Nga falja e borxheve fiskale për biznesin do të përfitojnë mbi qindra-mijëra individë, sipas ministrit të Financave. Në prezantimin në Parlament të projektligjit, Arben Ahmetaj tha se ai është dakortësuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Sot bëhet lehtësim i fshirjes së detyrimeve të pagesave të pjesshme, në mënyrë që mos cenojmë barazinë në pagesën e detyrimeve. Ky ligj ka si objektiv të lehtësojë tatim-paguesit, të përmirësojë klimën e biznesit, të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit. Është një ligj i konsultuar me specialistët në vend dhe në botë”, tha Ahmetaj.
Falja e borxheve tatimore dhe doganore për biznesin dhe individët do të bëhet deri në 31 dhjetor të 2017. Falja do t’i shtrijë efektet deri në vitin 2014. Për periudhën nga viti 1996 deri në 31 dhjetor 2010, falen të gjitha detyrimet e papaguara së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat. Për periudhën 1 janar 201 deri 31 dhjetor 2014. falen gjobat dhe kamatëvonesat me kusht që të paguhet detyrimi. I njëjti parim do të ndiqet për taksat e makinave.
Për detyrimet e sigurimeve shoqërore si për të punësuarit në qytet, ashtu edhe për ata në fshat, do të falen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, kurse kontributi jo.
Përfituese të faljes së boxheve fiskale do të jenë edhe ndërmarrjet publike, veçanërisht ujësjellësat dhe kompanitë energjetike.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post