Pas një periudhe të gjatë ngërçi dhe stanjacioni, ekonomia shqiptare kishte shansin që këtë vit të shfaqte shenja të qarta gjallërimi. Të orientuar nga kërkesa, sidomos turizmi, – me interesin e të huajve që nuk ka qenë asnjëherë më i lartë, – bizneset pritet të shtojnë investimet. Eksportet e kanë nisur mbarë vitin dhe pritet të vazhdojnë të jenë pozitive, ndryshe nga viti i kaluar, që e mbyllën me rritje zero. Pavarësisht luhatjeve dhe rritjes së euroskepticizmit, edhe Eurozona, me të cilën jemi të lidhur ngushtësisht, duket se e ka hedhur pas më të keqen.
Që prej vitit 2008, kur shpërtheu kriza financiare globale, ritmet e rritjes ekonomike u ngadalësuan ndjeshëm nga kulmi prej 8%, për të zbritur në rreth 1% në 2013-n, për arsye të shumta, të jashtme dhe të brendshme. Por, këtë vit, për herë të parë pas pothuajse një dekade, bizneset, që anketohen çdo fillim viti nga Monitor, ishin optimistë se 2017-a do të ishte pozitive për pjesën më të madhe të tyre. Një ringritje kjo, që në një masë të madhe ishte edhe ciklike, teksa investimet nga sektorët e maturuar po ri- orientohen drejt segmenteve më fitimprurëse (tipike është rendja drejt turizmit) dhe sipërmarrësit kanë kaluar vetë në një fazë më të lartë eficience dhe maturiteti. Pas dy vitesh presioni të lartë tatimor, edhe mjedisi fiskal është më i butë, pa rritje taksash dhe pa presion tatimor, në prag të zgjedhjeve (Indeksi i Dhomës Amerikane shënoi përmirësim këtë vit, pas rënies së fortë vitin e mëparshëm).
Por, e gjithë kjo shpresë dhe shans rrezikon të kthehet në një ëndërr të bukur, ashtu siç ka ndodhur rëndom në 25 vitet e fundit të tranzicionit. Ky vend nuk po merret seriozisht nga qeverisja dhe e gjithë politika. Javët e fundit, Shqipëria po i ngjan një Big Brother-i, ku vëmendja e të gjithëve është përqendruar tek politika, debatet e politikanëve, që nuk kanë fund, koalicionet, prapaskenat, goditjet pas shpine, deklaratat dhe kundërdeklaratat, hedhjen e topit se cili është fajtori për vonesën e reformës në drejtësi, dhe lajme të tjera, me të cilat bombardohemi në çdo orë të ditës, e madje edhe të mbrëmjes. Një shfaqje nga jeta reale, që do të konkurronte denjësisht çdo skenar të mirëmenduar të një show të shtrenjtë televiziv, që ndryshe nga politika, i përzgjedh me aq kujdes personazhet e tij.
Asgjë tjetër, përtej politikës, nuk po merr rëndësi këto kohë. As sektori i call center, që po vuan presionin e lartë të qeverisë italiane, e cila po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të kthyer vendet e punës sërish në Itali. Për qeverinë shqiptare nuk duken aspak të rëndësishëm 25 mijë të rinj, që mund të mbeten të papunë. Nuk ka asnjë sinjal se ajo po e merr seriozisht këtë çështje, se po harton ndonjë plan lehtësues, që do të amortizonte goditjen pas shpine të fqinjit, apo se po përpiqet ta nxisë sektorin drejt një niveli më të lartë të zinxhirit të vlerave, të orientuar nga teknologjia e informacionit.
Situata bëhet edhe më e rëndë, në një kohë që hapja e vendeve të reja të punës duket një mision i vështirë. Dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë: Bizneset kanë ngrirë investimet dhe këtë po e thotë hapur të gjithë, vendas e të huaj. Ata janë pesimistë dhe presin, që situata të jetë e ngrirë në rastin më të mirë deri në shtator, mes krizës politike që duket pa zgjidhje, presidentit të ri e zgjedhjeve të qershorit. Ata i kanë humbur shpresat për një qeverisje të mirë e të përgjegjshme, jo konfliktuale, që do ta përqendronte vëmendjen tek elementët, që i sjellin vlerë të shtuar vendit. Bizneset po vijojnë me planet e tyre afatshkurtra, duke qenë të demotivuar të bëjnë përpjekje për t’u rritur më tej, të paktën për momentin (ecuria e kredisë dy muajt e fundit është një tregues i qartë që nuk po investohet). Minimalisht, sipërmarrjet pranojnë se i kanë shtyrë planet e tyre të investimit, të paktën në fillim të vitit 2018.
Nuk ka sinjale as për një zbatim të shpejtë të reformës në drejtësi, që mund të krijojë një mjedis më të favorshëm për investimet e huaja, por dhe klimën e biznesit në Shqipëri. Këtë vit qeveria do të vetëkënaqet me projektin madhor të gazsjellësit TAP, me shifra të mëdha, por ndikim shumë më të ulët real në ekonomi, në raport me miliardat e investimit. Ky projekt pritet të vijojë vetëm dy vite dhe nëse nuk do të ketë hyrje të reja (që me shumë gjasa në këtë situatë do të stepen), në një afat jo shumë të largët Shqipëria do të vuajë mungesën e hyrjeve valutore përmes projekteve të huaja.
Ndërsa në Big Brother-in televiziv ka qartësisht një fitues, në Big Brother-in politik ka vetëm shumë humbës. Humb politika, që vetëm sa zhvlerësohet gjithnjë e më shumë në sytë e publikut. Humbin njerëzit, që u ka mbaruar durimi dhe besimi dhe e kanë mendjen vetëm për të ikur sa më parë dhe sa më larg, humb ekonomia shansin për t’u ringritur. Humbim të gjithë, që në fund të ditës, llogaritë i bëjmë me xhepat tanë, jo të politikës. Ky është një vit kyç, që duket se do të na kushtojë shtrenjtë të gjithëve! (Marrë nga Monitor)
Diskutime rreth kësaj post