Eduard Kukan akuzoi partinë më të madhe të opozitës në Shqipëri për bllokimin e reformës në drejtësi, të konsideruar të një rëndësie kyçe për ambiciet e aderimit të vendit në Bashkimin Europian. Koha është thelbësore, vëren ai.
“I kam bërë vazhdimisht thirrje opozitës që të rinisë punën e saj në Parlament, në mënyrë që të ecet përpara me reformën e të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet që po vijnë”, tha Kukan.
Eurodeoputeti sllovak u tregua tejet kritik ndaj pozicionit të Partisë Demokratike në intervistën e dhënë “European Business Review”, ku thotë se veprimet e PD-së kërcënojnë ta devijojnë nisjen e negociatave të anëtarësimit. Sulmi i tij verbal ka jehonë të shtuar duke qenë se bëhet fjalë për njërin prej anëtarëve më të rëndësishëm të Partisë Popullore Europiane, pjesë e së cilës është dhe vetë Partia Demokratike.
“I mbështes plotësisht të gjitha përpjekjet që çojnë drejt implementimit të reformës në drejtësi. I kam bërë thirrje disa herë politikanëve në Shqipëri që të avanconin me krijimin e organeve të vetting-ut e të nisin zbatimin e reformës”, shtoi ai.
Këto komente u mbështetën dhe nga raportuesi zyrtar për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein. “Unë nuk mund të gjykoj nëse përpjekjet për bllokimin e reformës në drejtësi janë arsyeja e pozicionimit aktual të PD-së, por bllokimi i saj është padyshim një rezultat i këtyre lëvizjeve, sepse Parlamenti shqiptar nuk mund të procedojë me krijimin e komisioneve të vetting-ut”, u shpreh Fleckenstein.
Të njëjtin mendim ndan dhe eurodeputetja gjermane Susanne Melior, anëtare e delegacionit të PE-së për Shqipërinë, e cila këmbëngul se vendi duhet të shpejtojë ritmin e reformës në drejtësi, të konsideruar si elementi kyç për fillimin e negociatave të anëtarësimit.
Diskutime rreth kësaj post