Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot nga çadra e lirisë se prej 4 vitesh vendi është i nëpërkëmbur, por u shpreh mirënjohës ndaj të rinjve, pasi po tregojnë vendosmëri për të mos e lënë vendin ashtu siç ka qenë.
Basha tha Republika e re, është republika ku qytetarët nuk kanë frikë, por pushtetarët ulin kokën ndaj çdo qytetari. “Ky projekt ka një themel të patjetërsueshëm dhe kjo është vendosmëria e rinisë për një jetë të re në një Shqipëri të re, ku asgjë nuk mund të jetë dhe nuk do jetë si më parë”, deklaroi Basha.
“Në këtë shesh rinia e tha fjalën e saj. Jam i përulur, por edhe i frymëzuar teksa dëgjoj të rejat dhe të rinjtë që artikulojnë me mençuri dhe me kulturë evropiane besimin e tyre për të mos e lënë më Shqipërinë kështu si ka qenë. Kur e themi ne është propozim, por kur e thotë rinia do bëhet realitet. Këtë e di mirë çdo shqiptar, sepse na e tregoi dhjetori i vitit 1990. Prej 4 vitesh vendi është i nëpërkëmbur. Dua t’i them sot se para së gjithash ‘Republika e Re’ që buron nga ky shesh është republika juaj. Ky shesh do të jetë prona e të rinjve dhe të rejave shqiptarë për liri dhe demokraci”, tha Basha
Ai u shpreh i vendosur se protesta e opozitës dhe çadra e ngritur do të vijojë të qëndrojë para kryeministrisë. “S’ka gjë do të qëndrojmë më gjatë, në fakt ne na pëlqen të qëndrojmë këtu sepse ky shesh është pagëzuar tashmë dhe ka hyrë në histori. Me qëndresën këtu do t’i sigurojmë Shqipërisë jo vetëm zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe parametra të një vendi europian të gatshëm për anëtarësim në BE. Gjithçka që bëre në 4 vite e largoi Shqipërinë nga Europa”, vijoi Basha.
Diskutime rreth kësaj post