Kjo intervistë ekskluzive në ‘DITA’ me ish-ministrin e Mbrojtjes dhe ish-ambasadorin tonë në Rusi, Shaqir Vukaj, është një analizë realiste dhe largpamëse për zhvillimet aktuale në Ballkan dhe për aspiratën evropiane të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Një vështrim në historinë e luftërave ballkanike dhe botërore, shprehja e Bismarkut se “Në qoftë se ndonjëherë në Europë do të fillojë lufta, ajo do të fillojë nga ndonjë budallallëk në Ballkan” dhe pse Vukaj hedh poshtë supozimet e Jean Claude Juncker-it për rrezikun e një lufte të re në Ballkan. Realiteti shqiptar dhe pse duhen shpartalluar bandat që kanë pushtuar KLD-në, prokuroritë, gjykatat, zyrat e avokatisë, noterisë etj.
– Zoti Vukaj, po ju pyes si ish-ministër i Mbrojtjes, por edhe si ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë në Rusi. Duket se po ndjehet erë lufte në Ballkan. Ju e ndjeni këtë?
– Fjalët erë lufte në Ballkan janë tepër të rënda, pavarësisht kush i thotë. Për mendimin tim, situatë e rënduar, por jo erë lufte. Dikur, në kohën e tij, Bismarku ka pas thënë: “Në qoftë se ndonjëherë në Europë do të fillojë lufta, ajo do të fillojë nga ndonjë budallallëk në Ballkan”. Dhe ai ka pasur të drejtë. Lufta e Parë Botërore filloi pikërisht në Ballkan. Sot jetojmë kohë të tjera, por budallenj, nacionalistë të tërbuar, kriminelë ka edhe sot në Ballkan, njësoj si në kohën e Bismarkut, që fatkeqësisht nga ndonjëherë nxiten edhe nga faktorë të jashtëm. I tillë ishte edhe Millosheviçi që e futi Serbinë në luftë kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e së fundi kundër Kosovës e NATO-s, luftë që solli edhe fundin e tij. Por në kohën e sotme, vështirë se një luftë në Ballkan mund të mbesë vetëm brenda kornizave ballkanike. Prandaj kushdo që të do të ndërmerrte një aventurë të tillë duhet të matet shumë, sepse nuk dihen përmasat që mund të merrte një luftë e tillë. Sidoqoftë, si do të them edhe më poshtë, ne duhet të jemi të përgatitur.
– Nuk e them unë, por e ka paralajmëruar Presidenti i Komisionit Europian z. Jean Claude Juncker. Ai i tërhoqi vëmendjen Presidentit të SHBA që të mos nxisë vendet e tjera të BE të imitojnë Britaninë , me argumentin se shpërbërja e BE-së mund të jetë shkak për luftë në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se po t’i lemë vetëm, Bosnje Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria do të kemi përsëri luftë. A nuk duhet marrë seriozisht ky paralajmërim?
– Ballkanin e kanë quajtur “Fuçi baruti”, “Ballkani pjell më shumë histori se konsumon”, “Ballkani është pjesa e poshtme e barkut” etj. etj. epitete që na i kanë venë të tjerët dhe, nganjëherë herë jo pa të drejtë. Gjatë shekujve të fundit në Ballkan ose për Ballkanin janë zhvilluar luftëra të vazhdueshme. Pa u zgjatur do përmend se vetëm se gjatë dy shekujve, Rusia dhe Turqia kanë zhvilluar nëntë luftëra midis tyre, disa prej të cilave ka qenë të lidhura me Ballkanin ose për Ballkanin. Kujtojmë luftën Ruso-Turke të vitit 1878 që u zhvillua në Ballkan, luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913, Luftën e Parë Botërore që filloi në Ballkan, Luftën e Dytë Botërore ku u përfshi gjithë Ballkani, Luftën Civile në Greqi, luftërat në ish Jugosllavi, luftën për çlirimin e Kosovës etj. Pra një histori plot luftëra. Kohët e fundit shumë politikanë, analistë e politologë po i fryjnë shumë kësaj teze, duke e lidhur me fjalimet e Presidentit të ShBA, Tramp, gjatë fushatës zgjedhore, me largimin e Britanisë nga BE-ja, rritjen e ndikimit rus në Ballkan, me problemet e brendshme të vendeve ballkanike apo me problemet e pazgjidhura midis vendeve ballkanike.
Pavarësisht nga teprimet, situata në Ballkan nuk është e qetë, madje e mbarsur me shumë probleme e rreziqe. Në Serbi forcat nacionaliste janë njëlloj të fuqishme dhe aktive si më parë. Serbia po fuqizohet ushtarakisht me ndihmën e Rusisë, aleatja kryesore e saj. Beogradi, pavarësisht nga disa hapa, më shumë për t’u bërë qejfin ndërkombëtarëve e Brukselit, nuk ka hequr dorë nga Kosova që vazhdon ta quajë pjesë të Serbisë. Madje edhe ta provokojë, siç ishte rasti me rastin e trenit (prodhuar në Rusi) që deshi të futej në Kosovë pa leje. Jo pa të drejtë disa analistë e politologë paralajmërojnë se nuk përjashtohet një skenar ukrainas për t’u zbatuar nga Serbia edhe në Kosovë…
– Ju besoni në një skenar të tillë?
– Nuk ka rëndësi në besoj unë ose jo. Është realiteti që flet më shumë se unë dhe duhet besuar. Situata në Bosnjë Hercegovinë nuk është aspak e qetë. Republika Serbe atje funksionon si e shkëputur nga pjesët tjera të Bosnjës, madje Dodiku, Presidenti i saj ka deklaruar se do të zhvillojë referendum për shpalljen e pavarësisë së saj… Tentativa për grusht shteti në Mal të Zi, para pak muajsh dhe sipas shumë të dhënave me pjesëmarrjen e organeve të specializuara ruse, nuk duhet nënvleftësuar, por duhen marrë shumë seriozisht. Duhet pasur parasysh se në Mal të Zi, Beogradi ka baza të forta, në radhë të parë tek serbët që jetojnë aty dhe që përbejnë një pjesë të mirë të popullsisë së Malit të Zi. Dëshira e udhëheqjes së vendit dhe e një pjese të mirë të popullsisë malazeze për t’u pranuar në NATO, nga njëra anë, tentativat e Moskës për të penguar me çdo mënyrë pranimin ne këtë organizatë, nga ana tjetër, flasin për probleme e rreziqe edhe në ketë republikë… Zgjedhjet e fundit në Maqedoni, kanë krijuar një situatë aspak të këndshme, madje mjaft të rrezikshme. Nacionalizmi maqedonas i nxitur dhe i përkrahur edhe nga jashtë (jo vetëm nga Rusia) duhet parë si një faktor i rrezikshëm që mund të sjellë pasoja. Por edhe marrëdhëniet midis disa prej vendeve ballkanike, me probleme të trashëguara e te lindura vitet e fundit, mund te jenë burim konfliktesh.
– Zoti Vukaj! Ky kërcënim duket se vjen mbas fitores së Trump-it në ShBA, gjë që duket se ka rritur rolin e Rusisë në Ballkan, apo nuk është kështu?
– Sigurisht që fjalimet e premtimet e Trampit gjatë fushatë se zgjedhjeve kanë krijuar probleme, pasojat ë të cilave po ndjehen jo vetëm në Ballkan. Thirrjet e tij për të ndjekur shembullin e Britanisë për të dalë nga BE-ja, apo për rolin e Amerikës dhe NATO-s në të ardhmen, siç shihet, kanë gjetur terren në disa vende të Europës, e jo vetëm në Francë e Gjermani ku së shpejti priten të zhvillohen zgjedhje. Sigurisht këto qëndrime të Trampit kandidat, kanë krijuar terren edhe për Rusinë për të rritur prezencën e influencën e saj në Ballkan. Sigurisht Rusia ka qenë e pranishme dhe në forma të ndryshme nuk është larguar asnjë herë nga Ballkani.
– Si? Mund të flasim konkretisht?
– Natyrisht! Po të shohim situatën në Serbi, aty, nga njëra anë u ngjallën shpresa për t’u përfshirë e ndërhyrë më shumë në punët e Kosovës, nga ana tjetër, për të forcuar edhe më shumë marrëdhëniet me Rusinë, çka, ndërmjet tjerave, po realizohet në shumë fusha, por ajo që tërheq vëmendjen, nëpërmjet rritjes se marrëdhënieve në fushën ushtarake. Kështu edhe marrëveshjet e arritura midis dy vendeve dhe ndihma që po i jep Rusia në ketë fushë, duhet e parë e lidhur me fjalimet e Trampit… Po ashtu lidhjet e Rusisë me Republikën Serbe të Bosnje Hercegovinës, pritjet për Dodikun, Presidentin e kësaj Republike, që Moska e trajton si president i një vendi të pavarur, bisedimet me të, madje duke e joshur edhe për referendum për pavarësinë e kësaj republike. Ose situata e krijuar kohët e fundit në Maqedoni, ku Moska po ndërhyn edhe zyrtarisht se kush duhet të jetë në qeverinë maqedonase e si duhet jetë qeveria. Madje ajo nëpërmjet zëdhënësit të Ministrisë Jashtme, arrin deri aty sa të deklarojë se kërkesat e shqiptarëve për përfshirjen e gjuhës shqipe, çojnë në krijimin e Shqipërisë së Madhe… Tepër e rrezikshme duhet konsideruar tentativa për grusht në Mal të Zi para pak muajsh e ku, siç po thonë lajmet e fundit, Moska ka qenë tepër aktive Moska, janë sinjale për rreziqe që e presin Ballkanin në të ardhmen, në qoftë se vetë ballkanasit e sigurisht partnerët tanë nuk do të jenë të kujdesshëm.
– Si e mendoni të ardhmen e BE-së dhe rolin që duhet të luajë ai për Ballkanin Perëndimor?
– Për mendimin tim, BE-ja ka përgjegjësi për zhvillimet e fundit në këtë pjesë të Ballkanit. Ky Junckeri që paralajmëron tani për luftë, në se BE-ja do të shpërbehet, duket se ka më shumë hallin e vet se sa tonin, të Ballkanit Perëndimor. Besoj e mbani mend, se kur u zgjodh President i Komisionit Europian, në vitin 2014, deklaroi me të madhe se, për pesë vjet nuk do të kishte asnjë pranim të ri në BE. Qoftë edhe ky deklarim i vetëm, pa folur për të tjerat, ndikoi për keq në këtë pjesë të Ballkanit, që dihet se edhe kështu siç është, si pjesa më delikate ose “e fundit të barkut” të Europës ka qenë e vazhdon të jetë e mbarsur me rreziqe. BE-ja duhet të kishte ndihmuar më shumë, të kishte qenë më e kujdesshme, më e hapur me këto vende dhe të na ndihmonte më shumë në të gjitha fushat; të reformave, në fushën ekonomike, të drejtësisë, kulturës etj. Por duhet të shpresojmë se ngjarjet e vitit të fundit e kanë bërë BE- në më të mençur, më të hapur dhe ajo do të rrisin kujdesin e ndihmat për Ballkanin Perëndimor. Lidhur me të ardhmen e BE-së unë mendoj se, pavarësisht nga zhvillimet e kohëve të fundit, BE-ja nuk do të çojë dëm punën kolosale të bërë gjatë këtyre 60 vjetëve për krijimin dhe forcimin e saj. Përkundrazi dobësitë e të metat që përditë e më shumë po dalin në dritë, do të ndikojnë për mirë, për të rritur besimin tek të gjitha vendet e BE-së për ta forcuar këtë organizatë apo bashkësi të vendeve evropiane që u pa më së miri edhe në takimin e Romës që u zhvillua para dy ditësh.
– Sidoqoftë, zoti Vukaj, a shikoni në horizont ndonjë luftë të re në Ballkan?
– Pavarësisht nga situata e renduar, duke e analizuar me gjakftohtësi situatën, unë nuk shoh rrezik real për ndonjë luftë të re në Ballkan.
– Në këto kushte, aspirata jonë europiane është më e fortë apo më e dobët?
– Pavarësisht nga luhatjet e problemet që mund të lindin e do të lindin gjatë rrugës për në BE, lufta e përpjekjet për t’u anëtarësuar në të, është e gjatë dhe aspak e lehtë. Unë mendoj se lufta dhe përpjekjet tona duhet të vazhdojnë në të gjitha drejtimet, madje më me intensitet e përkushtim. Sigurisht kjo i takon politikanëve tanë, të cilët thënë në tërësi nuk po tregohen në nivelin e duhur, madje disa prej tyre po ndikojnë për keq, për të mos thënë kundër interesave shqiptare. Shikoni ç’po bëhet kohët e fundit. Do kemi apo s’do kemi zgjedhje, do të zgjidhet apo jo presidenti, do të marrë pjesë opozita në zgjedhje në zgjedhje apo jo, e kështu mund të vazhdohet pa mbarim. E të gjitha këto shkojnë kundër interesave të popullit shqiptar e të Shqipërisë.
– Aspirata evropiane e shqiptarëve është e lidhur edhe me reformën në drejtësi. Si ju duken përpjekjet për ta penguar atë?
– Miku im! Flitet shumë për vetingun e sistemin e drejtësisë. Dihet nga të gjithë shqiptarët se ne nuk kemi sistem drejtësie, por kemi disa banda që kanë pushtuar KLD-në, prokuroritë, gjykatat, zyrat e avokatisë, noterisë etj. Të gjitha këto duhen shpartalluar një orë e më parë e të krijohet ai sistem i vërtetë drejtësie, të cilin me të drejtë na e kërkojnë si kusht BE-ja dhe ShBA, e në radhë të parë e duam ne shqiptarët, por që disa politikanë tanë e pengojnë me të gjitha mënyrat.
– Sidoqoftë përballë këtij realiteti të ri a ndjehet nevoja për përmirësim të qëndrimit të Shqipërisë në politikën e jashtme?
– Në çdo kohë e për çdo problem ka nevojë për shqyrtim të politikës së zhvilluar e qëndrimeve të mbajtura. Për mendimin tim, së pari duhet ndrequr, përmirësuar e madje ndryshuar rrënjësisht politika e brendshme e në radhë të parë marrëdhëniet opozitë-pozitë. Ajo që po ndodh tek ne është e pa falshme edhe për një vend të largët e të humbur të Afrikës apo të Azisë. Kemi një shtet, në qoftë se mund të quhet shtet, pothuajse të bllokuar në shumë drejtime, ku shumë prej institucioneve kryesore funksionojnë të përgjysmuara apo sakatosura. Kemi një Presidencë që vetëm shpërndan dekorata si ato fletë lavdërimet që jepnin dikur Bashkimet Profesionale, madje ato nuk i prishnin e as i ndreqnin kujt punë, ndërsa këto si punë dekoratash që shpërndan Presidenca, herë pas here krijojnë tensione të pa nevojshme në shoqërinë shqiptare. Kemi një Kuvend çalaman nga të dyja anët, nuk kemi sistem drejtësie, kemi shumë medie të turpshme që janë shitur e shiten si ato mallrat e përdoruara tek Gabi etj.
– E pra, çfarë duhet të ndryshojmë?
– Së pari ne duhet të rregullojmë politikat e brendshme e pastaj të shohim për politikën e jashtme, sepse në fund të fundit ajo është shprehje e atyre politikave që ke e që ndjek brenda vendit. Për mendimin tim këto vite është ndjekur një politikë e kujdesshme e matur dhe dinjitoze, sidomos në marrëdhënie me fqinjët e me ShBA. Mendoj se në disa raste duhet të mbajmë kokën më lart me disa të huaj që vinë në Shqipëri e që bëjnë të dijshmin, e që duan të na japin mend, ose që bëjnë edhe të fortin… Po ashtu më shumë duhet të bëjmë për zhvillimin e marrëdhënieve me Kosovën e me shqiptarët që jetojnë kudo nëpër botë. Kjo sepse sot në Kosovë, Maqedoni, e kudo nëpër botë jetojnë pothuajse tre herë më shumë shqiptarë se në Shqipëri. Së fundi, kam një vërejtje për problemet e mbrojtjes. Vërtetë jemi anëtarë të NATO-s e jemi kushtuar me të gjitha forcat në këtë organizatë. Por mendoj se, pavarësisht nga ato që thashë më lart, se unë nuk shoh ndonjë rrezik real për luftë në Ballkan, mendoj se në fushën ushtarake dhe në të gjitha fushat që lidhen me mbrojtjen e vendit, duhet të jemi shumë të kujdesshëm e më vigjilentë e të bëhet më shumë, sepse shoh një lloj shkujdesjeje. Mos të mendojë askush se në rast rreziku do ta mbrojnë të tjerët… Historia, madje edhe e kohëve të fundit ka treguar se të tjerët mund të ndihmojnë, por vendit tënd duhet t’i dalësh ti zot (Mjafton të kujtojmë Srebrenicën, si e lanë atë të huajt në dorë të serbëve e ku u vranë rreth 8 mijë burra, të rinj e fëmijë). Gazeta DITA
Diskutime rreth kësaj post