Eliot Engel, kongresmeni amerikan i shtetit të New York-ut dhe miku i madh i shqiptarëve, në fjalimin e tij në Kongres ka thënë se SHBA-të duhet t’i qëndrojnë në krah Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova dëshiron atë çfarë shumë vende të regjionet e duan, të jetë pjesë e një Evrope të sigurt dhe të integruar, anëtarësim në BE dhe në NATO.
Sipas tij, pesë vende evropiane vazhdojnë ta ndalojnë këtë përparim të Kosovës. Ai ka thënë se kur flasim për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara, rruga e Kosovës për në këtë organizatë është e bllokuar nga Serbia dhe nga aleati i saj, Rusia.
“Në fakt, Serbia pretendon ta bllokojë Kosovën në thuaja çdo lëvizje të saj, së fundi përshkallëzoi edhe situata. Si Kosova, ashtu edhe Serbia, dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së, gjë që unë e përkrahi. Megjithatë, njëri vend nuk duhet ta bllokojë tjetrin vend, për çka Serbia vazhdimisht ka tentuar t’ia pamundësojë Kosovës rrugën për në BE”, ka thënë Engel, shkruan “zeri.info”.
Engel gjithashtu ka folur edhe për trenin që Serbia ka tentuar të dërgojë në veri të Kosovës. Sipas Engel, Serbia nxiti ndërtimin e një muri në Mitrovicë.
“Së fundi, Serbia ka dërguar në veri të Kosovës një tren propagandues me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, të shkruar në 21 gjuhë. Serbia nxiti ndërtimin e një muri në Mitrovicë, një qytet i vogël i njohur për ndasitë ndëretnike. Edhe pse muri është rrënuar, shenjat kanë mbetur. Serbia ka vazhduar të mohojë drejtësinë për të dashurit e qindra viktimave të fushatës së saj të spastrimit etnik, duke përfshirë edhe atë të tre qytetarëve amerikanë- vëllezërve Bytyçi. Po ashtu, nga një tren kanë ardhur të gjitha llojet e fyerjeve dhe gjëra të tjera, duke bërë propagandë kundër Kosovës, që ndihmon në përshkallëzimin e tensioneve në Kosovë, në vend se t’i ulin ato”, ka thënë Engel.
Tutje ka thënë se Serbia luftoi edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, një akt që i bën dëm edhe vetë asaj, ku sipas tij ndër institucionet kulturore historike më të dashura të Kosovës, janë edhe Kishat Serbe Ortodokse të shekullit XIII.
“Kosova nuk arriti të pranohet në UNESCO. Ajo dështoi për tre vota ku, përsëri, ndërhyrja e Serbisë luajti një rol në parandalimin e anëtarësimit të saj në UNESCO. Shtetet e Bashkuara luftoi që ta ketë Kosovën në UNESCO, por, në fund, megjithatë, nuk ia doli për tre vota. Kosova dhe Serbia janë ulur në tavolinën e bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja. Këto bisedime kanë arritur disa përparime. Ato rezultuan me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Bile, për këto arritje unë e pata nominuar në atë kohë kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë, së bashku me të parën e BE-së për Politikë të Jashtme, baroneshën Katerin Eshtonin, për Çmimin Nobel të Paqes”, tha Engel.
Kongresmeni amerikan thotë se çfarë lloji i normalizimit përfshin nxitjen e tensioneve në mesin e popullatës pakicë të vendit fqinj dhe duke pretenduar se po qëndron në rrugën e saj për integrimin ndërkombëtar. “Kjo është ajo çfarë Serbia po bën ndaj Kosovës, dhe kjo duhet të ndalet”.
Ai ka thënë se SHBA duhet t’i qëndrojnë në krah Kosovës. Kosova është një vend i pavarur.
“Shtetet e Bashkuara duhet t’i qëndrojnë në krah Kosovës. Kosova është një vend i pavarur. Për shumë vite ata kanë dëgjuar gënjeshtra të ndryshme për Shtetet e Bashkuara gjatë regjimit komunist në vitet ’50, ’60 dhe ’70, por e dini çka? Populli i Kosovës nuk iu ka besuar këtyre gënjeshtrave. Prandaj, dua t’u them kolegëve të mi dhe shokëve të mi, si dhe të gjithë qytetarëve amerikanë se kur vizitoni Kosovën do të dini dhe do të ndiheni krenarë se jeni amerikanë, sepse njerëzit atje u afrohen në rrugë për t’ju përqafuar, ata duan të flasin me ju, ata duan gjithçka që është amerikane. Dhe ky është lloji i shokëve për të cilët ne kemi nevojë”, tha Engel.
Engel tutje ka thënë se për gjithçka që SHBA ka ndihmuar Kosovën është çmuar nga cdo kush atje.
“Amerika bën shumë për shumë njerëz nëpër botë, për shumë vende po ashtu, por nganjëherë e kemi përshtypjen se këto të mira nuk vlerësohen dhe aq. Megjithatë, kjo nuk vlen për Kosovën. Për gjithçka që Shtetet e Bashkuara e ka ndihmuar Kosovën, çmohet nga çdokush, nga kryeministri e deri te presidenti, nga njerëzit në qeveri e deri te njerëzit nëpër rrugë. Shpeshherë më ka ndodhë teksa ecja nëpër rrugë, afroheshin njerëzit dhe dëshironin të flisnin me mua, ata më njohin. Ata thonë: “Faleminderit”. Faleminderit Amerikës për përkrahje në pavarësinë tonë. Faleminderit Amerikës që është e fortë dhe që vazhdon të na bëjë neve të fortë. Dhe këta janë lloji i shokëve që unë dua të kem. Ky është lloji i njerëzve që unë dua t’i kem”, ka theksuar Engel përcjell “zeri.info”.
Engel në fund të fjalimit ka theksuar se SHBA do të qëndrojnë gjithmonë me Kosovës, por, i ka bërë thirrje Serbisë që të ndalojë lëvizjet ndërluftuese kundër Kosovës.
“Prandaj, unë do t’i them popullit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës: Shtetet e Bashkuara qëndron me ju dhe gjithmonë do të qëndrojë me ju. Dhe unë do t’i them Qeverisë së Serbisë: ne përkrahim aspiratat e popullit serb për të hyrë në BE, por Serbia duhet të ndalojë së bllokuari Kosovën. Serbia duhet t’i ndalojë lëvizjet e saj ndërluftuese kundër Kosovës. Të dyja vendet duhet të hyjnë në BE dhe, eventualisht, në NATO. Dhe të dyja vendet duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën”, tha Engel ./ZERI/
Diskutime rreth kësaj post