Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kopshti Zoologjik i Varshavës në kryeqytetin e Polonisë, u bë një strehë për hebrenjtë e fshehur nga persekutimi nazist. Filmi i Niki Caros, “Zookeeper’s Wife”, paraqet në mënyrë kronologjike këtë histori të vërtetë, duke theksuar guximin dhe dhembshurinë e veterinerëve Jan dhe Antonina Zabinski, një çift që rrezikuan jetën e tyre dhe jetën e djalit të tyre, për të mbrojtur ata që ishin në rrezik. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou njofton.
Jeta idilike e Antonina dhe Jan Zabinskit, pronarë të Kopshtit Zoologjik të Varshavës, ndryshon papritur kur nazistët pushtojnë Poloninë në vitin 1939. Djali i tyre, Ryszard, interpretohet nga aktori nga Kosova, Val Maloku, i cili ka interpretuar edhe tek filmi “Babai”.
Gjatë një sulmi ajror nazist, shumica e kafshëve të tyre vriten dhe ata që mbijetojnë përballen me një të ardhme të pasigurtë.
“Duhet të më besosh. Mund t’i marr kafshët e tua si trofe lufte në Gjermani. Mund t’i strehojmë aty”, thotë në film oficeri nazist Lutz Heck.
I orientuar nga lakmia dhe epshi, Lutz Heck, një oficer nazist, luajtur nga Daniel Bruhl, ofron ndihmën e tij për Antoninën. Skenaristja Angela Workman thotë se Lutz ishte një figurë historike:
“Ai ishte shefi zoolog i Hitlerit. Familja e tij kam përshtypjen se ende shumëzon bagëti dhe cdo gjë që themi për të në film është e vërtetë. Ai ka ndjenja për Antoninën. Ai mund të hynte kur të donte. I kontrollonte ata. Kishte shumë instikte të forta dhe mendoj se ishte si gjahtar në një farë mënyre. ”
Megjithëse e frikësuar nga Heck, Antonina Zabinski manipulon ndjenjat e tij dhe e bind ta lërë atë dhe të shoqin ta mbajnë kopshtin zoologjik hapur, duke operuar si një fermë derrash për trupat naziste. Nën hundën e Heck-ut, ata strehojnë hebrenj nga getot e Varshavës dhe i fshehin në tunele dhe kafazë të nëndheshëm për kafshët gjatë gjithë luftës.
Jessica Chastain e përshkruan Antoninën si të kujdesshme, si me kafshët ashtu edhe me njerëzit.
Filmi The Zookeeper’s Wife tregon historinë e Holokaustit nga prespektiva e një gruaje, thotë regjisorja Niki Caro, e cila punoi me një grup të madh artistësh.
“Feminiliteti ka qënë shpesh i barazuar me dobësi. Por, një personazh si Antonina na tregon se mund t’i kesh të dyja, edhe të jesh e butë edhe e fortë”, thotë ajo.
Antonina Zabinski shpëtoi jetët e gati 300 hebrenjëve, duke përdorur kopshtin e saj si një stacion. Gjatë ditës ata fshiheshin në qilarin e kopshtit ndërsa natën dilnin sapo e dëgjonin atë të fillonte t’i binte pianos. Ishte shenja e saj se nazistët ishin larguar.
Në një shfaqje të filmit në muzeun e Holokaustit, në Washington, DC, skenaristja Angela Workman tha se megjithëse ishte bazuar tek romani i shkrimtares Diane Ackerman, ajo kishte marrë shkas edhe nga historia e familjes së saj.
“Jam shumë e emocionuar që ndodhem në këtë muze, sepse kalova shumë kohë këtu ndërsa shkruaja skenarin. Më duket sikur shoh fytyrat e anëtarëve të familjes sime në muret e muzeut. Jam e nderuar që ndodhem këtu. Mendoj se filmi është shumë i bukur”, i tha skenaristja Zërit të Amerikës.
Edhe Jessica Chastain ishte shumë e prekur nga atmosfera solemne e muzeut. Ajo tha se filmi dërgon një mesazh për krizën e sotme të refugjatëve.
“Pa dyshim. U trondita kur mësova se familjes së Ana Frank-ut i ishte mohuar dy herë viza për në Shtetet e Bashkuara. Antonina ishte refugjate. Ajo ishte lindur dhe rritur në Rusi dhe gjeti strehë në Varshavë dhe aty krijoi një strehë edhe për të tjerët. Shpresoj që njerëzit ta shohin filmin dhe të frymëzohen nga ndjeshmëria dhe mirësia e saj dhe të bëjnë gjithçka për të ndihmuar të tjerët”, thotë Jessica./Zeri i Amerikes
Diskutime rreth kësaj post