Nga Anri Bala
Çudirat, me sa duket nuk paskan fund! E për fatin tonë të keq, një vend i vogël si ky i yni, por me “ngjarje” të mëdha, protagonizmi shpesh herë u atashohet diplomatëve të huaj… pa diplomaci. Pa dashur t’i fyej zotërinjtë e nderuar, por për dreq e për shejtanllik, më lindin shpesh pyetje pa përgjigjie, sa herë që hapet e mbyllet një portë. Shpesh herë, diplomatët e huaj në vendin tonë, të cilët nuk lënë “han e stan” pa vizituar, na dalin gjithmonë pa përgjigjie nga “pronari” i stanit!
Para disa kohësh, në zyrën e deputetit të nderuar Sali Berisha, shkuan për “qok” ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu dhe kryetari i pranisë së OSBE në Tiranë, Bernard Borchardt. Qoka nuk u mor vesh se përse u bë, cila ishte “vakia” e të zotit të shtëpisë, e që të jem korrekt, s’na e ka fajin Berisha pse nuk na kanë njoftuar edhe ne, por ata që i mbajnë “qokat sekret”.
Nuk besoj se të dy diplomatët shkelën me këmbën e djathtë në derë, për të dëgjuar përrallat e emisionit të “Na ishte një herë” të deputetit Berisha, dikur, të treguara me mjeshtri nga aktorja e mirënjohur e simpatike Aishe Starja. Por asgjë nuk thanë as kur hyn e as kur dolën. Ndërsa Berisha me anë të zëdhënësve të tij i tha të gjitha, ato që u tha atyre dhe ato që zotërinjtë ambasador nuk na i thanë ne.
Ju betohem, deklaratat e Berishës ma nxorrën mallin e teta Aishes, që dikur fëmijë, e ndiqja tek “Teuta” TV. Por thelbi nuk është ky! Nuk e di për ju, por mua më çudit fakti, se si dy diplomatë shkojnë në zyrën e një deputeti, njësoj si 139 të tjerët e parlamentit dhe janë të zellshëm të dëgjojnë përralla.
I njëjti ritual u përsërit edhe pak ditë më parë, por me ndryshimin e vetëm se në takim mungonte ambasadori i BE-së, i cili natyrisht është qejf mbetur për fyerjet deri në mospërfillje që po i bëhen çdo ditë përfaqësisë europiane që ai drejton në Shqipëri dhe Europës.
Disa pyetje të sinqerta kisha për ju zoti Lu: Me çfarë tagri e vizituat deputetin Berisha në zyrën e tij, një deputet si 139 të tjerët?! Kush ishte motivi i vizitës?! Çfarë autoriteti përfaqëson deputeti Berisha, që nuk e kanë të tjerët, e nëse nuk ka, mbase duhet të ishte deputeti ai që medoemos duhet të linte një takim në zyrën tuaj?!
Përveç tregimeve imagjinare të deputetit, çfarë u diskutua në atë takim?! Nëse për ju tregimet ishin reale, çfarë qëndrimi mbajtët, apo thjeshtë nga që kishit kohë pa u parë dhe përmalluar, shkuat për t’u treguar prudent ndaj “burrit të shtetit” të 21 Janarit?! E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, pas çdo takimi, pse nuk u shpreh asnjëri prej jush se, kush ishin motivet e këtij takimi dhe bisedat konstruktive që u diskutuan në tavolinë, që bëhen kryesisht për të mirën e vendit?!
Nëse nuk ka patur biseda në interes të shqiptarëve dhe ka folur vetëm Berisha, atëherë ne nuk kemi nevojë t’i dimë, se muhabete kafeneje dëgjojmë e bëjmë çdo ditë. Por po na bindni, njësojë sikur e mendojmë dhe ne mendoni dhe ju, por me diplomaci. Takimi juaj “diplomatik” me Berishën konfirmon se për ju: Berisha është lideri de fakto i PD, ndërsa Basha “buratini” i tij!
Nuk besoj se shkuat t’i jepnit mesazh përkrahje, për hetimet e mbyllura për aferën CEZ?! Ashtu siç nuk besoj se shkuat t’i jepnit përkrahje për çadrën anti-veting. Mos ratëstësisht akuza ndaj të birit nga komisionin hetimor për këtë “grabitje”, koinçidoi me thirrjen tuaj në zyrën e tij?!
Apo shkëmbyet dosjet me agjentin serb për vitin e mbrapsht ’97 dhe atë ’98, ngjarjen e Gërdecit, 21 Janarit, grabitjen e qindra miliona eurove të “Rrugës së Kombit, dosje të cilat janë të mbuluara me pluhurin e harresës nga sistemi gjyqësor që polli ai… “ish-kryeministri i përjetshëm”?!
Ndërsa parlamenti europian dhe pikërisht i djathti Eduard Kukan, kërkon votimin e Reformës, pra drejtësi për 21 Janarin dhe dhjetra mega krime të tjera të kryera nga politika, ju vajtët u ulët me ekzekutorin e 4 qytetarëve të pafajshëm në bulevard. Në fakt, ndryshe nga ti, shqiptarët e duan ta shohin pas hekurave në sallën e gjyqit.
Teksa “ekzekutori” të fliste për krime shtetërore, kriminela, hajdut, banda të drogës dhe vrasës e ndërsa ju e dëgjonit, ushtari i tij i çartur me “vrasësin” tjetër po fluturojnë drejtë Amerikës, që t’i dëgjojnë senatorët republikan, që ne na duken si dashnor vrasësish kur përkrahin kriminelët.
I lutem Zotit të jetë e gënjeshtër deklarata për shtyp e SHQUP-it, se do më vinte turp vetëm ta mendoja, se diplomat si ju, do ju detyronin të dëgjonit “deklaratën e pafajsisë” të një të akuzuari dhe të dyshuari për krime monstruoze në këtë vend. Nuk është normale për ju si diplomat, t’i lejoni vetes të hidhen hije dyshimi, sikur po bëni lojë, me ata që shumë shqiptarë presin të japin llogari para drejtësisë.
Autoriteti që ju përfaqësoni, i’u detyron të jeni transparentë dhe t’u përgjigjeni shqiptarëve për bisedat që kanë interes publik, e nëse s’kanë, mund të pinit një “çaj mali” me këdo e kudo, por larg syrit e interesit tonë! Nëse informacioni që jep deputeti i “rëndësisë së veçantë”, për motivin e takimit është i vërtetë, atëherë na lind e drejta t’i u pysim: Me cilin jeni ju zotërinj me drejtësin apo…?!
Diskutime rreth kësaj post