Nga Mero Baze
Zërat se Rusia mund të ndërhyjë në zgjedhjet shqiptare po bëhen përditë e më seriozë. Ato kanë kaluar në nivel senatorësh dhe ligjvënësish amerikanë, dhe nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian. E fundit ishte deklarata e senatorit amerikan Robert Torriceli, i cili thotë se ekzistojnë informacione të bazuara se Rusia po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet shqiptare.
Senatori amerikan: Rusia mund të manipulojë zgjedhjet në Shqipëri
Një ditë më parë Denis MacShane, ish-ministër për Europën në Britani gjatë qeverisjes së Tony Blair, akuzoi Lulzim Bashën se po bën lojën e rusëve në Ballkan, përmes politikave populiste.
Ish-ministri britanik shuplakë Bashës: Ballkani nuk rrezikohet nga Rusia
Paralajmërimet vendosen në kontekstin e zhvillimeve ballkanike, dhe u referohen politikanëve populistë të Ballkanit, të cilët kanë shpallur si moto të re të së ardhmes së tyre “një rend të ri”, që në vende të ndryshme të Ballkanit, po merr trajta të ndryshme.
Në Maqedoni, ku përplasja ruse është legale, ajo merr formë në përplasjen e Gruevskit me koalicionin e opozitës dhe partitë shqiptare. Opozita maqedonase e Zaevit dhe partitë shqiptare, kanë mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të formuar qeverinë e re, ndërsa presidenti Ivanov dhe tutori i tij, ish- kryeministri Gruveski, janë të qartë në bllokimin e institucioneve të shtetit dhe rënien e demokracisë, për ta futur vendin në rrugë pa krye. Dhe nuk kanë aspak drojë të thonë, se për këtë kanë dhe gëzojnë mbështetjen e Rusisë. Ivanov refuzoi takimin me Komsionerin për zgjerim Hahn, duke e bërë të qartë zgjedhjen e tij mes Europës dhe Rusisë.
Shtypi rus është i mbushur me shkrime dhe analiza gjeo-politike, që e trajtojnë Maqedoninë si një vijë fronti të tyre, ku armiq kanë shqiptarët dhe aleatin e tyre politik të opozitës maqedonase.
Në Serbi, rusët kanë haptazi mbështetjen e krahut nacionalist të presidentit Nikoliç në ikje, dhe forcave të vjetra të ish- komunistëve të Milosheviçit, dhe po kundërshtohen me kujdes dhe plot dyshime nga Aleksandër Vuçiç, i cili po përpiqet t’ia shesë shtrenjtë perëndimit, rrezikun rus dhe orientimin e Serbisë nga Rusia.
Në Mal të Zi, Milo Gjukanoviç u gjend thuajse para një grushti shteti një ditë para zgjedhjeve, dhe u detyrua të tërhiqet nga posti i kryeministrit, pas zbulimit të komplotit rus të shtunën e zgjedhjeve.
Në Shqipëri, ku formalisht dy blloqet kryesore politike janë ende të bazuara tek retorika pro europiane, ndikimi rus ka filluar të infiltrohet jo si adhurim për Rusinë, por si një “pro-amerikanizëm” i tipit Trump, në fjalorin elektoral të të cilit Rusia u shua si një vend armik dhe siç rezultoi, arriti t’i infiltronte njerëzit e saj deri në postin më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare në SHBA, siç ishte Këshilli i Sigurimit Kombëtar.
E modifikuar shqiptarçe nga Sali Berisha e Lulzim Basha, por dhe forca të tjera dytësore, ndikimi pro rus në Shqipëri, ka marrë formën e “Republikës së re” dhe armiku i sigurisë kombëtare në mënyrë vulgare, është zhvendosur nga Rusia, tek Xhorxh Soros. Këtë nuk e thotë vetëm Berisha, por dhe të tjerë.
Në një analizë të saj serioze, gazeta më analitike amerikane online, “Politico”, e afërt me Uashingtonin zyrtar, e shikon betejën e shpikur kundër Sorosit si një plan të drejtpërdrejtë rus, ku janë përfshirë dhe disa ligjvënës amerikanë, të cilët paguhen në emër të lobizimit nga Rusia, në favor të forcave pro ruse në Ballkan.
E tillë ishte letra e tyre e disa javëve më pare kundër ambasadorit amerikan në Shkup, të cilën Departamenti i Shtetit e hodhi në kosh të plehrave, dhe përsëritja e së njëjtës kërkesë në emër të opozitës shqiptare dhe për ambasadorin Donald Lu.
Duke devijuar strategjinë e sigurimit kombëtar të Shqipërisë nga një vend i orientuar drejt Perëndimit dhe duke zëvendësuar si problem për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan, Rusinë, me Xhorxh Sorosin, opozita shqiptare në të vërtetë, më shumë se sa një forcë pro ruse në Ballkan, është një karikaturë e forcave pro ruse, pasi ajo nuk ka as fuqi dhe as potencial politik për t’u bërë pro ruse. Ajo thjeshtë po përpiqet të shfrytëzojë politikisht erën e re pro ruse në Ballkan, si një qejflie rusësh për nevoja politike dhe për destabilzimin e vendit.
Edhe përpjekja e fundit e Lulzim Bashës drejt Uashingtonit, bazuar tek mbështetja e një grupi lobistësh ligjvënësish në SHBA, me origjinë greke, është përforcim i këtij kuadri lobistësh, të cilët pretendojnë “epokën e re”, ku Rusia shikohet si model suksesi për zgjedhjet në emër të betejave kundër establishmenteve politike pro perëndimore në Ballkan. Retorika pro ruse tashmë nuk u përket më nostalgjikëve të Bashkimit Sovjetik, por liderëve autoritarë dhe nacionalistë të Ballkanit, të cilët shikojnë tek Putinizmi, të ardhmene tyre, dhe tek orientimi perëndimor, mungesën e prespektivës së tyre.
Mangësia e opozitës shqiptare është se duke mos pasur një mbështetje për të qenë pro ruse nga elektorati i saj, ata përpiqen ta maskojnë nevojën për ndihmë nga forcat pro ruse në Ballkan, me degradimin e institucioneve, futjen e vendit në krizë, shpalljen qesharake të Xhorxh Sorosit armik të sigurisë kombëtare, edhe pse gjysma e kryesisë së PD është shkolluar nga Sorosi. Ata po ashtu kanë dhënë mbështetje të qartë për forcat pro ruse në rajon, siç ishte rasti për të mbështetur dhe përshëndetur ende pa krijuar qeverinë, Gruveskin, dhe ngazëllimin me të cilin presin që të bien standartet e demokracisë dhe shtetit ligjor në vend, për t’i hapur rrugë “Republikës së Re” në Shqipëri.
Më thjesht akoma, për të kuptuar se më kë është Rusia në Shqipëri, shikoni me kë është Perëndimi dhe gjykoni për aleatët kundërshtarë të tij. Perëndimi ka mbështetur qartë dhe fortë qeverinë shqiptare dhe në krizën e fundit artificiale të opozitës, dhe ështe në nje gjatësi të plotë vale me kryeministrin e vendit, për datën e zgjedhjeve më 18 qershor, për reformën në drejtësi dhe për nevojën që opozita të lërë rrugën dhe të kthehet në betejën e saj në Kuvend, duke plotësuar detyrimet kushtetuese për reformën në drejtësi. Çfarë është kundër tyre, është ajo për të cilën Rusia ka nevojë të ndodhë në Shqipëri.
Është një përpjekje qesharake për të udhëtuar drejt Moskës, duke bërë sikur fluturon nga Uashingtoni. TemA
Diskutime rreth kësaj post