Nuk zgjati shumë dhe ish-deputetit “trim” të PD, njëkohësisht kryetar i kësaj partie në qytetin e Lushnjës, në derën e shtëpisë i “trokiti” ligji dhe policia. Ish-i Myslim Murrizi, që me një gjuhë rruge, shpërtheu në sharje e fyerje kundër efektivit të policisë, gjatë mesditës së sotme, vetëm pse ky i fundit e ndaloi për t’i vendosur gjobë, për mos mbajtien e rripit të sigurimit, tani duhet të përgjigjet para ligjit.
E teksa efektivi, krejt profesionalisht i bëri me dije, se ai sikurse çdo qytetarë i këtij vendi është i barabartë para ligjit dhe ishte në shkelje të tij, Murrizi e kundërshtoi disa herë, madje nuk u mjaftua, por shpërtheu në fyerje ndaj tij dhe të gjithë Policisë së Shtetit, duke i etiketuar si halabak, fundërrina, trafikantë droge dhe bastard. Ish-deputeti “halabak” i shpallur tashmë në kërkim, u kthye shumë shpejt në ish-trim, pasi ja mbathi me të katërta, kur policia shkoi ta arrestonte në banesë.
Ajo që bie në sy, është injoranca e ish-deputetit, pasi video e dhunës verbale është regjistruar nga vetë Murrizi dhe më pas e hedhur me krenari, në profilin e tij në rrjetin social Facebook. Pak momente më parë, pasi u shpall në kërkim nga policia dhe u bë “rezil” nga opinioni qytetarë, Murrizi e hoqi menjëherë videon, nga frika, ose ndoshta dikush i ka “tërhequr” veshin për xhestin krejtësisht të pacivilizuar.
Një precedentë i tillë nuk është fare i panjohur, pasi kohë më parë, ishte deputetja e PD-ës, Albina Deda, me të njëjtën gjuhë fyese, në shkelje të ligjit duke mos u bindur “se ishte deputete”, ka sulmuar efektivët e policisë dhe shefin e tyre, duke i akuzuar si kriminela dhe trafikant droge.
Të tilla skena të kujtojnë kohën e “Qoftëlargut”, ku policia nuk kishte dinjitet, madje merrej prej leckash e shpullash nga deputetët, e t’u vendosje gjobë as që bëhej fjalë. Pyetja e ish-deputetit drejtuar policit: “Si e ke emrin ti?”, duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj tij, janë ditë të “zeza” të policisë dhe zyrtarëve arrogantë të kohës që menduam se lam pas.
Fatkeqësisht, njerëzit e Republikës së çadrës akoma nuk e kanë kuptuar, se shteti është shtet dhe ligji është ligj. Injektimet që marrin nga fjalimet e njerëzve të inkriminuar, të grumbulluar në atë vend për përdorimin e dhunës, “mosbindje civile” e dhjetra pallavra të tjera, i bëjnë tipat si trimi Murrizi, të kthehen në viktima të injorancës, deri vetëposhtërim.
Diskutime rreth kësaj post