Flluska e dhjetëra bizneseve italiane, që janë regjistruar si biznese të vogla në Shqipëri dy-tre vitet e fundit, por që nuk kryejnë asnjë aktivitet dhe vetëm investime të huaja që nuk quhen. Një sondazh i “Monitor” me bizneset që kanë kaluar në status pasiv 5 muajt e fundit gjeti se 20% e tyre kishin pronësi italiane, që jo vetëm nuk po investojnë, por po ngrenë pikëpyetje të mëdha se pse regjistrohen në Shqipëri. Dyshimet e kontabilistëve për bizneset italiane në fushën e konsulencës
Nga Ledina Loga
Sten.Service është një prej 403 sipërmarrjeve italiane të reja të vogla të hapura gjatë 2015-s. E regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në shkurt të atij viti, ky biznes ka kaluar automatikisht nga Tatimet në listën e subjekteve pasive, pasi nuk kanë deklaruar asnjë veprim në harkun kohor të 12 muajve. Greta, numri i së cilës ishte vendosur në të dhënat e këtij subjekti, kishte bërë shoqërimin e shtetasve italianë në zyrat QKB-së. Nga ajo ditë, nuk dinte më se çfarë bëhej me të. Greta, e punësuar asokohe në një kompani fason, ishte caktuar vetëm për të ndihmuar miqtë e klientëve të tyre italianë në çeljen e biznesit. Biznes i cili nuk do të kryente asnjë ditë veprimtari ekonomike në vend.
Në mënyrë të ngjashme, Studio Ligjore Daddario & Partners, që kishte si subjekt aktivitete në fushën e konsulencës ligjore, nuk operoi asnjë ditë në Shqipëri, mbështetur mbi faktin se nuk ka kryer asnjë deklaratë tatimore dhe të ketë dorëzuar pasqyrat financiare. Personi i kontaktit tregoi për “Monitor” se e kishte ndihmuar zotin Emanuele Daddario, administrator, me procedurat e çeljes së aktivitetit, mirëpo nuk dinte më se çfarë bëhej me të.
U zhduk pa lënë gjurmë, – tha ai.
Në pjesën më të madhe të rasteve të konstatuara, në të dhënat e deklaruara në qendrën kombëtare të biznesit, këto subjekte kanë lënë si numër kontakti studio ligjore, të cilat asistojnë bizneset me procedurat e çeljes së aktivitetit. Kështu, për subjektin Panfido Albania, u përgjigjën nga studio ligjore Haxhia dhe Hajdari, të cilët nuk kishin më asnjë kontakt me ortakët e këtij subjekti, me administrator Davide Calderan. Edhe ky biznes ka kaluar automatikisht në listën e subjekteve pasive, për mosdeklarim aktiviteti, qoftë edhe me 0, për një vit.
Studiot ligjore u përgjigjën edhe për Bazalt Line, Business-Medical-Opportunity, Servizi Marittimi Albania, Assel Albania, “Via Rroma” SH.P.K, BLU Services.r.l., të cilët për të njëjtën arsye kishin kaluar automatikisht në statusin pasiv. Të tjera kompani italiane nuk ishin të arritshme përmes telefonit.
Numri i madh i subjekteve me pronësi italiane që kishin kaluar në status pasiv u konstatua gjatë një sondazhi që “Monitor” bëri me një kampion të përzgjedhur prej 300 biznesesh nga lista e 10 mijë bizneseve që kishin kaluar në pasive në 5 muajt e fundit të vitit 2016. Përzgjedhja e subjekteve ishte rastësore, subjektet u kontaktuan me anë të telefonit dhe pyetjet ishin në lidhje me motivet e mbylljes së aktivitetit.
Në mënyrë befasuese, 18% e subjekteve që kishin kaluar në status pasiv ishin italiane dhe në pjesën më të madhe ishin pikërisht Tatimet që kishin bërë kalimin automatik, pasi këto subjekte nuk kishin deklaruar aktivitet për të paktën 12 muaj radhazi. Në përgjithësi, fusha e veprimtarisë së tyre ishte në konsulencë financiare apo ligjore.
Burime zyrtare nga Tatimet thanë se e kishin të pamundur që brenda një kohe të shkurtër të identifikonin listën e plotë dhe numrin e subjekteve italiane që kishin kaluar në status pasiv vitin e fundit.
Jo zyrtarisht mësohet se numri i madh i subjekteve italiane që regjistrohen në QKB dhe nuk kryejnë asnjë aktivitet, ka rënë në sy të Tatimeve dhe disa subjekte po ndiqen nga tatimet, por gjithsesi nuk mund të nxirret asnjë konkluzion pa vëzhguar aktivitetin e tyre, apo transaksionet bankare.
Po ndodh shpesh kohët e fundit që sipërmarrës të huaj, jo vetëm italianë, të vijnë në Shqipëri si investitorë dhe “të largohen si borxhlinj”. Një rast i tillë ishte dhe kompania Homan sh.p.k., administratori dhe ortakët e së cilës janë zhdukur, ekonomistja e së cilës thotë se vazhdimisht e marrin bankat në telefon për shkak të detyrimeve të pambyllura.
Ka dhe nga ato sipërmarrje italiane, që kanë tentuar të hapin aktivitet në Shqipëri dhe nuk u ka ecur. Augusto Accallai, në prill të 2015, regjistroi biznesin e tij, si agjent shitjeje i makinerive industriale. I pyetur nga Monitor për arsyet e pezullimit të aktiviteti ai tha se lloji i biznesit që ai kishte zgjedhur nuk ecte në tregun shqiptar. “Shqiptarët n.q.s. nuk e shohin një biznes te dikush tjetër nuk e provojnë. Vetëm në Shqipëri kam parë që të hapen dy aktivitete të njëjta në të njëjtën rrugë, apo edhe ngjitur”.
Sipas zotit Artan Xhiani, ekspert kontabël, italianët vijnë në Shqipëri, pasi e kujtojnë një parajsë, mirëpo kur gjenden këtu, përballen me një realitet tjetër. Edhe kontakti i zotit Daddario u shpreh se sipërmarrësi italian u zhgënjye shumë me klimën që gjeti në vend.
Këto nuk janë investime të huaja!
Bizneset e huaja u rritën ndjeshëm gjatë 2015-s, me 16%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që 73% e tyre ishin të vogla nga 1 deri në 4 punonjës. 70% e sipërmarrjeve të huaja të hapura në 2015-n ishin italiane, sipas të dhënave të INSTAT.
Gjatë vitit 2015, 403 sipërmarrje të reja italiane që u çelën në Shqipëri ishin me 1-4 të punësuar (87% e totalit të sipërmarrjeve italiane të hapura atë vit), nga të cilat 369 ishin në sektorin e shërbimeve, pothuajse dyfishim në raport me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se edhe sipërmarrjet e huaja që janë hapur të reja në 2015-n kanë qenë përgjithësisht të vogla, me 1-4 punonjës. Nga 694 sipërmarrje të reja me pronarë të huaj, që u hapën vitin e kaluar, 507 kishin më pak se 4 punonjës, apo 73%. Vetëm 43 sipërmarrje të reja të huaja, që kanë mbi 50 punonjës, janë hapur në 2015-n.
Sipas INSTAT, në total, në fund të vitit 2015 në Shqipëri kishte 2753 sipërmarrje italiane, që përbënin 46% të ndërmarrjeve të huaja në vend. 67% e subjekteve italiane janë në fushën e shërbimeve.
E dyta në listë është Greqia, me 675 biznese në total.
Ndonëse ka numrin më të madh të kompanive të huaja në Shqipëri, Italia renditet vetëm si investitori i katërt më i madh në vend, me 11% të stokut total të investimeve në fund të vitit 2015, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Kjo për shkak se kompanitë italiane që kanë ardhur në Shqipëri kanë qenë kryesisht të vogla, ndërsa për shkaqe të ndryshme, investitorët e mëdhenj kanë munguar. Kompani të mëdha si Enel, ndonëse kanë pasur interes, nuk kanë arritur të hyjnë në Shqipëri.
Në vitet e para të ’90-s, bizneset e parapëlyera të italianëve ishin ato të industrisë me material porositësi (fason), kryesisht në fushën e tekstileve e këpucëve. Vitet e fundit është konstatuar një rritje e ndjeshme e aktiviteteve në fushën e call center.
Por, një numër i madh po rezulton dhe nga bizneset që hapen për qëllim konsulence, por që realisht po investojnë flluska, sepse nuk kryejnë asnjë aktivitet dhe vetëm sa po rrisin artificialisht numrin e kompanive të huaja që reklamohen me të madhe që po hapen në vend. Edhe ata që kryejnë ndonjë aktivitet janë në pjesën më të madhe të vetëpunësuar, duke qenë larg konceptit të një investimi të huaj.
Skemat e dyshuara të shmangies…
Elona Lika, kontabiliste në profesion, tregoi për “Monitor” disa nga praktikat më të shpeshta që përdorin këto firma duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Një pjesë e madhe e subjekteve të çelura në Shqipëri shërbejnë për të justifikuar të ardhurat e gjeneruara në shtetin fqinj. Duke qenë se norma e tatimfitimit në vendin fqinj është e lartë, ato rrisin shpenzimet artificialisht, duke u faturuar nga subjektet që kanë hapur në Shqipëri.
Skemë tjetër e paraqitur nga ekspertë të fushës, të cilët kërkuan që të mbeten anonimë, është sigurimi i dokumenteve justifikues të rremë, si fatura hotelesh, bileta udhëtimesh etj. Një individ me pagë të lartë në Itali, vjen në Shqipëri dhe çel një NIPT si person fizik, dhe duke përfituar nga normat e ulëta, ai i faturon shërbime biznesit në Itali. Nga rezultatet e sondazhit, pjesë dërrmuese e këtyre subjekteve që kishin kaluar në pasiv ishin në fushën e konsulencës financiare, fiskale dhe juridike.
Një nga skemat e zbardhura është dhe blerja e aktiveve, p.sh., automjeteve, të cilat individët italianë, pasi nuk arrijnë të justifikojnë këto blerje me të ardhurat në Itali, i deklarojnë të blera me të ardhurat e gjeneruara nga bizneset në Shqipëri.
Një taktikë tjetër që janë duke ndjekur disa nga qendrat telefonike të cilat operojnë në Shqipëri është me anë të hapjes së një NIPT-i për individë të cilët janë të punësuar si persona fizikë (biznes i vogël) dhe të faturojnë kompanitë ku ata punojnë. Për kompaninë e madhe rriten artificialisht shpenzimet deri në 5 milionë lekë dhe me rritjen e shpenzimeve, ulet fitimi i tatueshëm.
Kjo skemë e shmangies së taksave po përdoret gjerësisht edhe nga individët të cilët marrin pagesa të larta në Shqipëri, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore.
Pano Soko, ekspert i ekonomisë, tha se evazioni fiskal që kryhet në Republikën e Shqipërisë nuk është vepër penale në Republikën e Italisë. Nëse, një sipërmarrës italian thotë p.sh., se ka fituar 50 mijë euro në Shqipëri, teorikisht evazioni është kryer në Shqipëri pasi nuk ka lëshuar faturë, por kjo nuk është vepër penale në Itali, çka e bën të vështirë ndjekjen nga organet tatimore të të të dy vendeve të këtyre skemave. Verifikimi do të mund të bëhej përmes kryqëzimit të faturave në vend dhe çështja i kalon sistemit gjyqësor shqiptar.
Diskutime rreth kësaj post