Lulzim Basha dhe Aldo Bumçi janë nisur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përpjekje për të siguruar një mbështetje përmes lobistëve, që të justifikojnë protestën e tyre një mujore në Tiranë dhe mbylljen e saj. Udhëtimi i tyre është një sinjal zhgënjyes nga Basha për opsionin radikal të “Republikës së Re”, që tenton t’i kundërvihet sistemit aktual dhe “establishmentit politik”, pasi po kërkon zgjidhje për t’u ri-integruar në këtë sistem dhe për t’u kthyer në jetën parlamentare. Nga ana tjetër, udhëtimi i tij është po ashtu një zhgënjim dhe për faktin, se si lideri i opozitës po shmang linjën zyrtare të SHBA dhe po tenton të ilustrojë në mënyrë spekulative projektet e tij me fotografi amerikane.
Udhëtimi po mbështetet tek takimet me një grup ligjvënësish amerikanë të përfshirë në një fushatë lobuese në Ballkan pro qeverisë së Gruveskit dhe pro opozitës Basha-Berisha, që janë shfaqur dhe herë të tjera në zyrat e shtetit shqiptar në Tiranë, kur Rama bëri ndarjen territoriale dhe bashkoi Himarën me një komunë të Labërisë, duke u ankuar për “ç’helenizim të Vorio-Epirit”, apo kur u miratua plani rregullues i Himarës dhe ata protestuan për garazhin e Nikollaqit.
Ironi e fatit është se Lulzim Basha është kthyer për mbështetje në SHBA, fiks tek ata njerëz që u angazhuan kundër Sali Berishës në vitin 1997 në SHBA, dhe ky është dhe i vetmi “distancim” i tij nga Berisha në historinë e tij politike. Por dhe kjo nuk i quhet, pasi Berisha është pajtuar me kohë me ta.
Tani problem është se Basha dhe Berisha po e projektojnë problemin e tyre në një kornizë të gabuar në raport me çështjen shqiptare në Ballkan, duke paraqitur probleme fallco jo vetëm për politikën e brendshme, por dhe rajonale. Përshembull, Berisha i kërkoi sot zyrtarisht ambasadorit amerikan në Tiranë, që qeveria amerikane të luftojë Xhorxh Sorosin, si një e keqe e madhe e SHBA në Ballkan, ndërsa gjithë Perëndimi, përfshi dhe udhëheqës të lartë politik në SHBA, po ngrejnë alarmin për rrezikun rus në Ballkan. Tani PD dhe Basha duhet të ndajnë mendjen për prioritetet e armiqve të sigurisë kombëtare në rajon. Pra, të zgjedhin mes Rusisë dhe Sorosit, pasi duket sikur po luftojnë gjurmët për të fshehur ujkun. Kjo, në planin rajonal.
Në planin politik, Basha, po ashtu si Berisha, po tenton të bëjë një dalje fallco nga kriza. Ai shkon në SHBA të kërkojë shtyrje të zgjedhjeve dhe qeveri teknike, dhe kjo mund të ishte një zgjidhje nëse SHBA angazhohej duke u bazuar tek problemet reale në Tiranë. Por për t’u angazhuar duhet të trokasësh në Departamentin e Shtetit dhe të të vënë përpara axhendën e tyre për Shqipërinë. Është shumë më i vlefshëm një takim me oficeren politike që mbulon Shqipërinë në Departament të Shtetit, se sa dhjetë fotografi me ligjvënës që kënaqen se dalin me djem të bukur në foto, por nuk kanë as durim t’i dëgjojnë nga janë e çfarë halli kanë. Ato fotografi janë vetëm për të gënjyer çadrën, por jo për të zgjidhur problemin.
Problemi zgjidhet atje ku lindi dhe aty ku ai u motivua për të ngritur çadrën. Nëse garantët e çadrës e kanë lënë në mes të Bulevardit në Tiranë, në Uashington nuk e ndihmojnë dot. Nëse troket në zyrat e qeverisë amerikane dhe është mirë të trokasë, do të marrë këshillat e duhura, që po merr dhe nga Brukseli. Nëse do të bërtasë “fitore” si për reformën në drejtësi dhe pastaj ta bllokojë përsëri, mund ta bëjë, por nuk ka kë gënjen. Ata që po presin në çadër, e dinë se çadrën nuk e ngriti Uashingtoni, por dy tre- vetë në Tiranë, dhe ata mund ta shkrehin. Kjo, nëse Basha do vërtet ta mbyllë atë çadër, siç po duket nga udhëtimi.
Por nëse nuk do, nuk ka pse torturohet e të shkojë deri në Uashington. Ai ose duhet të jetë një lider i ri që nuk pyet për “bullshit”-et e Perëndimit, ose një njeri i paqartë se përse ka dalë në Bulevard. Nëse e ka seriozisht “Republikën e Re”, le të fikë telefonin e të rrijë në çadër, duke mos pyetur për askënd. Ashtu të paktën e ka një Republikë 280 metra kator për vete të vet. Sa çadra!
Diskutime rreth kësaj post