“Mund të largohesh nga vendlindja, por asnjë herë vendlindja nuk largohet nga ty”. Kjo shprehje duket se është shkruar enkas për një artist si Agron Llakaj. Teksa lexon një intervistë të dhënë për portalin “Memaliaj.com”, kupton se mes artistit të njohur dhe qytetit të vogël në Jug të vendit ka një lidhje dhe marrëdhënie të jashtëzakonshme. Është një lidhje që vazhdon të jetë e fortë, si atëherë kur artisti i ri niste karrierën në skenën e vogël të Pallatit të Kulturës së qytetit, ashtu edhe sot kur suksesi e ka çuar në skenat më të ndjekura të artit në vend.
Intervistoi: Hudi Shehu
Qyteti Memaliaj, çfarë është për ju?
Çdo njeri ka një emër që identifikohet, ashtu dhe unë identitetin tim e kam të lidhur me këtë emër…MEMALIAJ. Për çdo kalimtar është dhe duket i rëndomtë, por për mua është minierë ari…ngrohtësie dhe dashurie, qyteti që më lindi, më rriti, akademia e jetës time! Sa shumë figura letrare do doja t’i kërkoja dhe t’ja dedikoja qytetit tim, por s’më mjaftojnë….e kërkoj në imagjinatën time ashtu të bukur siç edhe ka qenë, e kam në sy, e kam në zemër…, Memaliaj, mall, trishtim, dhimbje…, lot i pa rënë!
E kam me vete kudo që shkoj, kudo ku kam punuar e drejtuar….e kam patur dhe e kam për krenari që jam memaljot. Shumë herë vij në qytetin tim…, malli dhe ëndrrat nuk më kanë larguar asnjëherë nga aty, edhe kur s’jam fizikisht…, aty jam sërish…, diku nga “Balena” apo “Shkëmbi i rosave” apo “Zhuku”, “Dallga”, “Kampi”, “Vaja”, “Hakja” e deri te “Shkëmbi i polakut”…, në pallatin e kulturës duke bërë prova për shfaqjen e radhës, nëpër sektorët e minierës duke kënduar…, nga rrepet që më s’janë…e gjithandej ku shtrihet Memaliaj.
Çdokush ka hijen gjithmonë më vete, por unë trupin e kam këtu ku jetoj e punoj, e hijen e kam aty në qytetin dhe dashurinë time…, në Memaliaj! Një minierë që më shumë se qymyr, prodhoi dashuri. Edhe pse po vuan, edhe pse është kaq i trishtë…, është aq i madh dhe i bukur tek mua, se e dua dhe është era e vendit tim. Veç e kam një dallim…, sa herë kthehem në qytetin tim…, shumë pak njoh, është rritur një qytet i ri…, por unë nuk harroj kur të shkoj ne qytetin e ‘heshtur’, atje njoh më shumë…, e loti që s’më ndahet nga sytë, nuk ma prish bukurinë në HD të qytetit tim, qytetit tonë…., Memaliaj, na ishte njëherë dhe është! I love my Memaliaj!
Cilat janë fillimet tuaja si artist në këtë qytet?
Jeta ime artistike e ka zanafillën që nga fëmijëria, i aktivizuar në shkollën fillore e pastaj në atë 8-vjeçare në të gjitha tablot e Vitit të Ri që organizohej në Memaliaj por shfaqej në Tepelenë…., këtu jam rritur nën mjeshtërinë e të madhit dhe të paharruarit, Maliq Lila, e pastaj dikur do të duhej një emër, Pertef Goxhaj, këngëtar i shtëpisë së kulturës në Memaliaj, një lloj tenori që iku shpejt dhe mbeti në respektin dhe dashurinë e gjithë qytetit…, por ishte i pari që më dëgjoi duke kënduar skelave të fabrikës së fosforit dhe më ftoi të provoja talentin në pallatin e kulturës. Pastaj nuk e ndaj dot Xhafer Kuçin nga Dhimitër Peri (Mjeshtër i Muzikës)…, e mandej, Agim Lika (regjisor), apo partnerin tim Muzafer Abedini (absolutisht humoristi më i mirë që ka patur historikisht qyteti ynë)…shumë aktivitete, premiera humori, anketa muzikore, turne etj. Sa jetë dhe gjallëri ka patur Memaliaj dikur, s’ka Tirana sot në gjithë vitin. Jo rastësisht jam këtu ku jam…., faleminderit çdo kujt që ka qenë pjesë e rritjes time artistike dhe profesionale! Prandaj e kam gdhendur emrin e qytetit tim në çdo ekran që kam kontribuar…, Memaliaj, patenta ime gjithandej!
Cilat janë disa nga kujtimet tuaja më të bukura në Memaliaj?
Kujtimet e mia nuk besoj se mund të realizohen në një intervistë si kjo. Unë po hedh me kujdes në një libër historinë e jetës time…., por fëmijeria ime ka qenë sa e varfër, por aq e bukur…, jam si puna e një gjymi, i gjerë dhe me grykë të ngushtë që s’mund të tregoj gjithçka menjëherë, patjetër nëqoftëse ju dikur do keni një aktivitet në shkollën tuaj, unë me dëshirë do vrapoj të vij te ju…, dhe aty do kem rastin të flas pafundësisht si në një natë të gjatë dimri. Kujtimi më i bukur është se isha fëmijë, pastaj djalë dhe pastaj po aty u bëra edhe prind…, Memaliaj më dha gjithçka!
Bashkia Memaliaj ju ka vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi”, çfarë obligimi është për juve ky titull?
T’ju them të drejtën, e vetmja gjë që nuk e kam kërkuar, ka qenë dekorimi apo dhënia e një titulli…, jam qytetar nderi i qytetit tim, ky është paradoks…., unë jam memaljot dhe si i tillë sa herë e kam gjetur kohën dhe mundësinë kam kontribuar me koncerte por edhe ndonjë ndihme qe nuk vlen ta përmend. Obligimi im më i madh është qe emrin e qytetit tim se kam ndarë asnjëherë dhe nuk e ndaj kurrë në çdo skenë e në çdo cep të botes ku kam qenë.
A mundeni ju të na jepni një ide se si mund të bashkohen gjithë figurat publike të këtij qyteti në një aktivitet për të promovuar vlerat artistike-kulturore të Memaliajt?
Për sa i takon kësaj pyetje dëshirore…, dikur para 10 vjetësh, unë propozova në Facebook në Memaliaj Group…, që e shtuna e tretë e çdo gushti të ishte festa jonë, festa e memaljotëve…, ne jemi një qytet pa një festë specifike, sepse 27 qershori na bashkonte më tepër si një motiv për të qenë bashkë sesa për ngjarjen që sinjifikonte këtë datë, e cila s’ka lidhje me historinë e qytetit. (Nuk dua të prek apo lëndoj kërkënd me lapidarin në mes të qytetit dhe shpreh respektin maksimal dhe përuljen e të gjithë atyre që në këtë ngjarje kanë marr pjesë apo dikush edhe ka dhënë jetën!), por në mes të qytetit tonë do ishte mirë të mbetej shtatorja e minatorit, figura që mishëron qytetin tonë edhe pse miniera e ka mbyllur misionin e vet.
Në këtë ide kisha dëshirë të mblidheshim bashkë, te këndonim e luanim futboll e lojëra të ndryshme, të takoheshim e njiheshim edhe me ju memaljotët e rinj….një familje e madhe, një fole ku mblidhen të gjithë në familje në një festë….në një natë-ditë për t’u mbajtur mend dhe për të krijuar një traditë si qytet…., fatkeqësisht nuk u bë. Më vjen keq që ka shumë mendje dhe unë s’kam as kohë e as nerva për debate shterpe, kush e do Memaliajn vrapon drejt saj pa i bërë analiza, jo është i PD e jo është i PS apo dikujt tjetër…., politika në këto 27 vjet vetëm ka përçarë dhe e ka varfëruar qytetin tonë. Duhet të krijohet një grup organizator për të mbajtur gjallë historinë dhe kulturën tonë…., shtëpia pa njerëz nuk qëndron dhe i rrëzohen muret deri sa shembet e gjitha. Le të jeni ju të rinjtë që do ridimensioni fjalën dashuri dhe respekt…dhe të mbani ‘gjallë’ shtëpinë tonë Memaliaj. Unë kam sjell dikur “Portokallinë” aty, i vetmi qytet ku shkeli për herë të parë jashtë “Top Channel” dhe shumë shpejt do të sjell edhe “Al Pazar”…, në ndryshim nga i pari është patentë memaljoti dhe ku luajnë dhe punojnë edhe memaljotë. Mbetem i gatshëm në çdo kohë për t’i kthyer buzëqeshjen qytetit tim dhe do isha i lumtur nëse do dëgjoja se do investohej diçka për të punësuar njerëz, kjo do ta bënte më të bukur jetën dhe festën!
Të rinjtë e këtij qyteti , ju shikojnë si një idhull , a mund të jepni një mesazh për ta ?
Mendoj se pak më lartë preka atë ç’ka është më e rëndësishme për misionin tuaj…., por këshilla ime është…., mësoni! Lexoni! Ëndërroni…, falni dashuri dhe respekt…, të jeni krenar për qytetin tonë, s’ka kala dhe as muze për turistë, por ka kalanë e madhe të investimit njerëzor…, Memaliaj ka folur dhe flet në gjithë Shqipërinë në art e futboll dhe në fusha të tjera!
Ju përshëndes dhe uroj sukses!
Me respekt dhe dashuri memaljoti…
Agron Llakaj.
Diskutime rreth kësaj post