur mundësi të bëjë më shumë. Të ndikojë edhe në burimin e kësaj baze, të këtij procesi, që është Serbia. Pastaj edhe në Francë të ndikojë më shumë, qoftë edhe në BE. Pra, është dashur të bëhet shumë më shumë në këtë drejtime.
Express: A besoni se ka ndonjë ndërlidhje ndalimi kaq i gjatë i Haradinajt me ndonjë temë politike në Kosovë?
B. Kuçi: Ndalimi i Haradinajt është shumë dimensional. A ka bashkëpronarë kjo ndalesë edhe në Kosovë apo është jashtë Kosove, të këtij procesi, unë nuk e di. Zgjatja e këtij procesi, për neve, ka shumë pikëpyetje të mëdha.
Express: Gjatë kësaj kohe, është përmendur se do të rikthehen dy temat për të cilat AAK dhe Haradinaj janë kundër, si demarkacioni e asociacioni. A po tentohet të kthehen këto dy tema prapa shpinës së liderit të AAK’së?
B. Kuçi: Asociacioni dhe Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë kthehen pa z. Haradinaj, atëherë, adresa është edhe më e saktë për neve se përveç burimit që e ka në Serbi ndalimi i Haradinaj, janë kyçur edhe disa elementë tjerë. Ky fakt, për neve, tregon pak më shumë.
Express: Rrjedhimisht, ju po e ndërlidhni ndalimin e Haradinajt në Francë me rikthimin e dy temave – demarkacion e asociacion – në Parlament?
B. Kuçi: Në qoftë se këto dy tema kthehen pa z. Haradinaj këtu, atëherë, për mu është situata e qartë. Ose së paku ka të kënaqur që z. Haradinaj që ndodhet në Francë për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova sot.
Express:: Sidoqoftë, Haradinaj edhe nga Franca tha se s’bën të votohet demarkacioni pasi atdheu është i shenjtë dhe nuk bën të falet tokë?
B. Kuçi: z. Haradinaj ka treguar së paku se është një lloj i profilit të politikanit tjetër. Ne temat nacionale ka qëndrueshmëri, vërtetë, të madhe. Edhe përfaqëson boshtin tjetër të politikanit. Boshti tjetër i politikanëve, siç duket, ka probleme, së paku tash për tash, ose në të kaluarën e afërt. Z. Haradinaj, tash për tash, është i papranueshëm së pari prej kolegëve të vetë, e dyta prej Serbisë, ndoshta edhe prej disa miqve ndërkombëtarë, që ndoshta e shohin realizimin e disa marrëveshjeve që janë bërë paraprakisht, më lehtë më profile tjera të politikanëve. Jo me z. Haradinaj. Mirëpo, situata është ndryshu. Situata po ndryshon në terren. Situata po ndryshon te qytetari. Sepse qytetari është në kërkim të një profili si të Haradinajt për Kosovën. Jo të politikanëve tjerë, të cilët deri më tash na kanë përfaqësuar.
Express: Është përmendur edhe opsioni i zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Sa janë mundësitë që zgjedhjet të mbahen edhe pa z. Haradinaj në Kosovë?
B. Kuçi: Në Kosovë gjithçka mund të ndodhë. Kosova është mësu të mbajë zgjedhje edhe pa z. Haradinaj. Dua ta rikthejë vëmendjen pak në vitin 2004 kur z. Haradinaj ka qenë Kryeministër dhe është dërguar në Hagë, atëherë kur Kosova kishte pritje dhe shpresë të madhe për të ardhmen e ndritur të Kosovës. Z. Haradinaj ka shkuar në Hagë edhe më 2010, kur Aleanca dhe z. Haradinaj kanë marrë 18 për qind të votave në zgjedhjet e vitit 2009, kur u krijua një shpresë për z. Haradinaj. Edhe tash kur AAK është partia me e strukturuar në Kosovë, me një rritje të pamatur, graduale, por askush s’ka mundur ta matë këtë rritje, atëherë, z. Haradinaj i krijohen pengesa të reja. Pra, Haradinaj ka pasur pengesa më 2004 kur ishte Kryeministër dhe ishte shpresa për të bërë pozitive për Kosovën. Është pengu në vitin 2009-2010 kur Aleanca mbi 18 për qind të votave dhe është bërë në këtë kohë, kur AAK është e strukturar dhe rritja e saj nuk matet. Pse po ndodhin krejt këto nuk mund t’i them të gjitha.
Express: Në të njëjtën kohë me zgjedhjet, po përmendet edhe mundësia që AAK të futet në koalicion me PDK’në pas zgjedhjeve. Sa do të jetë e mundshme të ndodhë një gjë e tillë dhe sa është e vështirë për AAK’në një veprim i tillë?
B. Kuçi: Ne kemi qëndrim të partisë t’i fitojmë zgjedhjet dhe pastaj me zgjedh me NISMA’n partnerin tonë. Ky është synimi jonë i vetëm në këto zgjedhje. Kanë thënë edhe më 2010 se do të hyjmë në koalicion me PDK’në, por nuk kemi hyrë. Kanë thënë edhe më 2014 se do të hyjmë me PDK’në, por, nuk kemi hyrë. Thashethemet po dalin prej partive të cilat shkojnë me PDK’në. Ne nuk po themi që nuk do të hyjmë me PDK’në, por ne po themi se do po punojmë t’i fitojmë zgjedhjet. Kësaj radhe, po punojmë t’i fitojmë zgjedhjet, pa e tepru asgjë në këtë deklarim timin. Rritjet tona janë të vazhdueshme. Rasti i Haradinajt iu ka kthyer bumerang të gjithë atyre që janë projektues të ndalimit të tij në Francë, qoftë edhe Serbisë, qoftë edhe brenda, qoftë edhe jashtë. Po shkojmë drejt fitores në çfarëdo zgjedhje që mbahen. Nuk kemi pasur që të ketë zgjedhje të parakohshme. Mirëpo, për ne është e pranueshme kushdo që i shpallë zgjedhjet. Sa më shpejt aq më mirë do të jetë.
Diskutime rreth kësaj post