Për herë të parë në Maqedoni, kryetari i Kuvendit do të jetë shqiptar, i cili do të dalë nga radhët e BDI-së. Kështu informoi shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Artan Grubi, i cili sqaroi se kjo marrëveshje u arrit të enjten mes partnerëve të ardhshëm të koalicionit qeveritar, LSDM dhe BDI, për formimin e institucioneve të Maqedonisë.
Në koordinim me grupet parlamentare janë tejkaluar dallimet mes subjekteve parlamentare në Maqedoni, ku kanë rënë dakord me përbërjen e Komisionit për Emërime dhe Zgjedhje, komision që do të udhëhiqet nga VMRO-DPMNE-ja.
Grubi tha se mbledhja konstitucionale e Kuvendit të Maqedonisë, e ndërprerë më 30 dhjetor 2016, do të vazhdojë të hënën.
Pas konstituimit të Kuvendit do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të tij. Mediet në rajon shkruajnë se, përmes burimeve të ndryshme është mësuar edhe emri i kryetarit të ardhshëm të Kuvendit të Maqedonisë, e duket se bëhet fjalë për deputetin Talat Xhaferi.
Ndërsa presioni perëndimor rritet gjithnjë e më shumë mbi Maqedoninë për të formuar institucionet dhe për t’i dhënë fund krizës, BDI-ja dhe LSDM-ja vendosën që të vijojnë procedurat për të anashkaluar presidentin Ivanov dhe për të vazhduar me krijimin e Kuvendit.
Më herët, në kuadër të krizës që ka përfshirë Maqedoninë dhe në formë përgjigjeje ndaj pretendimeve perëndimore se Moska është një prej faktorëve, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov deklaroi se shpreson që vendet perëndimore të kuptojnë rrezikun e përpjekjeve për të destabilizuar situatën në Maqedoni.
Sipas tij, kriza është krijuar në shumë aspekte artificialisht nga Perëndimi, që po sjell përpjekje për të përçarë shoqërinë në Maqedoni.
Diskutime rreth kësaj post