Kreu i PAA Agron Duka vlerëson se situata aktuale politike në Shqipëri është shumë e komplikuar. Sipas tij gjithçka po ndodh në kushtet kur kriminalizimi ka përfshirë politikën deri në rangjet e saj më të larta.
I fokusuar në sektorin e bujqësisë drejtuesi i PAA thotë se në këtë drejtim qeveria ka shënuar një dështim të plotë, ndërsa i pyetur për strategjinë e luftës kundër kultivimit të kanabisit, Duka vlerëson se kemi të bëjmë me një lëvizje hipokrite, pasi ka qenë vetë qeveria që e ka lejuar kanabizimin e vendit.
Zoti Duka protesta e opozitës ka kaluar tanimë muajin e parë dhe situata politike është akoma e paqartë. Mendoni se do të ketë një parlament të ardhshëm pa opozitën?
Jemi në një situatë aspak normale. Teknikisht zgjedhje pa opozitën mund të ketë, por moralisht do të shënonin një dështim të rendit demokratik. Një Kryeministër i përgjegjshëm në këtë pikë duhet të tentojë dialogun, jo të përdorë një fjalor anatemues kundër një grupimi politik që është votuar nga një pjesë e popullit që ai qeveris. Situata në vend është tejet e komplikuar. Kriminalizimi deri në nivelet më të larta, deri në parlament, paratë e drogës dhe milionat e hedhura në koncesione dhe rilindje urbane do të mjaftonin për të ndërgjegjësuar këdo, por një mazhorancë e mbajtur në këmbë edhe nga mjete të paligjshme nuk njeh kritika konstruktive, por vetëm arrogancën. Po ju jap shembullin e Shijakut. U propagandua rindërtimi i qendrës së qytetit me një projekt që betonizoi sheshin dhe preu pemët ekzistuese. Rikonstruksioni i shëtitores përfundoi në gusht 2015 dhe kushtoi 1.1 miliard lekë të vjetër. Këtë muaj shëtitorja po rikonstruktohet nga e para. Në këto katër vite situata të tilla kanë qenë në rend të ditës, askush nuk mban përgjegjësi.
Z.Duka, Këshilli i Ministrave miratoi Planin e veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017-2020, ky plan parashikon një operacion të gjerë ndërinstitucional që do të sigurojë identifikimin e hershëm dhe goditjen që në gjenezë të përpjekjeve për kultivim apo trafikim. Cili është gjykimi juaj mbi këtë nismë?
Nëse ky plan zhvillohet në mënyrë rigoroze dhe serioze do të shënonte hedhjen e gurit të themelit në luftën kundër kanabizimit të vendit. Por problemi është se këtu jemi përpara një hipokrizie. Qeveria, e cila pak kohë më parë mohonte përhapjen në masë të këtij fenomeni, sot nxjerr nga mënga një as për fushatën. Pra me këtë plan qeveria po fakton dështimin e saj në këto katër vite dhe njëkohësisht u jep vlefshmëri akuzave që ne si opozitë kem ngritur për kanabizimin e vendit dhe pasojat ekonomike dhe politike që kjo mbart.
Z.Duka, në gjykimin tuaj cila do të ishte rruga më e mirë për të mbyllur këtë krizë politike?
Në këto kushte, Partia Agrare Ambientaliste, si parti e koalicionit opozitar konfirmoi unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshjeje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë. Mazhoranca është në një betejë të brendshme, vendi nuk po qeveriset por po ecën për inerci. Në këtë pikë një marrëveshje është e domosdoshme. Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti duhet t’iu bëjnë ballë përgjegjësive të tyre morale dhe institucionale duke të mundësuar një dialog konstruktiv gjithëpërfshirës. Sikurse patëm një reagim me shkarkimin e katër ministrave, Plani kundër kanabisit sugjeron se mazhoranca nuk është komplet shurdhe, shpejt do të cedojë. Opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar nuk do të lejojë që të bëhen zgjedhje vetëm me një grupim politik.
Z.Duka, sipas jush, si po përjetohet ky ngërç politik nga ana e qytetarëve?
Besojë se qytetarët e njohin situatën dhe janë të vetëdijshëm se faktorët e protestës, janë influencues edhe për jetën e atyre. Po ju jap një shembull. Partia Agrare Ambientaliste ka në fokusin e saj çështjet e bujqësisë, blegtorisë dhe ambientit. Diskutimi i këtyre çështjeve ka nevojë për përfaqësues ekspert dhe specialist, sot kjo gjë është e pamundur sepse parlamenti jo vetëm që është mbushur me kriminelë, por edhe me të paaftë që nuk njohin as ekonominë as ambientin. Nëse unë, si përfaqësues i PAA-së, dua të evidentoj dështimet dhe spekulimet me subvencionet për zhvillimin rural ose të jap kontributin tim konstruktiv në përmirësimin e këtyre skemave, cili mund të jetë një interlokutor në këtë parlament? Nëse kemi një ulje kronike të fondeve për bujqësinë, me kë ta diskutoj dhe implementoj? Me një mazhorancë që investoi në betonin e rilindjes urbane? Apo kanabizimin e bujqësisë? Besojë se qytetarët janë të lodhur nga kjo situatë.
Kriza politike e ka monopolizuar debatin në një farë mënyre, përtej marrëdhënieve mazhorancë-opozitë, si e shihni situatën ne vend?
Për sa iu përket atyre çështjeve që PAA-ja ka në fokusin e saj, situata nuk është aspak pozitive. Shqetësimi im është kryesisht te bujqësia. Mungesa e vizionit, si dhe sjellja abuzive dhe e papranueshme ndaj bujqësisë si gjeneratori më i madh i punësimit, mirëqenies dhe stabilitetit nënkuptohet lehtë edhe nga buxheti i pamjaftueshëm i vitit 2017. Fondi në dispozicion për skemat e shpërndarjes së subvencionimeve është zvogëluar, nga 1.9 miliardë lekë, në 1.6 miliardë lekë, në krahasim me një vit më parë, edhe pse kërkesa për financim të këtij sektori është rritur me kalimin e viteve. Nuk ka transparencë mbi lekët e taksapaguesve, mbi rezultatet e subvencionimeve, fituesit e skemave. /Mapo/
Diskutime rreth kësaj post