Numri i lindjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2016 ka qenë më i ulëti i regjistruar ndonjëherë, që nga vitet 1930, kur shteti shqiptar krijoi për herë të parë regjistrin civil dhe filloi të mbajë shënim mbi lindjet, vdekjet e martesat, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara të mërkurën nga Instituti i Statistikave si dhe nga të dhëna historike të para nga BIRN.
Përgjatë vitit 2016, numri i lindjeve qe 31,733, afro një mijë lindje më pak nga viti 2015 dhe 4 mijë lindje më pak se sa në vitin 2014.
Shqipëria ka pasur mbi 30 mijë lindje në vit që nga viti 1929, kur lindjet filluan të numërohen përmes themelimit të regjistrit civil. Në vitet 1980, lindjet qenë mbi 60 mijë në vit ndërsa në vitin 1990, lindjet arritën në 82 mijë. Pas vitit 1990, numri i lindjeve ra vazhdimisht deri sa u stabilizua pas vitit 2006 në rreth 35 mijë. Arsyet kryesore të rënies së lindjeve pas viteve ’90 lidhen me ndryshimet kulturore në familjen shqiptare si dhe me shkallën e lartë të emigrimit mes të rinjve, emigrim që sjell detyrimisht rënie të martesave e të lindjeve. Rreth vitit 2008, besohej se numri i lindjeve qe stabilizuar tashmë, pasi treguesi tjetër kyç, raporti i fëmijëve nën 14 vjeç me numrin e grave në moshë riprodhuese, ra në 1.6 fëmijë për grua, para se të rritej lehtë në 1.8 fëmijë për grua. Por rënia e mëtejshme e numrit të lindjeve në vitet 2015 dhe 2016, rënie që ka gjasa është shkaktuar nga vala e re e emigrimit të popullsisë shqiptare drejt Europës, pritet të ketë pasoja të shumëfishta të rënda për demografinë, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në dekadat e ardhshme.
Aktualisht popullsia shqiptare është në pakësim dhe në plakje të shpejtë. Pakësimi i popullsisë banuese në Shqipëri përgjatë dy dekadave të fundit ka ardhur si pasojë e emigrimit. Dhe plakja e popullsisë ka ardhur njëkohësisht si pasojë e emigrimit, (të emigruarit kanë moshë shumë më të re se sa ata që mbetën) dhe si pasojë e rënies së lindshmërisë.
Numri i fëmijëve nën 14 vjeç, aktualisht 522 mijë, pritet të bjerë më tutje gjatë viteve të ardhshme ndërkohë që numri i shqiptarëve mbi 65 vjeç, aktualisht 378 mijë, pritet të rritet me shpejtësi.BIRN
Diskutime rreth kësaj post