Ka përfunduar me rezultatin 2-0, për Italinë, ndeshja e shumëpritur e Shqipërisë, luajtur në “Renzo Barbera”.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kërcënuan Italinë që në minutën e parë, me një goditje të Cikalleshit, e cila përfundoi jashtë. Menjëherë më pas, është mesfushori fierak, Roshi, i cili dërgon jashtë kuadratit, një top të goditur nga distanca.
Më pas, në minutën e 11’ vjen momenti i kthesës. Gjatë një goditje dënimi, arbitri gjykon si penallti një kontakt thuajse inekzistent mes Belottit dhe Bashës. 11-metërshin e ekzekuton De Rossi dhe kalon Italinë në avantazh.
Minutat në vijim, vihet re një lojë deri diku e barabartë, ku Italia ka një shans të mirë me Belottin, të pritur nga portieri debutues Strakosha, ndërsa Shqipëria ka dy mundësi të shkëlqyera me Roshin, njëra e pritur nga Buffon dhe tjetra e goditur jashtë kuadratit.
Pjesa e dytë fillon pa asnjë ndryshim nga e para, por një grup pseudotifozësh shqiptarë kanë menduar të prishin spektaklin dhe bukurinë e kësaj ndeshjeje, duke hedhur flakadanë në fusha, çka ka sjellë ndërprerjen e ndeshjes, për rreth 15 minuta, nga ana e gjyqtarit kryesor të takimit. Në minutën e 71-të , arbitri bëhet sërish protagonist me akordimin e një faulli të paqenë në favor të italianëve dhe aksioni pas ekzekutimit të tij solli golin e dytë të shënuar nga sulmuesi i Lazio-s, Ciro Immobile.
2-0 për Italinë dhe De Biasi vendos t’i besojë entuziazmit të debutuesve. Pas portierit Strakosha, në fushë debuton edhe Eros Grezda e Liridon Latifi, ndërsa Sadiku i bashkohet Cikalleshit në sulm. Deri në fund, Shqipëria tenton disa herë të sulmojë Italinë, në kërkim të golit të barazimit, por pa ia dalë ta gjejë atë.
Mbyllet 2-0 për Italinë, në një ndeshje të mirë të tanëve, ndërkohë që mund të thuhet se kombëtarja jonë ka fituar dy futbollistë të rinj, portierin Strakosha dhe mesfushorin gjakovar, Grezda, të cilët dhuruan një paraqitje mjaft të mirë.
Diskutime rreth kësaj post