Bllaca, një fshat i vogël në hyrje të Maqedonisë, ishte ndër vendet që i ra të shohë pasojat e luftës në Kosovë dhe të dëshmojë përfundimin e saj.
Ramadan Sadiku, pronar i restorantit ‘Evropa 93’ që gjendet disa metra sa kalohet kufiri Kosovë-Maqedoni priti mysafirë që e shndërruan atë vend në lokacion me rëndësi historike.
Restauranti ‘Evropa 93’, atëherë pati mysafirë gjeneralë të NATO-s dhe ish-Republikës Jugosllave që në atmosferë të tensionuar diskutuan tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova.
6 qershorin e vitit 1999, Ramadani e kujton si ditë të rëndë por shumë të rëndësishme për të. Në fotografitë që i ka renditur në murin e restorantit të tij ai tregon se si dukej oborri i mbushur me artileri rivale.
Në mesin e një lufte të ashpër atij i kishte rënë hise t’u bënte konak dy palëve që duke përjashtuar shqiptarët vendosnin për fatin e tyre në Kosovë.
“Në këtë objekt para se të fillojnë ato biseda kanë ardhë dy ushtarakë të NATO-s dhe kemi bërë një bisedë, një kontratë me ata që t’ua liroj objektin. Mua m’u duk shumë e randë se na thanë të largohemi të gjithë prej këtu dhe objekti të jetë në dorë të atyre. Pas dy ditësh erdhën gjeneralët, Gjenerali i NATO-s Mike Jackson dhe më vonë delegacioni ushtarak serb mirëpo me të dëgjuar se këtu është pronari shqiptar, serbët erdhën me vonesë”, rrëfen Sadiku.
Përderisa objekti mbeti i rezervuar për dy javë, Ramadani ishte i vetmi shqiptar dhe jo ushtarak që pati të drejtë të qëndrojë në ambientin ku bisedat zhvilloheshin shpeshherë edhe me tone kërcënuese.
“Unë shumicën e kohës kam qenë prezent anash, përveç 14 personave që kanë qenë gjeneralët dhe eprorë të lartë, këtu ka pasur edhe oficerë të tjerë, krejtësisht rreth 40 persona. Unë në ditën e tretë e kam ditë se çka do të ndodhë për arsye se i kam dëgjuar bisedat, ata flisnin me agresivitet dhe ishte një moment që u acaruan shumë keq sa që gjenerali i NATO-s u çu në këmbë dhe ju tha se ne, doni apo s’doni ju, do të futemi në Kosovë. Serbët refuzuan dhe jashtë ushtritë u acaruan shumë keq sa që tytat e tanksave ia kthyen njëri- tjetrit”, kujton Sadiku.
Megjithëse restorani qëndroi rreth 10 ditë i mbushur me oficerë, gjeneralët e NATO-s dhe ushtrisë jugosllave më 9 qershor, pas tre ditësh bisedime pal֝ët nënshkruan Marrëveshjen e Kumanovës që shënoi fundin e luftës.
Në ambientet që sipas Ramadanit nuk kanë ndryshuar shumë tash e 18 vite, ai kujton saktësisht vendin ku kanë biseduar 14 eprorët ushtarakë.
Jo shumë larg restoranit në kodrat përreth kufiri Kosovë-Maqedoni vazhdonte të kontrollohej nga ish-forcat e unionit Serbi-Mali i Zi përderisa lumi i refugjatëve kosovarë vazhdonte të kalonte këtë kufi në kërkim të shpëtimit.
Muret e restoranit historik përveç gjeneralëve mbajnë fotografi dhe kujtime të vuajtjeve të qindra familjeve kosovare që vërshuan kampet e Bllacës dhe restorantin e Ramadanit.
Një person vdiq dhe rreth pesë foshnja u lindën në ambientet e këtij restoranti në vlugun e refugjatëve që përveç tjerash vuanin edhe nga mungesa e ushqimit dhe veshmbathjeve.
Bashkëshortja e Ramadanit, Havushe Sadiku, me profesion mami, në muajt e pranverës të vitit 1999 asistoi në lindjet e disa grave që sipas saj ishin të shëndetshëm me gjithë kushtet e rënda.
“Kemi pasë gra shtatzane që ishin para lindjes, ato vinin me lot në sy prej stresit që e kishin dhe prej aty i kapshin ato dhimtat e veta edhe un ndihmën time sa kam pasur mundësi u ndihmojsha me barna, qetësues. Kemi pasur raste edhe lindje të parakohshme”, tregon Havushe Sadiku.
‘Evropa 93’ vazhdon të qëndrojë i pandryshuar shumë nga ajo kohë përderisa Ramadani shpreson se një ditë mund të shërbejë si objekt nga ku të rinjtë mund të mësojnë një copë historie të luftës.
Deri më tani, sipas tij, ka pasur vetëm interesim të poetëve rreth këtij objekti dhe historisë së tij megjithëse ai është i gatshëm për bashkëpunim me institucionet e Kosovës. /kallxo.com/.
Diskutime rreth kësaj post