Në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos do të ketë shumë tifozë, të cilët do të mbështesin nga afër Kombëtaren shqiptare të futbollit në ndeshjen delikate me Italinë. Të shumtë janë ata që kanë udhëtuar nga Tirana drejt Italisë, ndërsa të tjerë do t’i bashkohen këtij grupi nga diaspora dhe vende të ndryshme.
Një tifoz i veçantë do të jetë në shkallët e stadiumit. Bëhet fjalë për presidentin e ekipit të Mamurrasit, Ded Ndreca, i cili ka fluturuar ditën e djeshme pasdite në drejtim të Italisë për të qenë prezent në këtë ndeshje. I njohur si një njeri që e do shumë futbollin në vendin tonë, ishlojtar në disa ekipe të vendit dhe prej disa vitesh president i skuadrës së Mamurrasit, Ndreca ka vendosur të ndjekë Shqipërinë.
Ndryshe nga tifozët e tjerë që kanë shkuar pa një plan në stadium, Ded Ndreca i ka idetë e qarta për mënyrën se si do ta mbështesë Kombëtaren.
“Dua të ndodhem pranë ekipit kuqezi këtë ndeshje të vështirë.
Madje, nëse arbitri i ndeshjes nuk i merr vendimet e drejta, unë do të jem i pari që do të futem në fushën e lojës.
Unë jam shqiptar dhe nuk mund të ndryshoj kurrë, por nuk mund të pranojë padrejtësitë që mund të na bëhen.
Uroj që vendimet e gjyqtarëve në këtë ndeshje të jenë të drejta, sepse për ndryshe do të sakrifikoj.
Nuk më intereson fare fakti që ndodhem jashtë kufijve të vendit tim, sepse unë historikisht kam kërkuar drejtësi dhe nuk i pranoj vendimet e padrejta. Jam penalizuar në një rast për shkak se arbitri mori vendim të gabuar në Mamurras dhe unë u futa në fushë ta godas.
Të njëjtin fat do të ketë edhe arbitri i ndeshjes së sotme”, tha Ded Ndreca për Panorama Sport, përpara se të nisej për në Itali.
Gjyqtari kryesor i ndeshjes, Sllavko Vinçiç duhet t’i marrë mirë masat për të mos bërë gabime në arbitrimin e ndeshjes.
Diskutime rreth kësaj post