Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur disa çështjeve që janë ngritur në samitin e Sarajevës nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, duke i bërë të qartë se ato janë çështje të brendshme të Republikës së Kosovës dhe se nuk do t’i diskutojnë ato çështje me të.
“Disa çështje që u hapën sot këtu nga Vuçiç, i konsideroj se janë çështje të brendshme të Kosovës, ku Kosova ka legjitimitet të plotë të vendosë, prandaj nuk shoh asnjë arsye që ato t’i diskutoj këtu me juve”, tha Mustafa në samitin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt sot në Sarajevë.
Në takim, përveç kryeministrit Mustafa ishin edhe komisioneri i BE-së për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn si dhe kryeministrat e Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Alfano.
Kryeministri Mustafa u prit në hapje të Samitit nga homologu boshnjak, Denis Zvizdiç. Më pas, kryeministri Mustafa mori pjesë në punimet e Samitit, ku para të pranishmëve prezantoi arritjet e Republikës së Kosovës, si dhe shprehu qëndrimet lidhur me proceset e mëtejshme eurointegruese të Republikës së Kosovës dhe rajonit.
Kryeministri Isa Mustafa theksoi se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për axhendën e bashkëpunimit rajonal. “Tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën, pa liberalizim të vizave”, tha kryeministri.
Ai foli edhe për ankesat e bizneseve me procedurat shtesë me disa shtete, që krijojnë kosto të reja. “Konsideroj se bashkëpunimi ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor është thelbësor për arritjen e shumë qëllimeve që janë shtruar në kuadër të procesit të Berlinit”, tha kryeministri, duke kërkuar që t’i jepet përparësi disa prej aspekteve konkrete që lidhen me lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik.
Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me shumicën e vendeve të rajonit, duke folur edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-së.
Diskutime rreth kësaj post