Në shtator të vitit 2014, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM) në Ministrinë e Mbrojtjes, e njohur dhe si Shërbimi Informativ Ushtarak (SHIU), është përfshirë në një skandal, ku kompjuteri i drejtorit të SHIU-t ishte hakuar.
Një zyrtare e lartë e kësaj drejtorie ka ndërhyrë në kompjuterin e drejtorit të SHIU-t, duke i thyer kodet e sigurisë. Më tej, ajo ka kopjuar të dhënat që ndodheshin në të.
Ngjarja e paprecedente, e mbajtur në sekret të plotë, ka ndodhur 30 shtator 2014 me zyrat e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes, që kanë për detyrë garantimin e sigurisë së personelit, të informacionit, infrastrukturës dhe të sistemeve të komunikimit, shkëmbimit, transmetimit të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, ose të NATO-s.
Kopjimi i informacionit në kompjuterin e drejtuesit të kohës i shërbimit inteligjent ushtarak, gjeneral brigade Ylber Dogjanit, është bërë vetëm pak ditë para se ai të lirohej nga kjo detyrë. Hetimi i rastit dhe zbulimi i personit që kishte “futur duart” në kompjuterin e tij është bërë nga vetë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Pas verifikimeve të kompjuterëve të punonjësve të tjerë, pamjeve të kamerave të sigurisë së zyrave të punës dhe intervistimit të të dyshuarve, është zbuluar se ndërhyrja ishte bërë nga shefja e Sektorit të Mbrojtjes Kibernetike në SHIU, Elfrida B.
Ajo ka pranuar të ketë marrë informacionin nga kompjuteri i drejtorit “me qëllimin për t’i bërë kopje të gjithë informacionit që ky drejtor dispononte, meqenëse për të kishte dalë urdhri i largimit nga detyra”.
Elfrida B. është proceduar në vijim nga Prokuroria e Tiranës dhe është dërguar si e pandehur në gjykatë për akuzën “hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Më 13 mars 2017, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj saj, me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Sipas vendimit, ajo u shpall e fajshme për akuzën dhe u dënua me 4 muaj heqje lirie. E pandehura nuk do të shkojë në qeli, pasi gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe lënien e saj në liri me kusht për një periudhë 18-mujore.
Diskutime rreth kësaj post