Deputetja e LSI-së, Silva Caka, ka shpërthyer në akuza ndaj ish-ministrit Blendi Klosi, të cilit i kujton edhe lojën e bixhozit. “Përpjekja e Z. Klosi për t’ua shkarkuar qytetarëve të Beratit krizën e shkarkimit të tij si Ministër, është e pamoralshme.
Pas dështimit të bojkotit të papritur të mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga këshilltarët e Partisë Socialiste në Bashkinë e Beratit, të urdhëruar nga Z. Klosi, ai keqpërdori edhe kryetaren e Partisë Socialiste në Berat, për të shpifur ndaj punës së Bashkisë së Beratit dhe Kryetarit të saj.
Të gjithë jemi të çuditur si nga bojkoti i këshilltarëve të Partisë Socialiste, ashtu edhe nga shpifjet, pasi deri më sot, ne kemi patur bashkëpunim shumë të mirë me Partinë Socialiste dhe deputetët e saj, deri së fundmi, kur në këtë qark është deleguar Z. Klosi, e sidomos pas shkarkimit të tij nga Ministër.
Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të jetë bashkëpunuese e transparente, pasi e ardhmja e Beratit, për ne nuk është një natë bixhozi”, shkruan ajo.
Por menjëherë pas akuzave të saj, ka reaguar Blendi Klosi, që e ka cilësuar të ulët mënyrën e reagimit të saj.
“E dashur Silva, më vjen keq që ti ndërmerr një sulm personal ndaj meje, ndërkohë që unë kurrë nuk përgojoj, akuzoj, ofendoj as politikanë me bindje të kunderta, dhe jo më ty. Një kolege e respektuar, grua dhe nënë.
Por nuk mund të rri dot pa i’u përgjigjur jo akuzave apo ofendimeve të tua, por reagimit tënd joparimor pas qëndrimit të këshilltarëve bashkiakë të Beratit, në përpjekjen për t’i dhënë një mesazh publik kryetarit të Bashkisë.
Jo Silva. Kryetarja e PS Berat as nuk është keqperdorur nga dikush tjetër, as nuk ka shpifur ndaj punës së Bashkisë se Beratit apo kryetarit të bashkisë. Po të verifikosh rrethanat që e kane shtyrë PS Berat të mbajë këtë qëndrim, do të kuptosh se s’ke asnjë arsye të cuditesh. Përkundrazi. Të cuditurit janë socialistët që hiqen nga puna. Socialistët që vihen nën presion për t’u konvertuar në anëtarë të partisë suaj, sepse përndryshe hiqen nga puna. Socialistët që duhet të shpallin besnikërinë ndaj LSI në facebook se po nuk e bënë hiqen nga puna.
Kështu që e dashur kolege, mos u cudit hic që PS e Beratit mbron publikisht dinjitetin e njerëzve të saj, pasi nuk ka arritur dot ta sigurojë këtë mbrojtje në takime e biseda pafund me kryetarin e bashkisë. Mjaft me këtë loje se nuk ka asnjë kuptim që duke qene forca e parë e koalicionit edhe në Berat, dhe pasi kanë mbeshtetur fuqimisht Petrit Sinajn për t’u bërë kryetar, socialistët të trajtohen si qytetarë të dorës se dyte. T’u shkelet e drejta për punë dhe dinjiteti i tyre njerëzor.
Nëse dëshiron e nderuar kolege, të ulemi dhe diskutojmë me fakte në tavolinë dhe të degjojmë dëshmitë rrënqethëse të keqtrajtimit të socialistëve këtu në Berat, unë jam gati. Sepse për mua kjo aleancë është më e rëndësishme se fyerja publike që më ke bërë përmes mesazhit tënd. Por, dinjitetin e socialistëve të nëpërkëmbur, nuk më shkon për asnjë sekondë në mend ta negocioj.
Miqësisht
Blendi”, thuhet në reagimin e Klosit.
Diskutime rreth kësaj post