Në Itali, në datë 1 prill, do të hyjë në fuqi ligji “Për delokalizimin”. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.
Ndërkohë Shqipëria ka nisur të ndiejë efektet. TIM, Sky, Fastweb kanë reduktuar kontratat në Shqipëri.
Për ministren e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, është më se normale që shteti italian të mbrojë interesat e biznesit të tij përmes hartimit të këtij ligji. “Ky ligj mund të ketë ndikim për mënyrën sesi operojnë call center-at në Shqipëri.
Për të gjetur një mundësi bashkëpunimi, një vijë të mesme, ne jemi përpjekur që t’ia bëjmë me dije ambasadës italiane nëpërmjet saj edhe qeverisë italiane se në cilat aspekte po influencojnë te call center-at në Shqipëri. Në vend ka edhe një shoqatë që mbron interesat e këtyre kompanive dhe ne jemi takuar disa herë për të parë sesi mund të reagojmë në këtë situatë. Kjo është diçka që shkon në proces në lidhje me mënyrën sesi po negociojmë”.
Më përpara kemi hartuar një letër, ia kemi kaluar ambasadës italiane, e cila ka bërë edhe ajo reflektimin e saj pranë qeverisë italiane për të parë çfarë ndryshimesh po ndodhin në ligj. Në këtë rrugë ne po vazhdojmë të punojmë për të pasur një situatë “win -win” në momentin kur do të hyjë në fuqi ligji.
Ligji antidelokalizim synon të forcojë masat ndaj fenomenit “dumping” në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Itali, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës është transferuar në Shqipëri për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane. Ligji vendos sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtja e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimi i punonjësve etj. P.sh., mosinformimi i vendit nga bëhet thirrja shoqërohet me një sanksion administrativ prej 50,000 eurosh për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve ‘jo të rregullta’./Monitor
Diskutime rreth kësaj post